Bashkëpunime me Institucione të Tjerë

Kryetari i KLSH, z. Arben Shehu u takua sot në ambjentet e Kuvendit të Shqipërisë me Kryetarin e Kuvendit z. Gramoz Ruçi.

Kryetari i KLSH e falenderoi Kryetarin e Kuvendit duke shprehur konsiderata të larta për mbështetjen e Tij të vazhdueshme ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe e siguroi se gjatë ushtrimit të mandatit të tij si Kryetar i KLSH, do të ndjek me rigorozitet zbatimin e detyrave që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji, me qasje drejt rritjes së performancës institucionale dhe besimit të publikut.

shehu ruci

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi e uroi Kryetarin e KLSH-së z. Arben Shehu për detyrën shumë të rëndësishme që i është ngarkuar dhe besimplotë rekomandoi disa prioritete të punës në të ardhmen: 

“KLSH duhet të vijojë e të thellojë përpjekjet për forcimin e pavarësisë së institucionit, për auditime të paanshme dhe objektive. Zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së është i rëndësishëm për të thelluar luftën kundër korrupsionit, edhe si një instrument për rritjen e kontrollit parlamentar, pasi KLSH adreson rreth 4000 rekomandime në vit.                                                         

Gjithashtu, duhet të identifikojë njësitë publike të cilat nuk janë kontrolluar asnjëherë këto vite, si edhe të rrisë transparencën dhe komunikimin interaktiv me qytetarët, për t’u bërë gardian i pakompromis për mirëpërdorimin e fondeve dhe pronës publike.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Në takim u diskutuan edhe aspekte të veprimtarisë së KLSH në kuadrin e përmbushjes së rekomandimeve të Progres-Raportit të BE-së, si zbatimin e plotë të standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, përmirësimin e cilësisë së auditimit, zbatimin në kohë të rekomandimeve të auditimit etj.