KLSH raporton në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat mbi projektligjin për “Buxhetin Faktik të vitit 2019”
Ditën e enjte, 12 Nëntor 2020, Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi projektligjin “Për miratimin e Buxhetit Faktik 2019”.
I pranishëm në mbledhjen e Komisionit për këtë projektligj ishte Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, i cili ka paraqitur gjetjet kryesore dhe rekomandimet që KLSH ka për Buxhetin Faktik të vitit 2019.
z. Shehu theksoi se KLSH ka konstatuar devijime materiale dhe cilësore të buxhetit të vitit 2019 në disa çështje apo zëra buxhetorë, të cilat administrohen nga organe apo pjesë të ndryshme të administratës.
Në lidhje me të ardhurat buxhetore, z. Shehu tha se këtë vit ka pasur të ardhura më të mëdha krahasuar se një vit më parë, por në lidhje me debitin nuk ka një raportim të saktë dhe real të situatës buxhetore.
Në lidhje me çështjen kyçe të debatit publik, që është çështja e PPP-ve apo pagesat që qeveria i bën subjekteve që ka lidhur akte koncensionare, z. Shehu tha se niveli i pagesave është 3.27%, brenda kufirit ligjor të këtyre pagesave në vit.