Gjatë
viteve 1997-2000, në sajë të një reforme të thellë institucionale, Kontrolli i
Lartë i Shtetit (KLSH) bëri ndryshime rrënjësore për forcimin dhe konsolidimin
e tij institucional, në të cilat u përcaktuan qartë roli, mandati, objekti dhe
marrëdhëniet e KLSH-së me Parlamentin, Qeverinë dhe institucionet e tjera.
Në
vitin 2000, në ligjin nr.8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”
u bën disa shtesa dhe ndryshime. Me ligjin nr.8599, datë 10.04.2000, u përcaktua
se: “Kontrolli i Lartë i Shtetit është
institucioni më i lartë i kontrollit ekonomiko-financiar në Republikën e
Shqipërisë”.
Legjislacioni
për auditimin publik në Shqipëri
përbën një hap tepër të rëndësishëm për pavarësinë dhe kompetencat KLSH-së, në përmbushje
të parimeve të Deklaratës së Limës, tetor 1977 Peru, akti që ndryshoi botën e
auditimit më të lartë shtetëror; si dhe të kërkesave që kanë standardet ndërkombëtare
të auditimit të INTOSAI-t.
Në
vitin 2014, me qëllim përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare të Institucioneve
Supreme të Auditimit, u hartua me mbështetjen e DG Budget, SIGMA-s dhe Delegacionit
të BE në Tiranë ligji i ri nr.154/2014, datë 27.11.2014 “Mbi organizimin dhe
funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Në këtë ligj përcaktohet se: “Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni
më i lartë i auditimit të jashtëm në Republikën e Shqipërisë, i cili i ushtron
kompetencat e tij duke iu nënshtruar Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Kontrolli
i Lartë i Shtetit është një organ i depolitizuar dhe departizuar”.