Komisioni për Ekonominë dhe Financat vendos me shumicë votash që kandidatura e z.Arben Shehu për pozicionin e kryetarit të KLSH t’i përcillet seancës plenare të Kuvendit për procedurat e mëtejshme
Në datën 23 qershor 2020, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, zhvilloi seancën dëgjimore me kandidatin për pozicionin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, i propozuar me dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 11498, dt. 04.06.2020. I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte kandidati, z. Arben Shehu, si edhe këshilltari ligjor i Presidentit të Republikës, z. Bledar Dervishaj. Seancat dëgjimore të Kuvendit kanë nisur pas vakancës së krijuar në përfundimin e mandatit nga z. Bujar Leskaj. Tre kandidaturat e propozuara më parë nga Presidenti i Republikës, nuk janë miratuar nga Kuvendi.
Z. Shehu paraqiti për komisionin një panoramë të jetëshkrimit të tij profesional, programit, vizionit dhe misionit të tij si drejtues i mundshëm i institucionit dhe më pas ai iu përgjigj pyetjeve dhe interesit të deputetëve të komisionit lidhur me çështje të caktuara, që lidhen me KLSH-në. Jashtë transmetimit, pa praninë e kandidatit, komisioni mori kohë që të vijojë diskutimin për kandidaturën, për t’ia paraqitur përmes një raporti të veçantë Kuvendit. Në përfundim të kësaj mbledhje, me shumicë votash, komisioni vendosi që kandidatura t’i përcillet seancës plenare për procedurat e mëtejshme.
Në vijim të protokollit të masave të posaçme anti-Covid 19, edhe kjo dëgjesë publike u zhvillua përmes platformës Cisco WEBEX.