KLSH lidh marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Gjeologji-Minierave
Më 17 qershor 2013, Prof. Dr. Përparim Hoxha, Dekan i Fakultetit të Gjeologji-Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Dr. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet KLSH dhe Fakultetit.
Prof. Hoxha theksoi rëndësinë që ka për profesoratin e Fakultetit bashkëpunimi me një institucion kushtetues si KLSH dhe u shpreh i gatshëm që i gjithë stafi shkencor të kontribuojë në përmirësimin e veprimtarisë audituese të KLSH në fusha specifike si dhe në trajnime të ndryshme për punonjësit e KLSH. Kryetari Leskaj falënderoi stafin akademik të Fakultetit për gadishmërinë e treguar, Dekanin Prof. Hoxha, si dhe Prof. Dr. Skënder Osmanin për nisjen e këtij bashkëpunimi konkret disa muaj më parë, përmes një cikli të plotë leksionesh mbi analizën e riskut.
Marrëveshja nënshkruhet nën frymën e Deklaratës së Limës, kushtetutës së institucioneve të auditimit më të lartë, e përkatësisht Nenit 9 të saj, i cili sanksionon të drejtën e institucioneve të auditimit suprem për t’u konsultuar dhe për të përdorur opinionet ë ekspertëve, si dhe në bazë të standardit ISSAI 1620 “Përdorimi i punës së një eksperti të jashtëm në auditim”, i cili në nenet 7 dhe 9 të tij cilëson se ekspertiza në një fushë tjetër përveç kontabilitetit ose auditimit, mund dhe duhet të përfshijë njohuri të thelluara në lidhje me çështje të tilla si vlerësimi i instrumenteve financiarë kompleksë, i tokës, i burimeve të tjera natyrore, i naftës dhe rezervave të gazit, etj.
Për KLSH, kontributi i akademikëve dhe ekspertëve universitarë është shumë i rëndësishëm, si në trajnimin dhe përgatitjen profesionale të audituesve, ashtu dhe në pjesëmarrjen e ekspertëve në analizën e riskut, përzgjedhjen e auditimeve apo edhe në auditim.
Marrëveshja parashikon trajnime, takime konsultative, pjesëmarrje të ekspertëve të Fakultetit në auditime, tryeza të rrumbullakta, workshope, seminare, etj., te cilat synojnë rritjen e cilësisë së punës së KLSH dhe pjesëmarrjen e profesoratit të Fakultetit në kërkimin e aplikuar