Bashkëpunime me Institucione të Tjerë

KLSH dhe ILDKP nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi në prani dhe të përfaqësuesve të organeve mediatike, me qëllimin e krijimin e një bazë të dhënash për raste të dyshuara korrupsioni në administratën publike.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e ILDKP-së, Kryetari i KLSH, z. Bujar Leskaj, dhe Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP-së, z.Adriatik Llalla, shprehën impenjimin për koordinimin ndërinstitucional për ndëshkimin e zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin publik.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Leskaj, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e veprimit ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit, si edhe u shpreh se “sot po formalizojmë një marrëveshje, e cila tashmë ka nisur të aplikohet në praktikë. Mendojmë se ka çështje konkrete që kanë nevojë për kontroll ndërinstitucional, me qëllim efikasitetin në luftën kundër konfliktit të interesave e fshehjes së pasurisë dhe, në përgjithësi, kundër veprimeve abuzive të zyrtarëve me pushtetin publik.
Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është i veçantë për mua, pse ne si KLSH dhe Inspektorati jemi dy institucione shtetërore që kemi shumë gjëra të përbashkëta. Të dy qëmtojmë rastet e praktikave abuzive dhe korruptive të zyrtarëve shtetërorë, që cënojnë interesat ekonomike të shtetit dhe mirëfunksionimin e administratës publike. Të dy u japim rekomandimet e duhura strukturave përkatëse të Shtetit për të kthyer mirëfunksionimin e administratës. E kemi të përbashkët qëllimin, që është lufta pa kompromis kundër korrupsionit, konfliktit të interesave dhe për forcimin e shtetit ligjor.

Kjo marrëvëshje ka rëndësi, për faktin se nëse bashkëpunojmë dhe ndërveprojmë  në mënyrë të institucionalizuar, rrisim efiçiencën e masave që do të propozojmë dhe zgjerojmë spektrin e kontrolleve dhe investigimeve tona.”
Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z. Llalla, e cilësoi Marrëveshjen si një moment shumë të rëndësishëm në aktivitetin ndërinstitucional. “Dokumenti i firmosur sot është një mekanizëm më shumë në luftën kundër korrupsionit, pasi dy institucionet kanë një bazë të dhënash mbi raste të dyshuara të abuzimit me pushtetin publik. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të krijohen lehtësira të mëdha për shkëmbimin e informacionit në një kohë shumë të shpejtë, e cila do të shoqërohet me efikasitet të lartë dhe forcë goditëse më të madhe”.

KLSH është në proces bisedimesh dhe shumë shpejt do të përmbyllë marrëveshje bashkëpunimi reciprok, shkëmbimi eksperiencash dhe aktivitete të përbashkëta me institucione të tjera shtetërore dhe organizata publike që janë në vijën e parë të frontit kundër korrupsionit.