Përurohet në KLSH pllaka përkujtimore në nder të ish Presidentit të Polonisë, z. Lech Kaczynski.
Në datë 26 qershor 2020, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj dhe Ambasadori i Republikës së Polonisë në Shqipëri, SHTZ. Karol Bachura përuruan në hyrjen e KLSH-së pllakën përkujtimore në nderim të ish Presidentit të Polonisë në vitet 2005-2010 dhe ish Presidentit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë në vitet 1992-1995, z. Lech Kaczynski.
Ai është një nga personalitetet më të shquara polake të periudhës pas rënies së komunizmit në Poloni. Në detyrën e tij si Presidenti Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë (NIK) ai ka luajtur një rol të qenësishëm në modernizimin e NIK-ut polak, baza e të cilit është miratimi i ligjit të ri organik të institucionit.
Në fjalën e tij me këtë rast, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj theksoi se z. Kaczynski si President i NIK në periudhën 1992-1995 ka një kontribut të veçantë për vendosjen e aktivitetit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sigurimin e pavarësisë institucional. Ai ishte iniciator i hartimit të një ligji modern për NIK polak edhe me koston e ndërprerjes së mandatit të tij pas miratimit të ligjit nga parlamenti polak.
Në detyrën e Presidentit të Republikës së Polonisë në periudhën 2005-2010 z. Kaczynski ishte nxitës dhe përkrahës i reformave të thella social-ekonomike pas anëtarësimit të Polonisë në BE në vitin 2004. Figura e tij në historinë e Polonisë renditet krahas figurës së Papa Gjon Palit të II dhe udhëheqësit të Solidarnos, z. Lech Walesa. Në nderim për figurë së tij, si dhe të bashkëpunimit të ngushtë midis KLSH-së dhe NIK-ut, KLSH ka emërtuar në vitin 2018 një nga sallat e institucionit me emrin e z. Lech Kaczynski.
Kryetari i KLSH-së, z. Leskaj theksoi se NIK-u polak ka qenë një nga partnerët më të ngushtë të KLSH-së në tetë vitet e fundit duke kontribuar me ekspertizën e tij në modernizimin e KLSH.
Ambasadori Bachura në fjalën e tij të falënderimit theksoi se miqësia dhe bashkëpunimi midis Shqipërisë shtrihet ndër vite e shekuj. Të dy vendet tona kanë histori të ngjashme, e cila në vitet e fundit është shoqëruar me reforma të thella demokratike dhe ekonomike. Ai vlerësoi figurën e z. Kaczynski si një nga personalitetet më të rëndësishme të vendit pas viteve '90 i cili synoi ta kthejë institucionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë si një institucion model në administratën publike për të rritur në këtë mënyrë llogaridhënien dhe transparencën.
Z. Bachura vlerësoi bashkëpunimin e KLSH me NIK-un polak gjatë viteve të fundit the theksoi se vendosja e pllakës përkujtimore në KLSH për vetë pozicionin që ka institucioni në Tiranë, do tu sjellë në vëmendje polakëve që vizitojnë Shqipërinë vlerësimin që ka KLSH për z. Kaczynski, miqësinë midis dy vendeve tona dhe ftesën për të vizituar sallën me emrin Lech Kaczynski në godinën e KLSH-së.
Z. Bachura theksoi se ai është në mbarim të mandatit të tij si ambasador në Tiranë por ai po largohet nga Shqipëria me bindjen se bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të vijojë të thellohet në fusha të ndryshme dhe se si KLSH dhe NIK do të vazhdojnë të jenë promotore të mirëqeverisjes.
Pas ceremonisë, Kryetari i KLSH-së priti në zyrën e tij Ambasadorin Bachura i cili vlerësoi dhe uroi z. Leskaj për përfundimin e mandatit të tij si Kryetari i KLSH-së.