KLSH nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Gjykatën e Llogarive të Rumanisë
Më datën 18 shtator 2018, në Bukuresht të Rumanisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj nënshkroi rinovimin e Marrëveshjes dhe Planin e Bashkëpunimit për aktivitete të përbashkëta 2018-2021 mes Gjykatës së Llogarive të Rumanisë dhe KLSH-së. Presidenti i Gjykatës, z. Mihai Busuioc vlerësoi këtë marrëveshje si të rëndësishme për institucionin e tij dhe objektivat e tij reformuese, pas marrjes së detyrës një vit më parë nga Parlamenti rumun. Ai u shpreh se për institucionin shqiptar të auditimit të jashtëm publik kishte marrë opinion tejet pozitiv nga Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Portugalisë dhe ish-President i Gjykatës Evropiane të Audituesve(ECA), Dr. Vitor Caldeira dhe theksoi se “me nisma konkrete do të zhvillojmë vullnetin tonë për punë të përbashkët, punë që do të sjellë vlerë të shtuar për audituesit e dy SAI-ve tona”.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe Presidenti i Gjykatës Rumune të Llogarive,
z.Mihai Busuioc nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi. Bukuresht, 18 shtator 2018.
Kryetari Leskaj u shpreh se, bazuar në moton e INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)” dhe në Nenin 15 “Shkëmbimi ndërkombëtar i eksperiencave” të Deklaratës së Limës, ISSAI 1, “ Po nënshkruajmë këtë Marreveshje dhe Plan të përbashkët Veprimi për disa arësye themelore.
Së pari, për shkak të lidhjeve historike mes popujve tanë, popullit shqiptar dhe popullit mik rumun, në këtë vit të kremtimit të 100 Vjetorit të Bashkimit të Rumanisë, së cilës i jemi mirënjohës se ka mirëpritur dhe mbajtur në gjirin e saj patriotët shqiptarë gjatë viteve 1890-1912, në përpjekjet e tyre të pareshtura për liri, që kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimin e Shtetit shqiptar në vitin 1912.
Së dyti, nënshkruajmë bashkëpunimin në vlerësim të personalitetit të fuqishëm reformues të z. Mihai Busuioc, President i Gjykatës së Llogarive të Romanisë. Ne kemi shumë për të mesuar nga Gjykata e Llogarive e Rumanisë, një SAI i madh evropian dhe me tradita. Besojmë se shkëmbimi i eksperiencave më të mira në auditim do të kontribuojë në zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të institucioneve tona”.
Gjatë vizitës në Rumani, Kryetari i KLSH u prit nga Kryeministrja e Rumanisë, zj. Viorica Dăncilă në zyrën e saj të punës. Zj. Dăncilă theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve mike, Shqipërisë dhe Rumanisë është me rëndësi për bashkëpunimin ballkanik dhe integrimin e plotë të vendeve të rajonit në familjen e madhe evropiane. “Në këtë drejtim”, cilësoi Kryeministrja Rumune ,”partneriteti mes të dyja institucioneve supreme të auditimit luan një rol parësor”.
Nga ana e tij, z. Leskaj, pasi i shprehu Kryeministres së Rumanisë mirënjohjen për ndihmën që populli rumun dhe qeveritë e tij i kanë dhënë përpjekjeve të popullit shqiptar për të formuar shtetin e tij të pavarur, nënvizoi se shkëmbimi i eksperiencave në fushën e auditimit të jashtëm publik ndikon në forcimin e besimit të qytetarit në qeverisjen publike.
Më datën 19 shtator 2018, Kryetari i KLSH u prit në Parlamentin rumun nga Marius-Constantin Budăi, Kryetar i Komisionit për Buxhetin, Financat dhe Bankat. Në përshëndetjen e tij, Kryetari Budăi vlerësoi partneritetin e Komisionit që drejton me Gjykatën e Llogarive të Rumanisë, partneritet i cili realizohet nëpërmjet nën-komisionit të dedikuar për mbikqyrjen e punës së Gjykatës dhe vuri në dukje pritshmëritë e larta të Parlamentit ndaj qasjes së re të Presidentit të SAI-t, të përqëndruar në planin këshillues ndaj institucioneve shtetërore dhe në auditimet parandaluese ndaj dukurive të keqmenaxhimit të aseteve dhe parasë publike. Ai u interesua të dinte për raportet e KLSH me Parlamentin dhe komisionin përkatës parlamentar në Shqipëri.
Në përgjigje të interesimit, z. Leskaj theksoi mbështetjen e dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë në miratimin e ligjit integral të institucionit që drejton në fund të vitit 2014, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t, si dhe rolin e Kryetarit të Komisionit të Kuvendit për Ekonominë dhe Financat në promovimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimeve të KLSH dhe nxitjen e auditimeve të reja më cilësore dhe më pranë interesave të qytetarit.
Duke vlerësuar maksimalisht idetë dhe përpjekjet reformuese të z. Mihai Busuioc, President i Gjykatës së Llogarive të Rumanisë, Kryetari i KLSH u shpreh se “…që këto ide të realizohen, ndihma dhe mbështetja Juaj si Komision është vendimtare”.
Në diskutimet për Planin e përbashkët të Veprimeve për konkretizimin e Marrëveshjes, nga SAI rumun ishin të pranishëm z. Florin Demian, Sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës, zj. Marina Aulona Pelea, Anëtare e Gjykatës së Llogarive, z. Dragos Budulac, Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe z. Dimitru Nichita, Këshilltar i Presidentit të Gjykatës.
Në prezantimin e tij, Presidenti Busuioc theksoi domosdoshmërinë që Gjykata t’i largohet pozicionit që ka mbajtur deri tani si një institucion vetëm sanksionues dhe të zëvendësojë qasjen se kush jep sanksione më të rënda e ka kryer punën e tij si auditues më mirë, për të marrë një pozicion më këshillues dhe rekomandues, duke synuar auditime parandaluese ndaj riskut të keqmenaxhimit në administratën shtetërore. “Administrata ka frikë nga ne se mos gabon dhe e ndëshkojmë dhe nuk kryen tendera. Kjo pengon zhvillimin. Ne duhet të këshillojmë qeverinë në marrjen e politikave të duhura. Duhet të jemi një hap përpara, për ta ndihmuar. Vetëm kështu mund të shndërrohemi në faktor nxitës të zhvillimit ekonomik” , e shpreh Busuioc.
Nga ana e tij, Kryetari Leskaj, pasi prezantoi punën dhe arritjet e KLSH në periudhën 2012-2018, nënvizoi se vetëm njohja dhe asimilimi nga audituesit i standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t, ISSAI-t, ballafaqimi i eksperiencave të tyre audituese me ato të kolegëve të SAI-ve evropiane më të zhvilluara, do të mundësojë rritjen e impaktit të gjetjeve dhe rekomandimeve të SAI-t në jetën e qytetarëve.
Në përbërjen e delegacionit të KLSH ishin Prof. Dr. Skënder Osmani, ekspert i jashtëm i KLSH dhe një nga personalitet më të spikatura të shkencës shqiptare në studimet për matematikën dhe informatikën dhe aplikimet e tyre në shoqëri dhe ekonomi, z. Muhamed Kavaja, auditues me eksperiencë mbi 25 vjecare në KLSH dhe Kryetar i Shoqatës së Audituesve të Shqipërisë dhe z. Fatos Cocoli, ekspert i jashtëm.
Marrëvëshja me SAI-n e Rumanisë është e 17-ta me SAI-t evropiane simotra që KLSH ka nënshkruar gjatë viteve 2012-2018, duke zgjedhur qasjen e partneritetit të plotë dhe bashkëpunimit konkret e reciprok me institucionet e zhvilluara të auditimit suprem evropian.