Një delegacion i KLSH-së mori pjesë në datat 29-30 mars 2018 në Takimin e IV-t vjetor të Grupit të Punës së EUROSAI-t për "Auditimin e fondeve të alokuara për katastrofat dhe fatkeqësitë natyrore" në Moldavi.
Në datat 29-30 mars 2018, një delegacion i KLSH i drejtuar nga Kryetari, z. Bujar Leskaj mori pjesë në Takimin e IV-t vjetor të Grupit të Punës së EUROSAI-t për "Auditimin e fondeve të alokuara për katastrofat dhe fatkeqësitë natyrore" në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau.
Takimin e përshëndetën Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Moldavisë, z. Veaceslav Untila si SAI (Institucion Suprem Auditimi) mikpritës i aktivitetit dhe më pas Kryetari i Dhomës së Llogarive të Ukrainës, z.Valeriy Patskan, si SAI drejtues i Grupit të Punës së EUROSAI-t dhe nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj. Në përshëndetjen e tij, Kryetari i KLSH-së theksoi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave të punës audituese dhe kontributit të SAI-ve evropiane edhe në këtë fushë me rëndësi sociale për ndihmesën dhe rikuperimin sa më të shpejtë të komuniteteve të prekura nga fatkeqësitë dhe katastrofat natyrore, kontribut i cili shkon drejtpërsëdrejti në realizimin e disa prej objektivave kryesorë strategjikë të Axhendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të 2030 të Kombeve të Bashkuara.
Në këtë kontekst, ashtu si dhe në fjalën përshëndetëse në aktivitet u vlerësua aktiviteti drejtues i SAI-t ukrainas në këtë fushë në përgatitjen e metodologjisë përkatëse. Më tej, z.Leskaj, nënvizoi faktin se mësimet e nxjerra nga shkëmbimi i praktikave të mira mes SAI-ve janë gjithnjë një vlerë e shtuar në zbatim të motos së INTOSAI-t, “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”.
Dita e parë vijoi me prezantimin e Raportit 2017-2018 të Grupit të Punës, të drejtuar nga SAI i Ukrainës, në lidhje me auditimet e zhvilluara për parandalimin e përmbytjeve dhe katastrofave natyrore, si dhe shkëmbimet e eksperiencave dhe mësimet e nxjerra nga auditimet e përbashkëta në këtë fushë. Në sesionin e pasdrekes vijuan prezantimet e SAI-ve të Polonisë (NIK), SAI-t të Kazakistanit dhe SAI-t të Serbisë, në lidhje me auditimet e zhvilluara për parandalimin e përmbytjeve dhe katastrofave natyrore.
Dita e dytë e aktivitetit vazhdoi me Seminarin "Praktikat ndërkombëtare të përdorura nga institucionet e auditimit për kryerjen e auditimeve për parandalimin e pasojave nga përmbytjet”. SAI i Ukrainës paraqiti metodologjitë kryesore të përdorura gjatë auditimeve mbi eliminimin e pasojave dhe parandalimin e katastrofave dhe fatkeqësive natyrore. Theksi u vu në rekomandimet që SAI-t duhet të japin pranë qeverive respektive për përgatitjen e strategjive dhe planeve të punës efektive dhe efiçiente për shmangien e katastrofave, sidomos përmbytjeve.
Në këtë aktivitet krahas Kryetarit të KLSH-së, morën pjesë dhe Kryeaudituesi, z.Alush Zaçe dhe audituesi, z.Idlir Dervishi.
Mbas propozimit të Kryetarit të KLSH-së gjatë fjalës përshëndetëse dhe takimit bilateral, që takimi i V-të vjetor i Grupit të Punës të EUROSAI-t për "Auditimin e fondeve të alokuara për katastrofat natyrore" të mbahej në Shqipëri, Kryetari i SAI-t ukrainas z. Patskan, në cilësinë e SAI-t drejtues të grupit, shprehu dakortësinë për ta zhvilluar takimin e ardhshëm vjetor në Shqipëri dhe e deklaroi këtë projekt në fjalën përshëndetëse në mbyllje të aktivitetit.
Kryetari i KLSH zhvilloi një takim pune me Kryetarin e SAI-t të Ukrainës, z. Valeriy Patskan
Në datën 29.03.2018, Kryetari i KLSH, z.Bujar Leskaj zhvilloi një takim pune me Kryetarin e SAI-t të Ukrainës, z. Valeriy Patskan. Zoti Patskan theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis dy institucioneve, sidomos në auditimet të cilat kanë si objekt parandalimin e katastrofave natyrore si përmbytje, shembje dhe rrëshqitje të tokës, etj., si dhe auditimet në lidhje me trajtimin e mbetjeve urbane dhe mbrojtjen e mjedisit.
Kryetari i KLSH-së i paraqiti z. Patskan arritjet e KLSH gjatë këtyre viteve dhe bashkëpunimet e shumta në nivel ndërkombëtar të institucionit shqiptar të auditimit të jashtëm me SAI-et evropiane dhe kontributin modest të KLSH-së në këto vite në grupet e punës të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Midis dy kryetarëve u ra dakort për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi midis dy institucioneve në një kohë sa më të afërt.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, zhvilloi një takim pune me Presidentin e Gjykatës së Llogarive të Moldavisë, z.Veaceslav Untila
Në datën 30 mars 2018, në zyrat e Gjykatës së Llogarive të Moldavisë, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, zhvilloi një takim pune, me Presidentin e kësaj gjykate, z.Veaceslav Untila. Zoti Untila vlerësoi vizitën e Kryetarit të KLSH-së, duke shprehur konsiderata dhe vlerësime për Shqipërinë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, duke sugjeruar rritjen e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e eksperiencave të auditimit midis dy institucioneve, sidomos në fushat e mjedisit dhe auditimit të fondeve të BE. Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Moldavisë, z.Untila vlerësoi arritjet e KLSH-së gjatë 5 viteve të fundit. Presidenti shpjegoi organizimin e Gjykatës Moldave të Llogarive, arritjet e saj në këto vite dhe kuadrin ligjor.
Kryetari i KLSH-së, z.Leskaj në fjalën e tij, fillimisht falenderoi z.Untila për mikpritjen e veçantë dhe organizimin e takimit të IV-të vjetor të Grupit të Punës së EUROSAI-t. Kryetari i KLSH-së dha informacion mbi treguesit kryesorë të arritjeve të KLSH-së, bashkëpunimin në kuadrin e Projektit IPA, me NIK-un Polak dhe bashkëpunime të tjera të KLSH-së në komunitetin EUROSAI dhe INTOSAI.
Të dy drejtuesit e institucioneve, shprehën dakordësinë për nëshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi në të ardhmen.
Gjatë ditëve të këtij aktiviteti Kryetari i KLSH-së u takua dhe me zv.Presidentin e NIK-ut Polak, z.Wojciech Kutyla. Në takim u dakordësua për misionet e fundit të Projektit IPA 2013, që do të zhvillohen deri në fillim të muajit Korrik 2018, si edhe për Konferencën përmbyllëse të projektit në 11 korrik 2018.