Bashkëpunime me Institucionet Homologe

KLSH nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës së Bullgarisë

Në datën 3 tetor 2016, në Sofje, z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit zhvilloi takime pune në Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës së Bullgarisë( BNAO) dhe nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me homologun e tij, Presidentin e BNAO-s, z. Tzvetan Tzvetkov.

marvesh_bullgari_2864_0

Marrëveshja u përgatit në bazë të Nenit 15 të Deklaratës së Limës, të parimeve të përbashkëta të respektit, besimit dhe bashkëpunimit dypalësh të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) si edhe të Organizatës Europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit(EUROSAI).
Marrëveshja e nënshkruar është me shumë vlera për KLSH-në dhe vjen pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve të bashkëpunimit me SAI-et Europiane, të tilla si NIK-u Polak, Gjykata Austriake e Auditimit, Gjykata Turke e Llogarive, SAI-et e Kroacisë dhe Sllovenisë dhe në nivel rajonal, me SAI-et e Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së dhe bazohet në moton e INTOSAI-t “Experientia Mutua Omnibus Prodest”. Përvoja e gjatë 136 vjeçare e SAI-t bullgar dhe cilësia e punës në auditim është një model shumë i mirë për t’u ndjekur nga KLSH. Nëpërmjet mbështetjes së parashikuar në marrëveshje, KLSH dhe Zyra Supreme e Auditimit të Republikës Bullgare, do të shkëmbejnë eksperiencë në veprimtarinë e tyre audituese, përmes vizitave të punës, trajnimeve dhe workshop-eve për audituesit shqiptarë, etj.

marveshja_bullgari_2_2865_0

Gjatë ditës së parë të vizitës, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe Presidenti i SAI-t Bullgar, z. Tzvetan Tzvetkov, bënë nga një prezantim të SAI-ve respektive lidhur me mandatin e tyre të auditimit, pavarësinë e SAI- ve, strukturën organizative, ligjin në të cilin mbështetet funksionimi i SAI-ve në seicilin prej të dy vendeve si edhe nenet e Kushtetutës që lidhen me funksionimin e SAI-ve. Zoti Tzvetkov shoqërohej nga znj.Goritsa Grancharova-Kozhareva dhe z.Toshko Todorov, dy zv/presidentët e BNAO-s, z.Emil Evlogiev anëtar i BNAO-s, znj.Tania Konstantinova, Drejtore e Departamentit të Performancës, znj Vyara Angelova, Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Projekteve.
Kryetari i KLSH-së pasi evidentoi frymën e bashkëpunimit që ka karakterizuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, bëri një prezantim të shkurtër të historisë 91 vjecare të KLSH-së, duke u përqëndruar më së shumti në arritjet, vështirësitë dhe sfidat e institucionit në vitet e fundit. Zoti Leskaj u përqëndrua në miratimin e Ligjit të Ri të KLSH-së nga Kuvendi i Shqipërisë në nëntor të vitit 2014, për të cilin pati shumë debate e kundërshti por që me këmbënguljen e KLSH-së, me mbështetjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë dhe veçanërisht me mbështetjen e ekspertëve të SIGMA dhe të DG Budget, ligji u miratua dhe është në përputhje të plotë me standartet e INTOSAI. Zoti Leskaj, më tej, i njohu të pranishmit me numrin e auditimeve të realizuara gjatë vitit 2015 (158), me rritjen e numrit të auditimeve të Performancës, me rritjen e dëmit ekonomik të zbuluar, i cili në periudhën 2012-2015 ishte 8 herë më i madh krahasuar me periudhën 2008-2011, si edhe me efektivitetin e KLSH-së, i cili është rritur ndjeshëm, 4.2 herë më i lartë mesatarisht në periudhën 2012-2015, krahasuar me periudhën 2008-2011.
Zoti Leskaj u ndal gjithashtu ne rekomandimet e rëndësishme të KLSH-së për ndryshime ligjore, për ligje të reja, për borxhin publik, për detyrimet e prapambetura ndaj bizneseve, për botimet e KLSH-së, për prezencën e audituesve të KLSH-së në median e shkruar, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe me Universitetet, bashkëpunimin me SAI-et partnere, etj. Në përfundim, z.Leskaj propozoi që marrëveshja të kontretizohet duke kryer auditime të përbashkëta performance dhe financiare, në ato fusha të cilat përbëjnë sfida për të dy vendet.
Zoti Tzvetan Tzvetkov nga ana e tij bëri një paraqitje të Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Bullgarisë dhe të strukturës së saj të organizative. Aktualisht SAI Bullgar është përshtatur drejt një strukture kolegjiale, e drejtuar nga Presidenti dhe e përbërë nga 2 zv/presidentë dhe 2 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi. Ekzistenca e dy anëtarëve dhe vecanërisht mënyra e nominimit të tyre nga Instituti i Certifikimit të Kontabilistëve dhe Instituti i Audituesve të brendshëm, vjen në funksion të rritjes së transparencës së publikut dhe integrimit në punën audituese të eskertizës së jashtme. BNAO ka 350 punonjës, përfshirë ata që punojnë në zyrat rajonale.
Më tej, në prezantimin e tij z.Tzvetkov vuri theksin tek tre kompenteca të rëndësishme të BNAO-s. Së pari, SAI bullgar ka të drejtë të vendosë penalitete kur konstaton shkelje të disa ligjeve specifike, si ligji për prokurimin publik, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike. Lidhur me këto të fundit, BNAO ka kompetencë për të audituar jo vetëm për fondet që marrin nga shteti, por për të gjithë veprimtarinë financiare. Së dyti, kryen një funksion suplementar duke kontrolluar deklaratat pasurore të zyrtarëve të lartë. Së treti, BNAO vepron si agjente e Parlamentit duke u angazhuar në auditime tematike të propozuara nga Kuvendi, në ato fusha me risk të lartë për ekonominë e vendit, si koncesionet dhe privatizimet.
Në përfundim, z.Tzevetkov duke përgëzuar KLSH-në për arritjet dhe rolin e saj aktiv që ka treguar në grupet e ndryshme të punës së INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, u shpreh se marrëveshja e bashkëpunimit do të ngrejë një urë të re bashkëpunimi në ndarjen e eksperiencës 136 vjecare të BNAO-s me KLSH-në, nëpërmjet workshop-eve e trajnimeve të shumta. Të dy prezantimet u shoqëruam me pyetje të shumta dhe diskutime.
Zoti Bujar Leskaj shoqërohej në këtë vizitë nga znj.Albana Agolli, Drejtore e Departamentit Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financimet e Huaja, Shoqërive Publike, zj. Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj.Amantia Patozi, specialiste dhe z.Redi Ametllari, auditues.