Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet KLSH-së dhe Zyrën e Auditimit të Institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës
Më datë 17 korrik 2013, z.Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe z. Milenko Sego, Auditues i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit të Institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, nënshkruan në Sarajevë një marrëveshje bashkëpunimi midis dy institucioneve.
Delegacioni shqipëtar i pranishëm në këtë marrëveshje, përbëhej nga z.Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, znj.Albana Pengili Kryeaudituese në Departamentin e Performancës, si dhe tre auditues të këtij institucioni: znj.Evis Çela, z.Genci Koka dhe z.Alush Zaçe.
Z.Milenko Sego, shoqërohej nga dy zëvendës Audituesit e Përgjithshëm të kësaj Zyre, zj. Božana Trincić dhe z. Dževad Nekić si edhe nga staf menaxherial e auditues.
Ishte i pranishëm edhe z.Fiqiri Kllari, Konsull Nderi i Bosnje dhe Hercegovinës për Shqipërinë, i cili ndihmoi për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
Zyra e Auditimit të Institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës, është institucioni më i lartë për auditimet e institucioneve publike të Bosnje dhe Hercegovinës. Kompetencat e kësaj Zyre Auditimi, zbatohen në të gjitha institucionet publike dhe drejtohet nga një Auditues i Përgjithshëm dhe dy zëvendësa të tij.
Zyra e Auditimit njofton institucionet përkatëse dhe publikun e gjerë mbi gjetjet dhe rekomandimet e auditimeve me anë të raporteve të auditimit. Kjo Zyrë Auditimi mund të vendosë të ngrejë zyra rajonale kur këto janë të nevojshme për stabilitetin ekonomik të tyre.
Marrëveshja dypalëshe, u përgatit në bazë të respektit, besimit reciprok si dhe bashkëpunimit dypalësh, në përputhje me parimet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të Auditimit Suprem (INTOSAI). Në Deklaratën e Limës (Dokumenti themelor i Institucioneve Supreme te Auditimit), theksohet se shkëmbimi i eksperiencës dhe informacionit, i vjen në ndihmë institucioneve më të larta të auditimit, për të përmbushur detyrat e tyre kushtetuese.
Gjatë aktivitetit të nënshkrimit të marrëveshjes, të dy palët u njohën me veprimtarinë përkatëse të institucioneve si dhe zhvilluan diskutime konstruktive në funksion të frymës së bashkëpunimit. Nga ana e delegacionit shqiptar, u prezantuan botimet që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar gjatë vitit 2012-2013. Anëtarët e institucionit homolog të Bosnjës dhe Hercegovinës shfaqën mjaft interes për këto botime. Në këtë kuadër, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, ftoi Audituesin e Përgjithshëm të Zyrës së Auditimit të Institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, por edhe drejtuesit dhe audituesit e tjerë të këtij institucioni, për një bashkëpunim konkret në revistën tonë shkencore ‘‘Auditimi Publik’’, që është e hapur edhe për shkrimet e tyre.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, është i rëndësishëm për KLSH, pasi i hap rrugën bashkëpunimit dhe ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta në nivel bilateral. Bazuar në këtë marrëveshje, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Zyra e Auditimit të Institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, do të shkëmbejnë eksperiencat e tyre në fushën e auditimit financiar apo të performancës, si dhe në fusha të tjera që paraqesin interes të dyanshëm.