KLSH merr mbështetje nga SAI Turk
Me ftesë të Presidentit të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, Dr. Recai Akyel, në datat 29-30 maj 2012 një delegacion i KLSH, i kryesuar nga z. Bujar Leskaj mori pjesë në festimet e 150 vjetorit të kësaj Gjykate në Ankara. Në delegacion merrnin pjesë Drejtori i Përgjithshëm i KLSH, z. Robert Gjini, si dhe zj. Zyra Kepi dhe z. Rustem Tare, dy ndër audituesit më me përvojë të KLSH.
"Delegacioni shqiptar në seancën jubilare të 150 Vjetorit të Gjykatës së Llogarive të Turqisë"
Gjate qëndrimit në Turqi, pala turke shprehu interes të mbështesë KLSH dhe shumë shpejt mes të dyja institucioneve mund të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi. Në bazë të saj, auditues nga KLSH do të mund të trajnohen në Qendrën e Trajnimeve të Gjykatës në Ankara për çertifikimin e deklaratave financiare, për thellimin e auditimit financiar, për auditimin e IT, etj.
Gjatë aktiviteteve të festimeve të 150 vjetorit të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, Kryetari Leskaj mori edhe interesimin e homologut të tij kroat, z. Ivan Kleshiç, Auditues i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë. U ra dakort që z. Kleshiç të vizitojë Shqipërinë në krye të një delegacioni zyrtar dhe të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes të dyja institucioneve.
Në seancën plenare që vijoi seancën jubilare më 30 maj, delegacioni shqiptar mori pjesë aktivisht në diskutimet mes përfaqësuesve më të lartë të institucioneve supreme të auditimit. Z. Terence Nombembe, President i INTOSAI vlerësoi sugjerimin e SAI-t shqiptar për diskutimin sa më të gjerë publik në vendet përkatëse të Rezolutës së 22 dhjetorit 2011 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara mbi vlerën dhe mbështetjen për institucionet e auditimit suprem publik. Ai rekomandoi që ky diskutim i sugjeruar të kryhet mes strukturave rajonale të INTOSAI.
"Presidenti i INTOSAI Terence Nombembe me audituesin shqiptar Rustem Tare"