Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet KLSH-së dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës.
Në praninë e organeve të ndryshme të medias u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, marrëveshje e cila u siglua respektivisht nga zotërinjtë Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së dhe Lars Lage Olofsson, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës.
Kjo marrëveshje konsiston në respektimin e reciprocitetit dhe bashkëpunimit të përbashkët dhe dobiprurës, si dhe në principet e implementuara nga Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve të Larta të Kontrollit (INTOSAI) dhe Organizata Europiane e Institucioneve të Larta të Kontrollit (EUROSAI). Në këtë marrëveshje palët shprehin vullnetin e tyre të përbashkët për të bashkëpunuar në zbatimin e plotë të standarteve ndërkombëtare të sektorit të auditimit publik dhe praktikave më të mira Europiane, shkëmbimin e eksperiencave në zhvillimin e institucioneve respektive, si dhe prezantimin e Fjalorit të Auditimit Publik Shqiptar të standartizuar.
Në fjalën e tij prezantuese, Kryetari Leskaj nënvizoi faktin sinjifikativ se sot kurorëzohet fillimi i një proçesi të ri në marrëdhëniet tona institucionale, si dhe çelet një faqe e re për të dy institucionet tona në konkretizimin dhe konsolidimin e raporteve të bashkëpunimit institucional.
Zyra e Auditorit të Pergjithshëm të Kosovës në tre vitet e fundit që drejtohet nga z. Olofsson ka dyfishuar buxhetin e saj, ka katër fishuar numrin e auditimeve dhe ka shtuar personelin me 50 punonjës të rinj. KLSH ka shumë për të përfituar nga mënyra e organizimit të strukturës homologe kosovare, dhe nisur nga ky fakt KLSH parashikon që në mars të dërgojë disa dhjetëra punonjës të saj në Kosovë, në një vizitë shkëmbimi eksperiencash dhe trajnimesh.
Kryetari Leskaj në fjalën e tij theksoi se: “Siç jam shprehur dhe në Komisionin e Ekonomisë dy muaj më parë, një nga prioritetet e mia ishte vendosja e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet institucionit të KLSH-së dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës dhe sot jam shumë i lumtur që po nënshkruajmë marrëveshjen e parë të bashkëpunimit, si dhe po realizojmë një nga objektivat tanë të rëndësishëm në fushat e auditimit për të dyja palët”.
Gjithashtu Kryetari Leskaj, shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e tij për homologun Olofsson , si një personalitet i auditimit të financave publike , i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në monitorimin e vlerësimin institucionit të KLSH-së , në kuadër të mbështetjes së ofruar nga misioni vlerësues i SIGMA-s.
Nga ana e tij zoti Olofsson shprehu konsideratën tij për nënshkrimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme, si dhe shprehu dëshirën dhe në emër të trupës së auditorëve të Kosovës për startimin e implementimit të menjëhershëm të saj, ku të dyja palët do të përfitonin nga eksperiencat e tyre.
Gjithashtu, Z. Olofsson vlerësoi vizionin e ri të KLSH dhe punën që po zhvillohet në këtë institucion për përmirësimin e cilësisë së auditimeve financiare dhe për thellimin e vëmendjes ndaj auditimit të performancës, duke kërkuar një bashkëpunim të gjerë me institucionet e tjera të shtetit që luftojnë korrupsionin. Ai dha këshilla shumë të vyera për drejtimet e kooperimit ndërkombëtar të KLSH dhe u shpreh i gatshëm të vijojë me nisma konkrete bashkëpunimin e nisur.