Kontrolli i Lartë i Shtetit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Zhvillimit Ekonomik të Qëndrueshëm (SEDA)
Nisur nga interesi publik për ngritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore dhe menaxhimin sa më të mirë të fondeve publike, në datën 8 shtator 2018, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet KLSH-së, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm znj. Luljeta Nano dhe Agjencisë për Zhvillim Ekonomik të Qëndrueshëm ( SEDA ) përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv z. Genc Myftiu.
Në përputhje me vizionin, misionin e saj, në vitet e fundit në KLSH ka realizuar një reformë te madhe në drejtim të përmirësimit të cilësisë së punës audituese dhe rritjes së forcës rekomanduese. Kjo reformë është realizuar duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare si dhe në zbatim të standardeve ndërkombëtare të auditimit ISSAI.
Mbështetur në ISSAI 12, “Vlerat dhe Dobitë e SAI-ve - sjellja e ndryshimeve në jetën e qytetarëve”: “SAI-et promovojnë eficiencën, përgjegjshmërinë, efektivitetin dhe transparencën e administratës publike. Një SAI i pavarur, efektiv dhe i besueshëm është një komponent thelbësor në një sistem demokratik, ku përgjegjshmëria, transparenca dhe integriteti janë pjesë e domosdoshme e një demokracie të qëndrueshme”.
Kjo Marrëveshje do të lehtësojë vendosjen e marrëdhënieve ndërinstitucionale për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të palëve, me synim komunikimin dhe shkëmbimin e të dhënave që lidhen me fushat me interes të përbashkët, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.