KLSH dhe Integrimi Urban nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi
Në datën 1 tetor 2015, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH-së dhe organizatës jo-fitim prurëse “Integrimit Urban”, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv i saj, z.Artur Çani.
KLSH, gjatë viteve të fundit ka vendosur një raport të ri bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë qenë mbështetje për veprimtarinë audituese të KLSH-së.
Në këtë linjë u nënshkrua edhe marrëveshja me organizatën “Integrimi Urban”, nëpërmjet së cilës KLSH do të angazhohet për shkëmbimin e të dhënave me interes reciprok, duke hapur edhe një dritare tjetër komunikimi me publikun me qëllim rritjen e transparencës dhe modernizimin e institucionit. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të krijohet mundësia e shfrytëzimit të të dhënave të ndryshme të publikuara nga “Integrimi Urban”, të cilat mund të shërbejnë si indicie për fillimin e auditimeve nga ana e KLSH-së.
Kryetari i KLSH-së nënvizoi faktin që kjo marrëveshje kontribuon në forcimin e institucionit, në rritjen e transparencës së veprimtarisë së tij audituese me qëllim përmirësimin e qeverisjes, duke luftuar korrupsionin.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe nga z. Artur Çani, Drejtor Ekzekutiv i organizatës “Integrimit Urban”.
Zoti Çani vlerësoi bashkëpunimin me KLSH, qasjen e re që ka KLSH ndaj Shoqërisë Civile dhe veçanërisht transparencën e këtij institucioni, i cili i ka dyert e hapura për gazetarët dhe për qytetarët, duke vënë në dispozicion të tyre informacionin e kërkuar.
Zoti Çani, theksoi faktin që KLSH është një nga institucionet e pakta që ka besueshmëri dhe impakt pozitiv tek qytetarët, duke sensibiluar opinioin publik për gjetjet e auditimeve të realizuara.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje morën pjesë Drejtues dhe auditues të KLSH-së.