KLSH merr pjesë në takimin e zhvilluar në Hungari mbi “Rolin e SAI-ve në luftën korrupsionit”
16.10.2017
Në datat 5-13 tetor 2017 u zhvillua në Budapest takimi për programin antikorrupsion, iniciuar nga Iniciativa për Zhvillim e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, INTOSAI, në të cilin morën pjesë më shumë se njëzet ekspertë nga dhjetë vende të ndryshme.
Qëllimi i programit të Iniciativës Ndërkombëtare për Zhvillim, IDI, i titulluar “Roli i SAI-ve në luftën kundër korrupsionit” është në mbështetje të përpjekjeve të institucioneve anëtare për të prezantuar qasjen e bazuar në integritet në luftën kundër korrupsionit.
Në kuadër të këtij programi, ekspertët nga SAI-t e Shqipërisë, Gjeorgjisë, Xhamajkës, Ishujve Kajman, Kazakistanit, Liberisë, Sierra Leones, Tanzanisë dhe Zambias diskutuan për mënyrën dhe zhvillimin e mjeteve në dispozicion të institucioneve përkatëse për të luftuar korrupsionin.
Në këtë takim vendet pjesëmarrëse paraqitën punën e SAI-ve respektive në kuadër të luftës kundër korrupsionit si dhe diskutuan mbi planet e auditimit të ndërrmara në lidhje me këtë problematikë.
Planet e të gjithë pjesëmarrësve iu nënshtruan procedurës Peer Review gjatë të cilës grupet e punës të ngritura nga audituesit pjesëmarrës në takim shqyrtuan përputhshmërinë e planeve të auditimit me standardet ndërkombëtare. Në përfundim të kësaj procedure çdo grup dha rekomandimet për përmirësimin e planit të auditimit të cilin kishte shqyrtuar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë takim nga z. Artur Hasanbelliu, Drejtor Drejtorie, z. Emiliano Doko dhe z. Flavio Xhuveli, juristë. Përfaqësuesit e KLSH prezantuan draft planin e auditimit të performancës me temë “Efektiviteti i Strategjisë Kombëtare antikorrupsion”.
Në vijim të kësaj iniciative do të zhvillohet një kurs on line në të cilin do të diskutohet për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen për finalizimin e këtij auditimi performance.