Kontrolli i Lartë i Shtetit organizon takimin e 15 të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimet e Mjedisit
20.10.2017
Në datat 17-20 tetor 2017 Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi takimin e 15-të të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimet e Mjedisit(WGEA). Temat kryesore të aktivitetit ishin “Auditimi i përdorimit të tokës dhe zhvillimi” dhe “Si mund të përdoren të dhënat në auditimet e mjedisit?”
Në fjalën e çeljes së takimit, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj theksoi se: Auditimi mjedisor është sot një aktivitet qendror në shumë nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t) në mbarë botën. Nga të dhënat e performancës së SAI-ve, në Evropë kryhen rreth 90-të të tilla çdo vit. Këto auditime kanë një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e menaxhimit të mjedisit nga shumë qeveri evropiane dhe lidhen drejtpërdrejt me rezultatet pozitive të arritura në ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit. Auditimet e përbashkëta dhe të mirë-koordinuara mbi pasojat nga ndryshimi i klimës, mbi menaxhimin e burimeve natyrore dhe menaxhimin e ekosistemeve do të na lejojnë ne SAI-ve anëtare që të sinergjizojmë përpjekjet tona dhe të forcojmë mesazhet ndaj qeverive përkatëse.
Duke treguar pasojat për qytetarët evropianë, auditimet mjedisore në shumë SAI të kontinentit kanë arritur të rrisin ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore mes qytetarëve dhe qeverive. Ndërlidhja e pasojave të degradimit mjedisor me çështjet e shëndetit publik ka mundësuar të ngrihen kauza mjedisore, aty ku menaxhimi i dobët rrezikon të ketë pasoja serioze për qytetarët, siç janë siguria e ushqimit, uji i pijshëm dhe ndotja e ajrit.
KLSH, pavarësisht se është një institucion i vogël auditimi, në rrugën e modernizimit të aktivitetit auditues dhe arritjes së plotë të zbatimit të Standardeve ISSAI, si edhe për faktin që është pjesë e WGEA qysh në vitin 2013, ka kryer në katër vjet disa auditime mjedisore të rëndësishme.
Si SAI anëtar i Grupit të Punës së Auditimit Mjedisor, të ardhmen e auditimeve mjedisore në vendin tonë, në rajon dhe në gjithë kontinentin evropian e shohim me optimizëm. Jemi të sigurtë se për periudhën 2018-2020, Grupi do të vijojë me auditimet e përbashkëta të zhvilluara edhe gjatë këtij viti, si Auditimi për Eficiencën e Energjisë në Ndërtesat Publike (i bashkë-drejtuar nga SAI-t e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë), Auditimi i Zbatimit të Marrëveshjeve Shumëpalëshe të Mjedisit mbi Ndotjen e Ajrit (i bashkë- drejtuar nga SAI-t e Holandës dhe NIK-u polak), Auditimi i Zonave Mesdhetare Detare të Mbrojtura (i bashkë-drejtuar nga SAI-t e Qipros dhe Maltës), etj.
Në këtë aktivitet u paraqitën rreth 25 punime, në të cilat u theksua që përdorimi i tokës përfshin menaxhimin dhe modifikimin e ambientit natyror, çka ndikon në jetën e njerëzve por edhe të faunës. Shkaqet që shkaktojnë degradimin e tokës janë: rritja e kërkesës për ndërtimin e banesave, infrastrukturës dhe objekteve që lidhen me ekonominë dhe industrinë; rritja e kërkesës për përdorimin e tokës për qëllime bujqësore; rritja e kërkesës për bioenergji, të cilat përfshijnë produkte që rrjedhin nga lëndët drusore dhe drithërat. Nga menaxhimi i gabuar i tokës konstatohet degradimi i ekosistemeve dhe rikuperimi e kthimi i tyre në gjendjen e mëparshme dhe kjo i detyron qeveritë të hartojnë politika të cilat në shumë raste nuk janë të mirë studiuara, me kosto shumë të larta dhe impakti i tyre nuk arrin qëllimin e paracaktuar për mbrojten e ambientit.
Auditimi i këtyre politikave nëpërmjet njohjes së thelluar të çështjeve që lidhen me përdorimin e tokës, pasojat që sjellin politikat e gabuara të hartuara nga qeveritë, i vendos SAI-et para sfidave për të qenë koherente dhe avant-garde në rekomandimet që dalin nga auditimet e kryera në këtë fushë. Përdorimi i studimeve të kryera në këtë fushë dhe bashkëpunimi me ekspertë të jashtëm të cilët kanë njohuri për pasojat qe sjell keq menaxhimi i tokës i ndihmon SAI-et të jenë konkrete në dhënien e rekomandimeve për minimizimin e ndotjes, erozionit, degradimit të tokës dhe shfrytëzimit të pastudiuar të saj.
Auditimi i mjedisit është tepër specifik, ndaj audituesit që kryejnë këtë auditim që në fazën e planifikimit deri në hartimin e raportit përfundimtar dhe të rekomandimeve konkrete duhet të mbështeten në të dhënat që marrin nga burime të ndryshme. Në përdorimin e të dhënave që audituesit marrin dhe përdorin ne auditimet e mjedisit duhet të mbajnë parasysh impaktin që këto të dhëna kanë në punën e tyre audituese, nëse grupi i auditimit i ka kapacitetet dhe ekspertizën e duhur për të analizuar dhe përdorur të dhënat e marra dhe nëse të dhënat mbulojnë të gjitha fushat që do të auditohen. Në përdorimin e të dhënave të marra nga burime të ndryshme, SAI-t duhet të sigurohen që këto janë relevante, të sakta dhe të besueshme.
Seminari trajnues i dedikuar për të Dhënat dhe Analizat në Auditimin e Mjedisit shërbeu si një platformë e shkëlqyer për shkëmbimin e eksperiencave të përfaqësuesve të SAI-eve pjesëmarrëse në nxjerrjen e të dhënave, përpunimin e tyre dhe përdorimin e burimeve inovative të të dhënave.
Në këtë takim morën pjesë rreth 75 përfaqësues të 26 SAI-ve : Gjykatës Evropiane të Audituesve dhe SAI-eve të Belgjikës, Bullgarisë, Çekisë, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Francës, Greqisë, Holandës, Hungarisë, Indonezisë, Kinës, Kuvajtit, Letonisë, Lituanisë, Portugalisë, Maqedonisë, Maltës, Qipros, Sllovenisë, Sllovakisë, Spanjës, Suedisë, Shqipërisë, Zvicrës dhe Ukrainës. Ky grup pune ka në përbërjen e tij 42 anëtare dhe është krijuar ne vitin 1999 në Kongresin e IV-t të EUROSAI-t. Qëllimi i këtij grupi është promovimi i frymës së bashkëpunimit bazuar në integritet, komunikim të hapur dhe përsosmëri profesionale. Kjo synohet të arrihet nëpërmjet inkurajimit dhe mbështetjes së bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimit dhe ndarjes së eksperiencës së mirë midis SAI-eve.
Gjatë ditëve të zhvillimit të aktivitetit, Kryetari i KLSH-së zhvilloi takime me drejtues të shumë delegacioneve pjesëmarrëse, si me Presidentin e SAI-t të Sllovakisë, z.Karol Mitrik, me të cilin u ra dakort që të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje bashkëpunimi.
Një takim pune dhe miqësor, Kryetari Leskaj zhvilloi edhe me delegacionin e Kuvajtit të përbërë nga : z. Adel Alkoot, Menaxher, zj.Fajer Alotajbi dhe zj. Rania Alojari, audituese.
Gjatë takimit u ra dakort për zhvillim e Konferencës së gjashtë vjetore shkencore të KLSH-së në Kuvajt në datat 9-11 prill 2018, në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar nga të dy SAI-t në mars të vitit 2017 në Tiranë. Konferenca do të trajtojë temën “Auditimi – bazuar në risk”, në të cilën janë ftuar të marrin pjesë Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë.
Zoti Leskaj takoi gjithashtu përfaqësues të SAI- të Estonisë, Qipros, Cekisë, Greqisë
Raporti i takimit të 15-të vjetor të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimet e Mjedisit.
Falenderime nga SAI-t pjesëmarrëse për organizimin e takimit të 15-të të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimet e Mjedisit(WGEA).
Zyra Kombëtare e Auditimit e Estonisë.
Zyra Supreme e Auditimit të Sllovakisë