Njoftime

Audituesit e KLSH-së, vizitë pune në Kosovë

06.11.2017

Në kuadër të auditimit të performancës që po ndërmerr Kontrolli i Lartë i Shtetit, me temë ‘Unifikimi i pikave doganore të Shqipërisë me Kosovën, grupi i auditimit i përbërë nga audituesit z.Sali Agaj, z.Redi Ametllari dhe eksperti i jashtëm, z.Alfred Cako zhvilluan një vizitë pune në Kosovë. Ndalesat e grupit të auditimit ishin Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, Oda Ekonomike, Dogana dhe Ministria e Financave të Kosovës.

Risia që solli kjo vizitë konsiston në faktin se zgjeroi grupin e palëve të interesit për KLSH, me përfshirjen e bizneseve dhe organizatave të Kosovës.
Në datën 31 tetor, grupi i auditimit zhvilloi një takim me Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, z. Safet Gërxhalliu, i cili na njohu në hollësi mbi karakterin e marrëdhënieve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ekonomitë e Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë konkurrente, theksoi ai, por kanë avantazhin që të jenë përplotësuese të njëra-tjetrës. Persa i perket bashkimit doganor,  z. Gërxhaliu theksoi se nuk mund të realizohet në një interval kohor të afërt sipas dëshirave tona, kur nuk ka harmonizim të legjislacionit duke numëruar me tej një sërë sfidash të tjera.

I pyetur për ekzistencën e Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë në Kosovë, tha se Oda ka përgatitur për Ministrinë e Financave një Udhëzim Administrativ për “tregtarët me besueshmëri” të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore.

Në vazhdën e bashkëbisedimit, Kryetari Gërxhalliu e informoi grupin e auditimit me rezultatet paraprake të një anketimi që ka ndërmarr Oda për bizneset e përfshira në tregtinë Shqipëri-Kosovë, nga ku ka rezultuar se bizneset ndeshen me barriera burokratike në doganat shqiptare. Ai propozon ngritjen e një e-border për të eliminuar subjektivitetin e letrat dhe së dyti ofrimin e një green-card për bizneset që marrin kredibilitetin nga Shqipëria dhe Kosova, në mënyrë që të përfitojnë një trajtim pa barriera në qarkullimin e mallrave.

Duke falenderuar KLSH-në për realizimin e këtij auditimi të vlefshëm për dy vendet tona, në përfundim të takimit Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës propozoi zhvillimin e një Konference të përbashkët, për nxitjen e shkëmbimeve tregtare, me përfaqësues të bizneseve, doganave të të dy vendeve si dhe me pjesëmarrjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.
Gjithashtu po me datën 31 tetor, grupi i auditimit zhvilloi takim në zyrën qendrore të Doganës së Kosovës, ku u prit në një takim nga Nëndrejtori i Përgjithshëm, z.Bajram Rexhaj, Drejtor i Sektorit të sistemit IT doganor, z. Besim Lushta, Drejtor i pikës doganore të Prizrenit, z. Besim Curri,  Drejtor Operativ dhe i Kufirit z.Fahri Lusha, Drejtore e Auditimit të Brendshëm të Doganave, znj.Naile Hoti.
 
Në kontekstin e unifikimit të pikave doganore shtruam pyetjen nëse ekziston një përvojë e mirë e Kosovës në menaxhimin e integruar të kufirit me shtete të tjera fqinje. Zyrtarët e Doganës së Kosovës u shprehën se në kuadër të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është realizuar unifikimi i 6 pikave ekzistuese doganore me Serbinë, nga të cilat 4 janë për kalimin e mallrave ndërsa 2 operojnë për kalimin e pasagjerëve. Megjithatë, për shkak të ndasive midis dy vendeve, ky unifikimi sipas zyrtarëve kosovarë nuk është implementuar në masën 100%.

Në rrjedhën e bashkëbisedimit u prekën një sërë çështjesh konkrete në rrafshin e bashkëpunimit të deritanishëm me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganës. Zyrtarët e Kosovës theksuan se bashkëpunimi është në nivele të kënaqshme pasi të dy doganat janë të ndërlidhura në sistemin Assycuda World dhe mund të aksesojnë të dhënat e njëri tjetrit duke bërë që shkëmbimi i informacionit bëhet në kohë reale pa pengesa. Një tjetër  arritje e suksesshme është krijimi i tranzitit të përbashkët, ku për Kosovën aplikohet formulari T2.

Në kuadër të krijimit të lehtësirave doganore për bizneset, grupi i auditimit e pyeti nëndrejtorin e përgjithshëm të Doganës nëse në Kosovë parashikohet të aplikohet sistemi “Single Window” në dogana, e cila do t’i mundësonte biznesit dorëzimin elektronik të dokumentacionit, që do të ishte i aksesueshëm po elektronikisht, jo vetëm nga doganat, por nga një sërë institucionesh të tjera, përfshirë bankat. Z.Bajram Rexhaj na informoi se qeveria e Kosovës e ka parashikuar në strategjinë e qeverisjes implementimin e platformës Single Window dhe se vitin e ardhshëm Kosova do të fillojë përgatitjet për aplikimin e këtij sistemi.

Në përfundim të takimit, grupi i auditimi i dorëzoi një pyetësor Doganës së Kosovës. Nga ana e tyre, zyrtarët e Kosovës shprehën mbështetjen e tyre për auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe mirënjohjen për vëmendjen që KLSH po i kushton kësaj çështjeje komplekse.

Në datën 2 nëntor, grupi i auditimit zhvilloi një takim në Ministrinë e Financave të Kosovës me Sekretarin e Përgjithshëm, z. Naim Baftiu dhe Drejtorin e Politikave Makroekonomike, z.Bexhet Haliti. Në përgjithësi, zyrtarët e Kosovës u shprehën se tregtia midis Shqipërisë dhe Kosovës ka shënuar rritje. Një meritë të veçantë në rritjen e fluksit tregtar ka “Rruga e Kombit”, ku para ndërtimit të kësaj rruge, qarkullonin 25-38 maune në ditë ndërsa me ndërtimin e Rrugës së Kombit qarkullojnë  rreth 500 maune në ditë.

Bazuar në  pyetjet dhe nënpyetjet e auditimit të performancës  me temë “Unifikimi i Pikave Doganore të Shqipërisë me Kosovën”, grup i auditimit diskutoi me zyrtarët e lartë të Ministrisë së Financave mbi masat konkrete që janë marrë, në rrafshin teknik, ligjor dhe të harmonizimit të politikave fiskale në drejtim të unifikimit doganor me Shqipërisë.
Në përfundim të takimit, grupi i auditimit i dorëzoi një pyetësor edhe zyrtarëve të Ministrisë së Financave, të cilët gjithashtu shprehën mbështetjen e tyre për auditimin që po ndërmerr Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe për përgatitjen e përgjigjeve të pyetësorit në një kohë sa më të shkurtër.

Në datën 31 tetor dhe 1 nëntor, grupi i auditimit zhvilloi respektivisht dy takime në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, ku u prit nga Auditori i Përgjithshëm, z.Besnik Osmani, nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, përgjegjëse për auditimet e performancës, znj.Vlora Mehmeti, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazlliu dhe udhëheqësin e ekipit të auditimit në sektorin e doganave, z.Blerim Kabashi. Gjatë këtyre i njohëm përfaqësuesit e ZKA-së në vija të përgjithshme mbi drejtimit kryesore të auditimit si dhe mbi konstatimet e deritanishme të grupit auditues. Qëllimi ishte marrja e një feedbacku prej tyre apo ndonjë propozimi që e konsideronin të rëndësishëm për këtë temë, si njohës të mirëfilltë të institucioneve të Kosovës.

kosova6

Auditori i Përgjithshëm, z.Besnik Osmani e konsideroi me vlerë të veçantë temën e auditimit, ndonëse vuri në dukje kompleksitetin që mbart kjo temë, për shkak se prek dimensione të ndryshme, jo vetëm institucionale, por edhe politikike dhe ekonomike. Ai shprehu mbështetjen e ZKA-së për këtë auditim.

Më pas takimi u zhvendos në zyrat e Divizonit të Performancës, ku bashkë me kolegët tanë biseduam më gjerë mbi auditimet e performancës që po kryen nga ZKA-ja,  në kuadër të shkëmbimit të mendimeve dhe eksperiencës. Diskutimi ishte po aq miqësor sa dhe profesional.