Njoftime

Auditues të KLSH marrin pjesë në një vizitë studimore në Gjykatën Holandeze të Auditimit

23.01.2018

Në kuadër të projektit IPA “Forcimi i kapaciteteve të auditimit të jashtëm”, 11 auditues dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Rinald Muça, zhvilluan një vizitë studimore në Gjykatën Holandeze të Auditimit (NCA). Qëllimi i vizitës studimore ishte njohja me “Auditimin e Performancës dhe IntoSAINT”.

Gjykata Holandeze e Auditimit(NCA) është themeluar në vitin 1816 dhe me këtë eksperiencë 200 vjeçare është rreshtuar ndër radhët e SAI-ve më të zhvilluara të Europës, duke asistuar SAI të ndryshëm anembanë botës në zhvillimin e kapaciteteve audituese. KLSH dhe NCA kanë kultivuar një traditë të suksesshme bashkëpunimi nën moton e INTOSAI-t “Experentia Mutua Omnibus Prodest”, duke zhvilluar një auditim performance pilot të përbashkët mbi performancën e Departamentit të Administratës Publike, ndërsa për vitin 2018 do të zhvillojnë një tjetër auditim të përbashkët.

hperf1

Auditimi i Jashtëm në Holandë është i ndarë në dy nivele, në nivelin lokal që mbulohet nga Zyrat Lokale të Auditimit dhe në nivel qendror, të cilin e mbulon Gjykata Holandeze e Auditimit. SAI Holandez, i themeluar si gjykatë, në rrjedhën e historisë së saj ka pësuar disa reformime duke u strukturuar si një Zyrë Auditimi, pa pasur juridiksionin dhe kompetencat e një gjykate. Megjithatë, emri Gjykata Holandeze e Auditimit synon të përcjellë historikun dhe vlerat e saj si Institucion Suprem që jo vetëm i ka rezistuar kohës, por është përshtatur për të adresuar sfidat e reja në funksion të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë në sektorin publik.

Ndërkaq, sa i përket auditimit të performancës në NCA-në holandeze, ai përbën mbi 50% të numrit të auditimeve të kryera gjithsej nga ky SAI. Kjo tregon, nga një anë, rëndësinë që mbart auditimi i performancës midis auditimeve të tjera dhe, nga ana tjetër, nevojën që kanë shoqëria, politikë-bërësit, qytetarët dhe palët e tjera në kryerjen e auditimeve të performancës. KLSH dhe departamenti i auditimit të performancës po reflektojnë gjithnjë e më shumë këtë qasje duke shtuar numrin e auditimeve (për vitin 2018 janë parashikuar plot 20 të tilla), duke rritur cilësinë e tyre dhe duke forcuar impaktin për të përmirësuar sektorin publik.

Në ditën e parë të vizitës studimore, audituesit e KLSH-së u pritën nga znj.  Ina Hopman, Koordinatore e Politikave dhe z.Jan Van Dam, Menaxher i Projekteve Ndërkombëtare në SAI Holandez. Zonja Hopman i njohu pjesëmarrësit nga KLSH me historinë dhe kulturën holandeze në përgjithësi për të vijuar me një paraqitje panoramike të strukturës së SAI-t Hollandez. Me një buxhet vjetor prej 29 milionë eurosh dhe me 150 auditues, Gjykata Holandeze e Auditimit ka në themel të filozofisë së punës së saj inovacionin, si vlerë e shtuar për të ofruar një këndvështrim të ri në çdo aspekt të punës audituese. Burimet njerëzore shfaqen me tipare të veçanta në SAI-n Holandez pasi nuk punësohen si auditues vetëm juristë dhe ekonomistë, por edhe profesionistë të fushave të tjera si gjeografë, inxhinierë, madje dhe mjekë. Në rrafshin e raportimit, të llogaridhënies së vetë institucionit, të gjitha shpenzimet e SAI-t Holandez, përfshirë edhe ato për pritjen e përfaqësuesve të KLSH, publikohen online në faqen elektronike të saj. Një tjetër metodë raportimi është dhe përdorimi i letrave të menaxhimit, të cilat përfaqësojnë një format ekstrakti të auditimit, me gjetjet kryesore, që i adresohen një ministri apo vetë Parlamentit për të tërhequr vëmendjen e politik-bërësve mbi probleme specifike të zbuluara gjatë auditimit.

Më tej, takimi i ditës së parë nisi me prezantimin e standardeve të auditimit, konkretisht ISSAI 300 mbi parimet themelore të Auditimit të Performancës nga z. Jan Van Dam. Në këtë leksion , z.Jan Van Dam, bëri një prezantim të ciklit auditues që ndjek auditimi i performancës, duke e cilësuar këtë lloj auditimi si një vlerë të shtuar në punën e SAI-t, i cili reflekton më së miri ISSAI 12 “Dobia dhe Vlera e SAI-ve: Të sjellësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”. Një fokus të veçantë gjatë këtij leksioni iu kushtua tre qasjeve të auditimit të performancës: orientuar nga sistemi, orientuar nga problemi dhe orientuar nga rezultati, si veçori që pasqyrojnë karakterin fleksibël dhe të gjerë të këtij auditimi.

Dita e dytë nisi me një prezantim praktik të auditimeve të performancës të realizuara nga Gjykata Holandeze e Auditimit, me lektore audituesen e lartë znj. Marlies Alberts. Ky auditim performance ishte përqendruar mbi përgjegjësitë e pushtetit qendror për ndërtesat e shkollave në Holandë, duke përfshirë kapacitetin mbajtës të ndërtesave, numrin e nxënësve, vjetërsinë e ndërtesave, paratë e investuara për rehabilitim etj, si dhe bashkëpunimin me pushtetin lokal dhe bordet e shkollave. Znj. Alberts theksoi se ky auditim mori një vëmendje të madhe mediatike dhe pati një impakt të drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve mësimore për nxënësit holandezë. Me këtë rast, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit ndanë me kolegët holandezë edhe gjetjet e një auditimi me të njëjtën temë të kryer nga KLSH këtë vit mbi cilësinë e godinave shkollore parauniversitare.

Një tjetër temë e rëndësishme e ditës së dytë ishte faza e përgatitjes dhe planifikimit të një auditimi konkret. Audituesve të KLSH-së iu shpërnda një material leximi mbi çështjen e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri dhe, duke u ndarë në disa grupe sipas qasjeve, duhej të hartonin një projekt-ide se çfarë teme auditimi do t’i propozonin Kryetarit, shoqëruar me argumentet dhe kriteret përkatëse. Të ndarë në 4 grupe, audituesit e KLSH-së hartuan projekt-idenë bazuar në kërkesat e SAI-t Holandez duke specifikuar edhe subjektet e përfshira në auditim. Kështu, së bashku me kolegët holandezë u ndërmor një auditim pilot në miniaturë i cili nxori në pah metodologjitë audituese që ndjekin të dyja SAI-t, si Kontrolli i Lartë i Shteti ashtu edhe NCA.

hperf2 hperf3

Dita e tretë e takimit nisi me një program auditimi tanimë të realizuar nga audituesit e KLSH-së për t’u përfshirë në fazën tjetër të auditimit, punën në terren, ku një fokus i veçantë iu kushtua mbledhjes dhe vlerësimit të informacionit dhe evidencave. Si metodologji inovative për mbledhjen dhe vlerësimin e informacioneve dhe evidencave, Audituesi i Lartë, z.Rudi Turksema prezantoi temën “Analiza e të dhënave në NCA”. Sipas tij, përdorimi i të dhënave sjell konceptin e “audituesit nga shtëpia”, që nënkupton se çdo qytetar mund të aksesojë të dhënat e një institucioni përmes një klikimi. Zoti Turksema i informoi audituesit e KLSH-së mbi një aktivitet të quajtur “Accountability Hack”, të organizuar nga Gjykata Holandeze e Auditimit ku 130 programues u mblodhën në Dhomën e Ulët të Parlamentit Holandez për të sistemuar një grup të dhënash në një strukturë logjike, e cila gjeneron informacion mbi efiçiencën dhe efektivitetin e politikave dhe shpenzimeve. 

hperf5 hperf6

Dita e tretë vijoi me temën e raportimit të auditimit, ku sërish të ndarë në grupe, përfaqësuesit e  KLSH-së u ftuan të prezantonin mjetet që përdor KLSH-ja, përpos kanaleve tradicionale zyrtare, në raportimin e gjetjeve tek qytetarët. Politika “Audituesit në shtypin e përditshëm” që ndjek KLSH për të prezantuar gjetjet audituese drejtpërdrejt tek qytetari, përmes artikujve të nënshkruar nga vetë audituesit, u vlerësua  inovative nga audituesit e Gjykatës Holandeze të Auditimit. Po aq interes solli edhe “Muaji i Hapur për Qytetarët”, që u cilësua një praktikë e mirë në funksion të një transparence dhe llogaridhënieje të drejtpërdrejt ndaj qytetarëve.

Në ditën e katërt, IntoSAINT dhe auditimi i integritetit mori një fokus të veçantë në këtë vizitë të KLSH-së në Gjykatën Holandeze të Llogarive. Kjo temë u prezantua nga znj. Ina De Haan, audituese e Lartë në NCA dhe një personalitet i shquar në INTOSAI, me meritë të veçantë në ngritjen e projektit të IntoSAINT-it. Znj. Ina De Haan theksoi se integriteti i një institucioni përbëhet nga dy faqe të së njëjtës medalje: lufta ndaj korrupsionit dhe promovimi i integritetit. Audituesja e Lartë, znj. Ina De Haan i njohu audituesit e  KLSH-së me një auditim integriteti të ndërmarrë në institucionet holandeze, ku u anketuan rreth 17.000 nëpunës civilë. Rezultati i auditimi krijoi një hartë të institucioneve që kishin dobësi dhe ishin më të predispozuara kah korrupsioni dhe mashtrimi, për shkak se kodi dhe rregullat etike kishin mbetur në letër.

Duke iu referuar Raportit të Transparency International të vitit 2016 mbi Sistemin Kombëtar të Integritetit, Znj.Ina De Haan vlerësoi punën e KLSH-së që sipas saj po udhëheq sipas shembullit duke u renditur bashkë me Avokatin e Popullit në një nga institucionet me performancën më të mirë në forcimin e integritetit kombëtar, duke  përçuar kështu frymën e besimit tek qytetarët shqiptarë.

Në ditën e pestë, grupi i KLSH-së u njoh me temën Kontrolli dhe Sigurimi i Cilësisë, si etapa përmbyllëse e një auditimi, prezantuar nga z.Erik Izrael. Në këtë leksion, z.Izrael theksoi rëndësinë që ka bërja e dallimit midis kontrollit të cilësisë dhe sigurimit të cilësisë, duke vënë në pah se e para nis qysh në planifikim dhe përgjatë gjithë auditimit, ndërsa e dyta vjen si një etapë post-auditimi. Me këtë rast, audituesit e KLSH-së e njohën z.Erik Izrael me sistemin e kontrollit dhe sigurimit të cilësisë në Kontrollin e Lartë të Shtetit, një sistem i ngjashëm me SAI-n Holandez, si kontroll brenda përgjegjësive hierarkike nga grupi auditues deri tek drejtori për të kaluar më tej në sigurim cilësie realizuar nga një departament i veçantë për këtë qëllim.

Me rastin e vizitës studimore, përfaqësuesit e KLSH-së vizituan Muzeun Van Gogh në Amsterdam dhe Muzeun “Mauritius” në Hagë, ku ekspozohen disa nga kryeveprat botërore si “Vajza me vëth perle” e Johannes Vermeer.

Në këtë aktivitet morën pjesë Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës z. Rinald Muça, Kryeaudituesit z. Gjovalin Preçi dhe z. Aulent Guri dhe audituesit z. Sali Agaj, z. Alfred Zylfi, znj. Elfrida Agolli, znj. Xhuljeta Çelaj, znj. Elira Elezi, z. Alfred Leskaj, z. Redi Ametllari, z. Dorel Balliu dhe z. Klejvis Kule.