Njoftime

KLSH nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

26.02.2018

Në datën 26 shkurt, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr. Bujar Leskaj dhe Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof.As.Dr.Nexhmedin Dumani nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi në ambientet e këtij universiteti.

Marrëveshja vjen në kuadër të interesit të përbashkët për të bashkëpunuar në rritjen e kapaciteteve dhe njohurive profesionale të stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në njërën anë, si dhe në zhvillimin e kurrikulave dhe mendimit shkencore të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, në anën tjetër, përmes kontributit që ofron KLSH-ja si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili ndihmon në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike nga Qeveria dhe entet e tjera publike nëpërmjet auditimit.

Duke vlerësuar këtë marrëveshje bashkëpunimi, themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr.Anastas Angjeli, u shpreh se është një institucion i cili po aplikon elementët më bashkëkohorë të auditimit sipas standardeve europiane. “Futja e këtyre elementëve të rinj të auditimit është e nevojshme të përfshihet edhe në programet tona mësimore dhe kjo është arsyeja pse sot kemi Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe e shohim si mjaft të rëndësishme këtë marrëveshje bashkëpunimi”, u shpreh Prof.Dr. Anastas Angjeli.

Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj theksoi se marrëveshja e bashkëpunimit mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë,  do të gjejë zbatim konkret për të dyja palët dhe do të shtrihet në bashkëpunime në konferenca shkencore si dhe në dhënien e ekspertizës në fushën e auditimit. “Konferenca Shkencore, e organizuar çdo vit nga KLSH, do të jetë një pikëtakim i rëndësishëm për të zhvilluar bashkërisht mendimin shkencor në fusha të ndryshme të shkencave ekonomike. KLSH do të mirëpresë kontributin e akademikëve dhe pedagogëve në Revistën Shkencore “Auditimi Publik”.

Duke vlerësuar punën e bërë nga Universiteti Mesdhetar, si një Universitet i konsoliduar, me një eksperiencë tashmë 9 vjeçare dhe që diferencohet ndjeshëm në fushën e edukimit për shkak të cilësisë së pedagogëve dhe të cilësisë së studentëve që dalin nga ky Universitet. Kryetari Leskaj nënvizoi se ”..kjo marrëveshje do të zbatohet në praktikë duke ecur paralel me filozofinë e INTOSAI-t, e cila është kthyer edhe në filozofi të institucionit ”Nga eksperienca e përbashket përfitojnë të gjithë”. Nëpërmjet kësaj filozofie ne jemi të bindur se është vërtet e rëndësishme të shkëmbesh dhe të mësosh nga të tjerët, ndaj kjo marrëveshje do t’i shërbejëte të dy palëve”.