Njoftime

Departamenti i Performancës në KLSH zhvillon një leksion të hapur në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”

27.03.2018

Më datë 27 Mars, me ftesë të Dekanes së Fakultetit të Biznesit të Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisu”, Prof. As. Dr. Azeta Tartaraj, u organizua aktiviteti me temë “Auditimi i performancës dhe domosdoshmëria për njohje praktike të kësaj fushe” nën kujdesin e Dr. Arjeta Hallunovi dhe Dr. Ada Aliaj.

1 prill

Të ftuar në aktivitet për të referuar ishin Dr. Rinald Muça, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH, z. Redi Ametllari dhe z. Dorel Balliu, Auditues në këtë departament. Ky aktivitet u mendua për t’u realizuar nisur nga zhvillimet e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, përparësisë që mbartin në kuadrin ndërkombëtar auditimet e performancës, si edhe domosdoshmërisë për njohje praktike të kësaj fushe nga studentët, si një ndër objektivat e mësimdhënies në arsimin e lartë. Ky leksion kontribuoi në qartësimin e fokusit të një auditimi performance dhe veçorive të tij krahasuar me llojet e tjera të auditimeve publike.

Dekania e Fakultetit të Biznesit, Prof. As. Dr. Azeta Tartaraj, përshëndeti të ftuarit duke theksuar mundësinë për bashkëpunime të mëtejshme në aspektin praktik për studentët, por edhe për stafin akademik. Znj. Tartaraj vlerësoi rolin e KLSH-së jo vetëm në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik, por edhe për qasjen proaktive që ndjek përkundrejt universiteteve dhe veçanërisht studentëve. Në vazhdën e fjalës së saj, Dekania e Fakultetit të Biznesit vuri theksin në rëndësinë që ka prezenca e një institucioni si Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditorët e universiteteve, së pari në rrafshin e shkëmbimit të eksperiencavce dhe, së dyti, sepse vendos një standard të ri në raportin mes institucioneve shtetërore dhe publikut, sidomos  me studentët.

Në fjalën e tij, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH, Dr. Rinald Muça theksoi se ftesa që iu bë KLSH për t’iu adresuar trupës studentore në Universitetin e Durrësit vjen si një indikator i një reforme të rëndësishme të ndërmarrë në KLSH, që është hapja e institucionit kah auditorëve. Në këtë kuadër, Dr. Muça ftoi Departamentin e Financë-Kontabilitetit të Universitetit të Durrësit që të organizojnë praktikat studentore edhe pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit, për t’i përfshirë studentët në auditimet e KLSH-së.  Dr. Muça, në kumtesën e tij, i inkurajoi studentët që të shohin tek Kontrolli i Lartë i Shtetit një institucion jo të ngurtë, por fleksibël, që nuk ofron thjesht një karrierë, por një zhvillim të vazhdueshëm profesional. Më tej, ai  bëri një historik të shkurtër të krijimit të Departamentit  të Auditimit të Performancës në KLSH në vitin 2012, duke shquar dallimet që ekzistojnë mes auditimit të performancës dhe dy auditimeve klasike, atë të përputhshmërisë dhe atij financiar.

I pyetur nga studentët se cili ishte dallimi mes auditimeve të KLSH-së dhe një kompanie audituese, z. Muça u përgjigj se është “qytetari”. “Kontrolli i Lartëi Shtetit ka si ‘klient’ qytetarin shqiptar. Ne auditojmë në emër të qytetarëve shqiptarë dhe jemi shërbestarë të publikut. Auditimi i performancës ka hapur horizonte të reja në Kontrollin e Lartë të Shtetit, duke zgjeruar skeptrin e tematikave audituese për të sjellë një vlerë të shtuar edhe në fusha me karakter të theksuar social, që kanë qenë të paarritshme nga format e tjera të auditimit. Kështu, “zbarkimi” i KLSH-së edhe në fusha problematike që shqetësojnë shoqërinë shqiptare si çështja e ish-të përndjekurve politikë, për ndihmën ekonomike, etj., flasin për një zhvendosje të KLSH-së në krah të qytetarit, të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka vendosur në qendër të motos institucionale  “Auditimi, në shërbim të qytetarit”, përfundoi Dr. Muça. Referimi u ndoq me interes dhe kërshëri nga të gjithë të pranishmit, si dhe u shoqërua me pyetje-përgjigje të shumta mbi temën në fjalë.

Gjatë prezantimit të tij, audituesi z. Redi Ametllari nënvizoi ndryshimet që solli ligji i ri 154/2014, një ligj që e rithemeloi KLSH duke e ngritur në nivelin e simotrave europiane. Sipas tij, përpos aspekteve institucionale, ligji i ri hapi institucionin drejt auditorëve, studentëve, të rinjve të profesioneve të tjera si inxhinieria e ndërtimit, inxhinineria mjedisore  dhe IT-së, drejt literaturave e hulumtimeve universitare,  duke zgjeruar edhe palët e interesit. Z. Ametllari foli për auditimin e performancës, nga perspektiva e një të audituesi të ri: “Nëse do të vemë në plan të parë egon tonë, auditimi i performancës ka një të “keqe”,  që është se nuk të lejon vetëkënaqësinë apo thënë me gjuhën e popullit, të shesësh mend. Në auditimet e tjera, që janë më të konturuara, më të fiksuara,  shkon me idenë se “e di”. Pra, të qenit një kontabilist apo jurist merr dhe jep ose vepron mbi një kornizë të fiksuar. Por, në performancë, nuk kemi një kornizë, por imagjoni një skicë të cilës i duhet edhe pak histori, letërsi, pak altruizëm për t’i dhënë formë. Megjithatë, nëse do të vemë në plan të parë dijen, auditimi i performancës sjell një të mirë madhore: Diturinë”. Audituesi Redi Ametllari prezantoi, gjithashtu, auditimin e performancës mbi “Unifikimin e pikave doganore me Kosovën”, e cila u ndoq me mjaft interes nga pedagogët dhe studentët.

Në referimin e tij, Z. Dorel Balliu theksoi dhe veçoi disa nga aspektet pozitive të të qenurit një auditues performance në raport si me profesionet e tjera, ashtu edhe me tipet e tjera të auditimit. “Auditimi është mendërisht sfidues dhe stimulues; një auditues performance nuk resht kurrë së qeni krijues, së akumuluari dije dhe njohuri në të gjitha fushat, si dhe përfaqëson një shumëllojshmëri në përzgjedhjen e temave, ndarjen e detyrave dhe aplikimin e zotësive dhe ekspertizës”. Për t’u njohur me aspektin praktik të një auditimi performance, z. Balliu prezantoi atë mbi “Performancën e MASR në zhvillimin e sportit” dhe në mbyllje të leksionit, ftoi studentët të ndjekin “rrugëtimin e auditimit, si një element pasurues në karrierën profesionale të çdo individi.”

Audituesi z. Balliu i njohu pjesëmarrësit edhe me auditimin aktual të cilin po e zhvillon sëbashku me z. Muça, mbi performancën e arkivit të shtetit. Ai shfaqet si një auditim mjaft i rëndësishëm sa i përket ruajtjes së kujtesës kolektive të kombit shqiptar, i parë edhe në optikën e reformave në proces të këtyre muajve mbi rrjetin arkivor. Impakti i mundshëm i një reformimi të tillë do të vlerësohet nga KLSH me anë të këtij auditimi.

Gjatë aktivitetit pati shumë pyetje dhe diskutime nga studentët e vitit të tretë të degëve Financë - Bankë dhe Financë – Kontabilitet, si dhe anëtarët e departamentit të Financë - Kontabilitetit.