KLSH fton studentë të interesuar të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Programit të Internshipit 2018
03.04.2018
Kontrolli i Lartë i Shtetit është Institucioni Suprem i Auditimit në Republikën e Shqipërisë. Auditimi i jashtëm publik është i rregulluar përmes ligjit 154/2014 “ Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Si një institucion në modernizim e sipër, KLSH, do të hapë dyert për 12 praktikantë të cilët do të zhvillojnë pranë këtij institucioni praktikën mësimore (internship) 6-mujore, sipas modeleve anglo-saksone të marrëdhënies së para-punësimit, Universitet – Institucion Publik. Ky mësim i nxjerrë nga eksperienca e vendeve më të zhvilluara do të aplikohet në KLSH me qëllim ndihmesën e brezit të ri të studentëve më të përgatitur përpara një tregu pune dinamik, sfidues dhe të ngushtë.
Praktika do të zgjasë gjashtë muaj dhe do të zhvillohet në periudhat 20 prill 2018 – 30 korrik 2018 dhe 1 shtator 2018 – 15 nëntor 2018. Duke mundësuar që muaji gusht të jetë pushim për praktikantët. Praktikantët do të punojnë PA PAGESË pranë departamentit ku do të caktohen. Ndarja e 10 praktikantëve në departamente të ndryshme do të bëhet në një ekuilibër midis nevojave të institucionit dhe preferencës së tyre. Praktikantët do të kenë mundësi të punojnë dhe marrin eksperiencë të dorës së parë gjatë aktivitetit të tyre të përditshëm në KLSH. Në marrëveshje me eprorin ku do të caktohen, praktikantët mund të punojnë 3 – 6 orë çdo ditë. Secila prej palëve, KLSH apo studenti praktikant, mund të mbyllin bashkëpunimin para kohe, me një njoftim me shkrim një ditë pune përpara.