KLSH dhe gjashtë OJF nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi kundra korrupsionit.
10.01.2012
Më datën 23 Prill 2012, në ambientet e KLSH-së, u nënshkruan gjashtë marrëveshje bashkëpunimi mes KLSH-së dhe disa prej organizatave të pavarura (OJF) më të spikatura të vendit në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës, përkatësisht me lëvizjen “Alternativa Civile”, e drejtuar nga z. Mentor Kikia; me “Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë”, e drejtuar nga z. Sami Neza; me “Institutin e Studimeve Bashkëkohore”, i drejtuar nga z. Artan Hoxha, me “Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim”, i drejtuar nga z. Sotiraq Hroni; me “Transparency Internacional në Shqipëri”, drejtuar nga z. Lutfi Dervishi dhe me “Lëvizjen Evropiane Shqipëri”, drejtuar nga z. Gledis Gjipali.
Marrëveshjet lidhen nën moton e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të Larta të Auditimit, INTOSAI, “Experentia mutual ominibus prodest” (Eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve) dhe synojnë kontribute dhe aktivitete të përbashkëta të KLSH-së dhe shoqatave, si vrojtime, prognoza dhe studime të përbashkëta, pjesëmarrje reciproke në seminare, simpoziume, konferenca, në luftën kunder korrupsionit, mundësisht parandalimin e tij si dhe rritjen e transparencës së institucioneve publike.
Për KLSH-në është e vyer eksperienca dhe ekspertiza e organizatave të shoqërisë civile për realizimin e analizës se riskut në përzgjedhjen e auditimeve dhe kontrolleve te tij, si dhe në hartimin e rekomandimeve dhe raporteve për përmirësimin e performancës së institucioneve që auditon.
Marrëveshjet parashikojnë edhe mundësinë e shkrimit te projekteve të përbashkëta, apo aplikimit te tyre pranë donatoreve te interesuar, për forcimin real të luftës ndaj korrupsionit, luftë e cila mund te ketë sukses vetëm me punë të përbashkët ne sistem.