Njoftime

Zhvillohet Analiza Vjetore e Veprimtarisë së Departamentit të Kontrollit të Buxhetit Qëndror, Admnistratës së Lartë Publike, Kontrollit Financiar dhe Auditimit të Brendshëm.

16.01.2012

Më datë 16/01/2012, u zhvillua analiza vjetore e Departamentit të Kontrollit të Buxhetit Qendror, Administratës së Lartë Publike, Kontrollit Financiar dhe Auditimit të Brendshëm, ku morën pjesë  Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj dhe Drejtori i  Përgjithshëm z.Robert Gjini.
Është sinjifikativ fakti që për herë të parë, këto analiza departamentesh zhvillohen me praninë e përfaqësuesve të organeve të ndryshme mediatike, duke i dhënë një impakt akoma më transparent komunikimit institucional me entet mediatike në veçanti dhe publikun e gjerë.
Kryetari Leskaj në fjalën e tij pasi përshëndeti gazetarët e pranishëm dhe korpusin e kontrollorëve të këtij Departmenti, vuri theksin në faktin e rëndësishëm, se prania e medias në aktivitetet e ndryshme të KLSH-së kontribuon në rritjen e përgjegjësisë dhe efikasitetit në punë, si dhe transparencës sonë si një institucion i hapur dhe produktiv në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe atyre ligjore.
“Parë në këtë këndvështrim, KLSH duhet të heqi dorë nga praktika e zbulimeve hipotetike të korrupsionit, sepse në këtë mënyrë fshihet korrupsioni i vërtetë, dhe detyra jonë institucionale, vijoi zoti Leskaj, është të parandalojmë këto fenomene. Filozofia jonë është dhe duhet të jetë në shërbim të ngritjes profesionale, duke qenë më kreativ në veprimtarinë tonë”.
Gjithashtu, Kryetari Leskaj, tërhoqi vëmëndjen  se krahas subjekteve të ndryshme që janë kontrolluar dhe kontrollohen nga ana e këtij  Departamenti, një vëmëndje më e madhe duhet të fokusohet tek kontrollet e perfomancës dhe ato që lidhen  me punën dhe veprimtarinë e çështjeve sociale, sidomos përsa i përket sensibilitetit që ato mbartin për opinionin publik.
Në diskutimin e tij Drejtori i këtij Departamenti, z.Ded Trieshi, vlerësoi faktin se i gjithë aktiviteti i  këtij Departamenti ka qenë në funksion të realizimit të planit strategjik dhe programit vjetor institucional dhe e gjitha kjo ka konsistuar në përmbushjen e detyrave në përputhje me standartet ndërkombëtare të kontrollit.
Sipas planit të kontrolleve të miratuara për vitin 2011 ishin parashikuar për t'u kontrolluar 38 subjekte, nga të cilat janë kontrolluar 37 subjekte të përcaktuar nga ky plan.
Sipas z.Trieshi, për vitin 2011 në kontrollet e ushtruara janë rekomanduar 591 masa për përmirësimin të gjëndjes së krijuar nga subjekte të ndryshme si dhe është rekomanduar për zhdëmtim 100% e vlerës së dëmit ekonomik të kryer.
Objektivat për vitin 2012 të këtij Departamenti, mbeten thellimi i misionit të KLSH-së në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve në administrimin e financave dhe pronës publike nëpërmjet analizimit të riskut dhe kontrolleve të bazuara mbi këtë analizë, si dhe shfrytëzim maksimal të kohës së punës, duke rritur efektivitetin në kryerjen e detyrës dhe zbatuar me përpikmëri kodin etik të KLSH-së.
Në kontrollin e subjekteve  për vitin 2012 do të mbahet parasysh dhe ushtrimi i kontrolleve në njësitë e vartësisë, sepse dhe kontrolli do të zhvillohet më i plotë dhe niveli i fondeve të audituara do të jetë më i lartë.
Po kështu, do të shikohet mundësia e përthithjes dhe bashkëpunimit dhe me ekspertë të jashtëm dhe përfaqësues nga bota akademike,  në funksion të kryerjes së kontrolleve për çertifikimin e llogarive vjetore.
Në analizë diskutuan dhe kontrollorë të niveleve të ndryshme, të cilët me përvojën e tyre paraqitën dhe trajtuan një ekspoze të plotë të aktivitetit të tyre institucional dhe dhanë sugjerimet e tyre për  rritjen e  mëtejshme të kapaciteteve kontrolluese.