Zhvillohet Analiza Vjetore e Deparatamentit të Kontrollit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike.
17.01.2012
Më datë 17.01.2012, në praninë e Kryetarit të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm, z.Robert Gjini u zhvillua analiza vjetore e Departamentit të Kontrollit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike, ku të ftuar ishin dhe përfaqësues të organeve të ndryshme të medias së shkruar.
Në fjalën e tij, Kryetari Leskaj evidentoi partneritetin e ri që institucioni ynë po nxit dhe krijon në marrëdhëniet me publikun dhe veçanërisht me organet mediatike në funksion të rritjes së mëtejshme të transparencës dhe efektueshmërisë së veprimtarisë së stafit të KLSH-së në përmbushjen e detyrave dhe misionit të tij kushtetues.
Zoti Leskaj theksoi se puna që ky Departament ka zhvilluar dhe zhvillon, është e një rëndësie të madhe, sidomos për shkak të rezultateve të faktuara në kuadër të luftës kundër fenomeneve të abuzimit dhe korrupsionit në administrimin e pronës publike, si një nga çështjet më të prekshme dhe tepër të ndjeshme për opinionin publik.
Në këtë kontekst Kryetari Leskaj kërkoi nga kontrollorët një fokusim më të madh dhe më efiçent në bashkëpunim kjo dhe me institucionet e organet qendore dhe ato të drejtësisë, si dhe tolerancë zero në evidentimin dhe kallëzimin penal të të gjithë atyre zyrtarëve, të cilët shpërdorojnë detyrën dhe shkelin kuadrin ligjor.
Në fjalën e tij, Drejtori i këtij Departamenti, z.Osman Alushi vlerësoi realizimin e detyrave nga i gjithë ekipi drejtues i këtij Departamenti, ku për vitin 2011 janë realizuar 92 kontrolle, nga 60 të parashikuar, prej të cilave 67 kontrolle janë evaduar, 24 kanë përfunduar dhe do të evadohen në 3 mujorin e parë të vitit 2012 , dhe 1 kontroll është në proces e sipër.
Këto kontrolle kanë konsistuar në fushën e administrimit të pronës publike, në fushën e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë në njësitë e qeverisjes vendore, në sektorin e tatim taksave, në sistemin e pagave dhe shpërblimeve, në dhënien me qira të pasurisë publike, në fushën e prokurimeve publike, si dhe në fushën e urbanistikës.
Po kështu nga ky departament janë bërë 2 Kallëzime Penale për 10 zyrtarë, për konsumimin e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, pasi në ushtrimin e funksioneve publike i kanë shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të Shtetit.
Një nga objektivat dhe synimet kryesore të këtij Departamenti për vitin 2012, do të jetë fokusimi i punës në çështje me risk të lartë siç janë: Prokurimet Publike, Tatim-Taksat dhe fusha e Pagave dhe Shpërblimeve.
Në këtë kontekst, një ndihmesë të madhe në realizimin e këtyre synimeve, do të japë riorganizimi më i mirë i punës në grupe duke i kushtuar rëndësinë e duhur çdo faze kontrolli, rritjen e bashkëpunimit me ekspertë të jashtëm, si dhe rritjen e mëtejshme të nivelit profesional të kontrollorëve të këtij departamenti.