Njoftime

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotin Bujar Leskaj

19.01.2012

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotin Bujar Leskaj, të cilit i uroi zgjedhjen e tij në këtë post dhe suksese në realizmin e detyrës së tij.
Kryeministri theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe transparenca e qeverisjes janë gur themeli në një shtet demokratik. Duke e vlerësuar KLSH si një institucion themelor në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë punën e këtij institucioni.
Kryeministri shprehu besimin se KLSH do të shqyrtojë gjithçka me rigorozitet dhe obkjektivitet maksimal në përputhje me ligjin. Kryeministri theksoi që kontrolli të ketë si objektiv të gjitha institucionet si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor.
Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme që veprimtaria e KLSH të përqendrohet në shtratin e saj ligjor që ia përcakton qartë Kushtetuta dhe ligjet. “Me punën tuaj, të përpiqeni të forconi besimin e publikut tek këto institucione si dhe të përcillni një përgjegjshmëri sa më të lartë për zbatimin e ligjit”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri u shpreh se Departamenti i Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion, pranë Këshillit të Ministrave, dhe të gjitha institucionet e tjera të kontrollit janë të gatshme të bashkëpunojë me KLSH-në.
Nga ana e tij, Kryetari i KLSH, zoti Bujar Leskaj falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen dhe besimin e treguar nga maxhoranca për mandatimin e tij në këtë detyrë, duke theksuar se misioni i tij në krye të KLSH është zbatimi i Kushtetutës dhe ligjit.
Zoti Leskaj theksoi se strategjia e re e KLSH do të jetë në sintoni me Strategjinë Antikorrupsion të qeverisë të miratuar në vitin 2008 duke siguruar nga ana tjetër se do të synojë në një zbatim profesional dhe efikas të ligjit jashtë çdo interesi tjetër.
Në këtë kontekst, zoti Leskaj vlerësoi masat e ndërmarra nga kryeministri Berisha për mbështetjen e veprimtarisë së KLSH-së, si dhe vlerësoi angazhimin e tij për bashkëpunim me strukturat shtetërore të kontrollit dhe të zbatimit të ligjit.