Njoftime

Rezultatet e kontrollit të ushtruar tek Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë muajit mars 2012 përfundoi materialet e kontrollit të ushtruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave (DPH) Sh.a. Durrës për periudhën dyvjeçare 2009-2011.
Zbulimet dhe konkluzionet kryesore të këtij kontrolli tregojnë se menaxhimi dhe administrimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave është shoqëruar në jo pak raste me mosrespektim e moszbatim të akteve ligjore.
Rezultatet e dobëta të kësaj kompanie,  të konstatuara nga KLSH janë pasojë direkte e keqmenaxhimit dhe keqadministrimit nga ana e drejtorisë së shoqërisë.
Në përfundim të auditimit, bazuar në nenet 9 dhe 16 të ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, për përmirësimin e gjendjes, KLSH propozoi masa zhdëmtimi, masa disiplinore dhe masa organizative.
Ndër masat disiplinore, KLSH i propozon Këshillit Mbikqyrës të Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave shkarkimin e 7 anëtarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave Sh.a. Durrës, duke përfshirë edhe Drejtorin e Përgjithshëm të saj dhe zvDrejtorin e Përgjithshëm, pasi në veprimtarinë e drejtorisë së shoqërisë janë konstatuar:
- Keqmenaxhim dhe keq administrim të Hekurudhës Shqiptare.
- Mosrespektim e moszbatim të akteve ligjore:
  - Rezultatet e dobëta në treguesit ekonomiko -financiarë dhe teknikë;
Nga ana tjetër, Drejtoria nuk ka reduktuar stafin për të arritur një nivel të pranueshëm në kostot e operimeve.
KLSH i ka kërkuar Këshillit Mbikqyrës që:
• Drejtoria e DPH-së të jetë më reaguese ndaj kërkesave të tregut, për të futur shërbime të përmirësuara midis Tiranës dhe Durrësit, të bëjë studime mbi konservimin e linjave jo rentabile (Fier dhe Vlorë), të përmirësojë sistemet e kontrollit të sinjalizimit për të përmirësuar sigurinë, të bëjë zëvendësimin e parkut të vagonëve, dhe të kombinojë reformat në subjekt me ndërhyrjen e shtetit në drejtimet më immediate;
• Drejtoria të shqyrtojë dhe të analizojë shkaqet, dhe të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse për vonesat në përpunimin e vagonëve të huaj, pasi detyrimi i DPH-së ndaj atyre homologe, për periudhën 2009-2010 është në vlerën 443,152 euro;
• Drejtoria e shoqërisë të shikojë mundësinë e uljes së mëtejshme të numrit të punonjësve, për të arritur një nivel të pranueshëm të shpenzimeve, i cili pasqyrohet në kostot operative;
• Të merren masa konkrete për evidentimin, klasifikimin dhe ndjekjen në mënyrë të vazhdueshme të debitorëve, duke koordinuar punën me strukturat përkatëse për përmirësimin e dokumentacionit për arkëtimin e debitorëve, gjendja e të cilëve në fund të viteve 2009 e 2010, është respektivisht në vlerat 144 milionë lekë dhe 152 milionë lekë;
• Të derdhen në Buxhetin e Shtetit detyrimet për “sigurimet shoqërore e shëndetësore”, për vitet 2009 dhe 2010, gjendja e të cilave paraqitet në fund të viteve, respektivisht në vlerat 11 milionë lekë dhe 12 milionë lekë, për detyrimin “tatim mbi të ardhurat personale”, gjendja në fund të viteve 2009, 2010 është respektivisht në vlerat 2 milionë lekë dhe 3 milionë lekë dhe detyrimi për “tatimin në burim” për vitin 2010 është në vlerën 18 milionë lekë;
• Drejtoria e Shoqërisë të shqyrtojë dhe analizojë shkaqet dhe të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse për gjendjen e lartë të inventarëve në fund të viteve 2009 dhe 2010, përkatësisht në vlerat 354 milionë lekë dhe 274 milionë lekë, pasi kjo gjendje nuk justifikohet me objektin e shoqërisë dhe se ajo rrezikohet me krijimin e stokut me qarkullim të ngadalshëm.;
• Dhënia e ambienteve me qira për sipërfaqet mbi 200 m2 dhe mbi 500 m2 në administrim nga DPH-ja, të bëhet me konkurrim nga organi i varësisë administrative MPPTT dhe METE me të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore;
• Të emërohet drejtori në strukturën e auditimit të brendshëm, me qëllim që të kontrollohet plotësisht aktiviteti ekonomik, financiar e teknik i DPH –së;
• Ti likuidohet Buxhetit të Shtetit detyrimi në vlerën 21milionë lekë, i cili përfaqëson detyrimin në masën 70% të arkëtimeve për objektet e dhëna me qira deri me 11.08.2011, konform Kapitullit VI, të VKM nr. 1712, datë 24.12.2008 “Për dhënien me qira ose Enfiteozë të Pasurive të Ndërmarrjeve, Shoqërive dhe Institucioneve Shtetërore”.
Në tërësi, KLSH propozoi 20 masa organizative për përmirësimin e drejtimit të hekurrudhave shqiptare, si dhe arkëtimin e vlerës 1,139,192 lekë nga kompania e sigurimeve Eurosig, që përbën vlerën e sigurimit të ofertës të dy operatorëve ekonomikë të tërhequr nga gara në mënyrë të njëanshme.
Në tre muajt e vitit 2012, KLSH ka kryer 5 kallzime penale për 26 persona, në përfundim të auditimeve të saj.