Auditimi i spoteve publicitare dhe ngjarjeve kulturore e artistike publike.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në 15 ditorin e parë të muajit maj 2012 përfundoi dhe miratoi materialet e auditimit të ushtruar në Aparatin e Këshillit të Ministrave, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Integrimit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, lidhur me përdorimin e shpenzimeve buxhetore për spotet publicitare, ngjarjet kulturore, artistike e sociale, si dhe festa e ngjarje të tjera solemne dhe protokollare me porosi të Qeverisë.
Paraprakisht vlen të theksojmë se, nga shtatë institucione të audituara, në dy prej tyre u konstatuan mangësi, parregullsi dhe shkelje të procedurave e të rregullave të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 1195, datë 5.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në media e shkruar, dhe për kontratat, për kohë transmetimi, nga organet e administratës shtetërore” dhe nr. 1173, datë 6.11.2009 “Për përcaktimin e rregullave për organizimin e ngjarjeve kulturore, artistike dhe sociale nga organet e qeverisjes qendrore dhe institucionet e tjera publike, të pavarura”, me pasojë dëm ekonomik. Më konkretisht:
1. Në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Grupi i Auditimit të KLSH auditoi katër procedura aktivitetesh, përkatësisht: “Për realizimin, prodhimin, transmetimin dhe elementë të tjerë dekorativë për festën e 1 Majit 2010”; “Për minoritetet në Shqipëri”; “Ne sfidojmë (aktivitet për fëmijë)” dhe “Mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët”.
Nga auditimi i dokumentacionit të paraqitur nga strukturat dhe punonjësit e ngarkuar me kryerjen e aktiviteteve të sipërcituar dhe vënë në dispozicion të grupit të auditimit, rezultoi se, për të katër procedurat e aktiviteteve mungonin dokumentet justifikues dhe vërtetues për monitorimin, dokumentimin e shërbimit të kryer dhe përmbushjes së qëllimit të financimit të tyre, duke shkelur dispozitat ligjore në fuqi.
a) Nga auditimi i dokumenteve për zbatimin e proçedurave ligjore për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe elementë të tjerë dekorativ për festën e 1 Majit të vitit 2010, të kryer nga operatorë e agjenci të ndryshme, u konstatua se:
- Dokumentacioni i vënë në dispozicion të Grupit të Auditimit kishte mangësi të theksuara dhe parregullsi, si mungesë e dokumenteve justifikues dhe vërtetues për monitorimin dhe dokumentimin e shërbimit të kryer (mungonte dokumentacioni justifikues i pagesës së kryer), si dhe përmbushjes së qëllimit të financimit të aktivitetit, duke shkelur dispozitat ligjore në fuqi nga punonjësit e MPÇSSHB të ngarkuar me këtë detyrë. Të gjitha këto, kanë shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e ministrisë në vlerën 9,237,863 lekë, vlerë kjo e përfituar padrejtësisht nga një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.
Për këtë aktivitet, Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 258, datë 09.04.2010, pika 2, i ka shtuar MPÇSSHB në buxhetin e miratuar për vitin 2010, në zërin “Shpenzime operative” një fond prej 19,800,000 lekë për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe dokumentar, si dhe për përgatitjen e materialeve dekorative e të tjera, në kuadër të festës së punëtorëve. Mbi këtë bazë, Titullari (Ministri) ka nxjerrë urdhrin përkatës për fillimin e procedurave, duke caktuar komisionin për hartimin e specifikimeve teknike, ku nga shqyrtimi i cilësive të secilit prej anëtarëve të këtij komisioni, Grupi i Auditimit të KLSH doli në përfundimin se ata nuk i përshtateshin veçorive dhe specifikave që kërkonte eventi për t’u kryer (asnjë anëtar i komisionit nuk ishte i fushës së artit dhe kulturës). Për pasojë, eventi u karakterizua nga mungesa e specifikimeve teknike për realizimin e spotit përkatës si ideja, objekti, koha e transmetimit, mediaplanet për secilin televizion, koha e transmetimit, kërkesat e vendosjes së këtij spoti, para cilit emision lajmesh qendrore dhe emisione dhe çfarë kohe e të tjera. Gjithashtu, auditimi konstatoj se, ndonëse ishin marrë oferta, nuk disponoheshin dokumente lidhur me llogaritjen e fondit limit sipas kërkesave ligjore; mungonte llogaritja e fondit si për kohën e transmetimit, tarifën përkatëse, shtesat apo pakësimet sipas periudhës në të cilën do të bëhej transmetimi; po kështu kalkulimet e kryera sa duheshin për një televizion kombëtar dhe sa për një jo kombëtar, etj.
Pra, nuk disponohej argumentim ekonomiko-financiar mbi bazën e të cilit do të fillonin procedurat e prodhimit e të përzgjedhjes së agjencisë që do të marrë përsipër transmetimin e spotit.
Në dosjen e këtij eventi, nuk gjendej asnjë dokument ligjor apo ekonomik për llogaritjen e vlerës së fondit limit për 1 televizion kombëtar dhe për dy të tjerët jo kombëtar, si dhe për tarifën e përdorur në llogaritjen e këtij fondi limit.
Në përcaktimin e specifikimeve teknike për dekorin që duhej përdorur nuk kishte asnjë detajim për vendosjen e Citylight në Tiranë, si dhe asnjë kërkesë për përcaktimin e përmasave të tyre dhe për skemën e vendosjes (plan vendosje sipas vendndodhjeve në bulevard, rrugë kryesore etj.).
Nga komisioni i hartimit të specifikimeve teknike ishin firmosur në mënyrë formale, pa u mbështetur në asnjë dokument të mbledhjes së këtij komisioni, të funksionimit të tij dhe mënyrës së argumentimit të hartimit të specifikimeve përkatëse apo ndonjë event i ngjashëm ku të jenë mbështetur, veprime këto në kundërshtim me VKM nr. 1173, datë 06.11.2009 dhe VKM nr. 1195, datë 5.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim nga operatorët radiotelevizive ose botim në median e shkruar dhe për kontratat, për kohë transmetimi nga organet e administratës”.
Ndonëse, nga Komisioni ishte pergatitur ftesa për ofertë dhe ishte nënshkruar nga titullari për tre shtëpi botuese, në këto ftesa nuk ishte dokumentuar mënyra e komunikimit, për më keq, dy prej tyre nuk kishin asnjë aktivitet të ngjashëm apo lidhje me prodhimin e spoteve dhe zhvillimin e aktiviteteve kulturore e artistike, por ishin ftuar formalisht, pasi nuk disponohej ndonjë listë e përditësuar. Procedura e ndjekur ka qenë e paligjshme, jo transparente dhe pa konkurueshmëri, veprim ky në kundërshtim me pikën 3 dhe 5, të VKM nr 1137, datë 06.11.2010. Vlen të cilësohet se, nga operatorët konkurrues nuk ishte paraqitur asnjë dokument, kontratë apo marrëveshje bashkëpunimi për marrëdhënie me televizionet në të cilat do të shfaqej spoti përkatës.
Përsa më sipër, mbi bazën e dokumenteve të parregullta të hartuara nga komisioni për llogaritjen e fondit limit dhe studimin e tregut dhe të pranuar nga komisioni i ndjekjes së proçedurave, ka filluar procedura e përzgjedhjes. Nga kontrolli i kësaj procedure dhe dokumentacioni i paraqitur, rezultojnë shkelje ligjore dhe veprime fiktive, si më poshtë vijon:
- Ofertat e paraqitura nga dy operatorë nuk ishin të rregullta dhe në përputhje me kërkesat dhe specifikimet teknike të kërkuara, pasi ato nuk ishin paraqitur në sasinë e kërkuar. Sipas specifikimeve teknike të përgatitura nga komisioni dhe llogaritjet e kryera në këto dy oferta ishin të njëjta përsa i përket gabimeve në llogaritje.
- Nga komisioni i vlerësimit ofertat konkurruese janë pranuar me gabime matematikore, duke ndryshuar në thelb vlerën e konkurimit. Të tre ofertat kishin të njëjtin gabim, në zërin nr. 7 të paraqitur në ofertat e tyre “Vendosje Citylight në Tiranë”.
Mungesa e kontrollit të ofertave dhe moszbatimi i akteve ligjore, tregon për mungesë vlerësimi të detyrës nga komisioni i zbatimit të procedurave, gjë që argumentohet me shënimin në faqe 1 të raportit të hartuar nga vetë Komisioni.
- Në pagesën e kryer me Urdhër shpenzimi nr. 183, datë 26.05.2010, konstatohet se fatura tatimore nr. 37, datë 05.05.2010, nuk kishte bashkëlidhur asnjë dokument, për marrje në dorëzim të flamurëve, citylight, mediaplaneve, procesverbal i vlerësimit të aktivitetit të realizuar, apo marrjen në dorëzim nga të dy persona të caktuar dhe jo në mënyrë të njëanshme nga një anëtar komisioni. Po kështu, fatura e pagesës është bërë me një shifër, ndërkohë që kanë qenë në ofertë 9 zëra, megjithëse ofertat ishin të parregullta.
- Veprimet dhe vendimet e ndërmarra nga Komisioni, mbështetur në dokumentacion të parregullt (oferta të pavlefshme) dhe nënshkrimi në mënyrë formale, i kanë sjellë buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerë 9,237,863 lekë.
Theksojmë se, me gjithë insistimin e audituesve të KLSH, nga Komisioni dhe MPÇSSHB nuk u paraqit asnjë dokument mbi negociatat e kryera dhe dokumentacionin e kryerjes së këtij eventi.
Për përmirësimin e gjëndjes, KLSH ka rekomanduar një sërë masash, duke filluar nga ndryshimet dhe përmirësimet ligjore që duhen bërë në vendimet e VKM Nr. 1195, date 5.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në media e shkruar, dhe për kontratat, për kohë transmetimi, nga organet e administratës shtetërore” dhe VKM nr. 1173, date 6.11.2009 “Për përcaktimin e rregullave për organizimin e ngjarjeve kulturore, artistike dhe sociale nga organet e qeverisjes qendrore dhe institucionet e tjera publike, të pavarura”, pasi në to ka mangësi serioze në përcaktimin e rregullave për mënyrën e llogaritjes së fondit të nevojshëm për kryerjen e aktivitetit, para përgatitjen e programeve për aktivitetet që do të zhvillohen dhe organizimin e procedurave për hartimin e dokumenteve, përzgjedhjen e operatorëve të specializuar për zhvillimin e aktivitetit dhe shpalljen e fituesit.
Përsa i përket masave për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar, mbështetur në nenin 608, të ligjit nr. 7850, datë 29.07.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet e mëvonshme, KLSH ka kërkuar që MPÇSSHB të nxjerrë aktet përkatëse administrative, të kryej kontabilizimet dhe të bëjë arkëtimin e vlerës 9,237,863 lekë dhe 181,000 lekë të përfituar padrejtësisht nga subjekte juridik privat.
Mbështetur në ligjin “Për Shërbimin Civil në Republikën e Shqipërisë” dhe “Kodin e Punës i Republikës së Shqipërisë”, KLSH ka kërkuar fillimin e procedurave për dhënien e masës disiplinore:
- “Zgjidhje e kontratës së punësimit ”, për Drejtorin e Kabinetit të Ministrit, në cilësinë e Kryetarit të komisionit të përgatitjes së dokumenteve dhe përzgjedhjes së operatorit të specializuar, i caktuar për marrjen në dorëzim dokumenteve dhe materialeve dhe zbatimin e eventeve.
Ndërkohë, mbështetur në nenin 22 , pika 2, germa a, të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, KLSH ka kërkuar “Pezullimin si nëpunës civil” për 2 drejtorë të përgjithshëm, 3 përgjegjësa sektori dhe zëdhënësen e shtypit, me cilësinë e anëtarit të komisionit i përgatitjes dokumenteve dhe përzgjedhjes së procedurave, gjithashtu, mbështetur në nenin 25 të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil” dhe pikën 1 e 2 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 306, datë 13.06.2000 “Për disiplinën në shërbimin civil”, është kërkuar fillimi i procedurave për dhënien e masës disiplinore:
“Vërejtje me shkrim” për 8 punonjës në cilësinë e anëtarit të komisionit.
Në vlerësimin e veprimtarisë së punonjësve shkaktarë përgjegjës, Grupi i Audituesve të KLSH ka evidentuar elementë të veprave penale, dhe në këtë konteks është bërë kallëzim penal, për 6 punonjës për vlerën e dëmit ekonomik prej 9,237,863 lekë, nga të cilët një Drejtor Kabineti, dy Drejtorë të Përgjithshëm dhe 3 përgjegjës sektori në MPÇSSHB.
b) Nga auditimi i dokumenteve për zbatimin e proçedurave ligjore për zbatimin e aktivitetit “Minoritetet në Shqipëri”, krahas mungesës së dokumenatcionit për procedurën e përgatitjes për konkurrim lidhur me përzgjedhjen e operatorëve të specializuar për kryerjen e aktivitetit, si për çdo procedurë të ngjashme që ka të bëjë me shpenzimin e fondeve buxhetore, Grupi i Auditimit të KLSH ka konstatuar gabime aritmetike në llogaritjen e zërave të ofertës, me pasojë përfitimin padrejtësisht nga një shoqëri private të shumës prej 181,000 lekë.
Për këtë, KLSH i ka rekomanduar MPÇSSHB shpërblimin e këtij dëmi në masën 100 për qind.
2. Në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Grupi i Auditimit të KLSH auditoi prodhimin e spotit “Promovimi i Turizmit në Shqipëri” dhe transmetimi I tij në EURO NEWS; veprimtaritë në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë, viti 2009; aktivitetin “Shqipëria Evropiane”, me rastin e festave të fundvitit 2009; veprimtaritë në kuadër të 17 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Studentëve (Viti 2010); veprimtaritë kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës; dhe veprimtaritë artistiko-kulturore në kuadrin e 65 vjetorit të Festes Kombëtare të Çlirimit të Shqipërisë, organizuar në vitin 2009.
Nga auditimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion të Grupit të Auditimit mbi procedurat e kryera për prodhimin, transmetimin, monitorimin, dokumentimin e shërbimit dhe përmbushjen e qëllimit të financimit të aktiviteteve të mësipërme, ndonëse me disa mangësi kryesisht të karakterit procedurial, përgjithësisht ishte punuar në respekt të dispozitave ligjore në fuqi.
Përjashtim bën aktiviteti “Transmetimi i spotit në EURO NEWS” për rritjen e imazhit të Shqipërisë dhe tërheqjen e turistëve drejt saj, në pritje të sezonit turistik, ku u konstatuan mangësi dokumentare dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, dhe konkretisht:
a) Në argumentimin e fondit të nevojshëm, komisioni i përbërë nga 3 punonjës të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, ka paraqitur materialin për argumentimin e fondit për prodhimin e spotit dhe transmetimin e tij në tre javë dhe MTKRS ka zgjedhur rrjetin televiziv Euro News, me vlerë totale 180,000 euro.
Nga vlerësimi i materialit disponibël nga Grupi i Auditimit, ka rezultuar se:
- grafiku i transmetimit paraqitej me gabime në llogaritje për transmetimin në intervalin e kohës nga ora 19.00 deri në orën 22.00;
- në dokumentacionin e dosjes nuk kishte studim të tregut për të marrë oferta nga operatorë të ndryshëm ndërkombëtarë të specializuar për prodhimin e transmetimin e spoteve publicitare, për rrjedhojë nuk ishte bërë analizë për çmimin e prodhimit të spotit. Praktika e ndjekur, pa ndonjë argumentim në përcaktimin e fondit të duhur, është në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në VKM Nr. 1195, datë 5.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në medien e shkruar, dhe për kontratat, për kohë transmetimi, nga organet e administratës shtetërore” dhe është përgjegjësi e grupit për argumentimin e fondit.
b) Nga shqyrtimi i dokumentacionit mbi përbërjen e komisionit të përgatitjes së dokumentacionit dhe përzgjedhjes së operatorit të specializuar fitues, rezultoi se 3 anëtarë përfshirë dhe kryetarin e komisionit, nuk ishin punonjës të MTKRS dhe për ta mungonin kontratat e nënshkruara midis palëve, për kryerjen e shërbimit.
c) Krahas mangësive proceduriale në përgatitjen e ftesës për negocim, oferta e rrjetit EuroNews nuk ishte e përkthyer në gjuhën shqipe, ndërkohë që procedurat zhvillohen në bazë të legjislacioni shqiptar dhe është e domosdoshme që i gjithë dokumentacioni i ofertës të përkthehej në shqip.
d) Për zbatimin e kontratës së transmetimit të spotit në EURO NEWS midis MTKRS dhe rrjetit televiziv Euro News është nënshkruar kontratë porosia datë 22.12.2008 me objekt “Prodhimi dhe transmetimi i spotit publicitar, promovimi i turizmit në Shqipëri”, me kohëzgjatje 30 sekonda nga ana e Televizionit EuroNews, sipas specifikimeve teknike të kërkuara në ftesën për negocim dhe grafikut.
Me Urdhër të Ministrit është ngritur komisioni për marrjen në dorëzim të kasetës me materialet filmike të spotit dhe komisioni për monitorimin e kontratës për prodhimin dhe transmetimin e spotit. Në zbatim të detyrave të ngarkuara, komisioni ka përgatitur aktet përkatëse për transmetimin e spotit, shpeshtësinë dhe oraret sipas grafikut të parashikuar në kontratë.
Nga auditimi i përmbajtjes së procesverbalit të mbajtur dhe tabelës bashkëlidhur, ku tregohet shpeshtësia dhe oraret e transmetimit të spotit, rezultoi se, nga kontraktuesi nuk ishin përmbushur detyrimet. Konkretisht, nuk është zbatuar neni 3 (Objekti i kësaj kontrate), mbi numrin dhe shpeshtësinë e transmetimit të spotit në ditët e javës.
Vlera totale për spotet e pa transmetuar llogaritet në 36,250 euro ose 4,456,937 lekë, vlerë kjo e përvetësuar nga Kontraktuesi, e cila përbën dëm ekonomik. Kryerja e pagesës me vlerën e plotë të kontratës, pa plotësuar kushtin për numrin e spoteve publicitare të transmetuara dhe shpeshtësinë, ngarkojnë me përgjegjësi komisionin e monitorimit të përbërë nga 3 punonjës.
Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka rekomanduar marrjen e masave për bërjen e ndryshimeve e nevojshme ligjore në pikat 6 dhe 11 të VKM nr. 1195, datë 5.08.2008 “Për blerjen, zhvillimin, prodhimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim nga operatorët radiotelevizivë ose botim në medien e shkruar, dhe për kontratat, për kohë transmetimi, nga organet e administratës shtetërore” dhe pikës 2, kreu II të VKM nr. 1173, datë 6.11.2009 “Për përcaktimin e rregullave për organizimin e ngjarjeve kulturore, artistike dhe sociale nga organet e qeverisjes qendrore dhe institucionet e tjera publike, të pavarura”, me synim përcaktimin qartë dhe saktë të rregullave për mënyrën e llogaritjes së fondit të nevojshëm për kryerjen e aktivitetit dhe të shërbimeve cilësore të kërkuara.
Ndër masat organizative veçojmë atë që duhet marrë për përmirësimin dhe plotësimin e kontratave të shërbimit me nenet e duhura, ku të përcaktohen në mënyrë të hollësishme të drejtat dhe detyrimet e palëve, sanksionet në rastet e mosplotësimit të objektit të kontratës dhe mënyrën e veprimit në kushtet e krijimit të mosmarrëveshjeve, duke ju referuar kushteve të përcaktuara në Ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar.
Përsa i përket masave disiplinore, KLSH mbështetur në “Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë” i ka rekomanduar MTKRS fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore:
“Zgjidhje e kontratës së punësimit ”, për Kryetarin e grupit të monitorimit të kontratës për transmetimin e spotit publicitar “Promovimi i turizmit në Shqipëri”, nga kanali EURONEWS dhe 2 anëtarëve të Komisionit.
Së fundi, në vlerësimin e veprimtarisë së Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të sipërcituar, janë evidentuar elementë të veprës penale, dhe në këtë konteks KLSH ka depozituar kallëzim penal në organin e Prokurorisë të rrethit Tiranë.
KONTROLLI I LARTË I SHTETIT