KLSH në Konferencën vjetore të ZAP Kosovë
16.07.2012
Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) të Kosovës, të lidhur në shkurt të këtij viti, me ftesë të Auditorit të Përgjithshëm z. Lars Lage Olofsson, një delegacion i nivelit të lartë i KLSH, i kryesuar nga Kryetari z. Bujar Leskaj, mori pjesë në Konferencën vjetore të ZAP, të zhvilluar në Pejë në datat 10-11 korrik 2012.
Formati i Konferencës ndryshonte nga organizimet tradicionale dhe u përqendrua të nxirrte përgjigjet konkrete nga pyetjet: “Çfarë është e mirë?, Çfarë ishte më pak e mirë?, Cilat janë mësimet e dala nga ky sezon auditimi dhe Si do të ballafaqohemi me to më tutje?”
Në ditën e parë të punimeve, Konferenca u hap me prezantimin e z. Olofsson “Sukseset dhe sfidat gjatë sezonit të auditimit 2011/12”.
Në këtë prezantim, z. Olofsson krahas punës së bërë dhe rezultateve të arritura gjatë 2011/12, duke i krahasuar dhe me vitet e mëparshme, u ndal në veprimtarinë audituese, duke vënë theksin në auditimet e performancës së institucionit të tij.
Në mënyrë të veçantë, z. Olofsson u fokusua në pasqyrimin e katër “P”; konkretisht fjala “People” (në anglisht) ose Njerëzit, faktor shumë i rëndësishëm dhe përcaktues, Partner (fjalë njësoj edhe në shqip), që nënkupton partneritetin me të gjithë faktorët e interesuar, “Progress”, pra Progres, zhvillim dhe fjala “Practises”, Praktikat, pra përvetësimi dhe zbatimi i praktikave më të mira të auditimit, në zbatim të standardeve ndërkombëtare të INTOSAI. Më tej, ai u përqendrua tek tre “C”-të, në anglisht përkatësisht “Cooperation”, ose Bashkëpunim, kooperimi si domosdoshmëri, “Curious”, pra Kureshtar, qenia e audituesit i tillë, hulumtues, kërkues drejt së vërtetës së profesionit dhe fjala “Commitment” ose Zotim, pra angazhimi tërësor për plotësimin e objektivave të auditimit.
Z. Olofsson u shpreh se “Audituesit janë agjentët e ndryshimit” dhe se “secili prej nesh duhet të jetë i përgjegjshëm për pritshmëritë dhe kërkesat që ka Kuvendi, grupet e interesit dhe publiku i gjerë”. U vijua me referimin “Pikëpamjet dhe pritjet e Komisionit të Mbikëqyrjes së Financave Publike” mbajtur nga z. Armend Zemaj, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i këtij Komisioni, i cili u fokusua në mbikëqyrjen e shpenzimit të parasë publike, subjektet objekt auditimi, ballafaqimet Komision-Deputetë-ZAP, në cilësinë e auditimeve dhe rritjen e numrit të auditimeve të performancës.
Më pas u zhvilluan ushtrimet në grupe “Cilësia korporative dhe praktikat aktuale” (3 fusha ku është punuar mirë dhe 3 fusha që kanë nevojë për përmirësim), të cilat u demonstruan nga drejtuesit e grupeve.
Në mbyllje të ditës së parë të punimeve u dhanë konkluzionet nga Auditori i Përgjithshëm z. Oloffson.
Në përbërje të grupeve për zhvillimin e ushtrimeve ishin pjesëtare aktive dhe zj. Luljeta Nano Kryeaudituese në Departament Auditimi në KLSH dhe auditueset Ludmilla Sula, Valentina Sulo dhe Kejda Muça po nga KLSH.
Në hapje të ditës së dytë të punimeve të Konferencës, Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj i përshëndeti pjesëmarrësit për fundin e mbikëqyrjes se pavarësisë së Kosovës, të shpallur nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar më 2 korrik 2012 në Vjenë. Sipas Leskaj, ky vendim vërteton progresin e këtyre katër viteve, të arritur nga shteti më i ri i Evropës, shteti i Kosovës.
Kryetari i KLSH theksoi se në ketë progres dhe bashkësi arritjesh, një vend të veçantë ka ZAP, institucioni i auditimit më të lartë në Kosovë. Në më pak se tre vitet e fundit, kjo Zyrë ka trefishuar numrin e audituesve dhe rritur ndjeshëm numrin e auditimeve. Ajo ka punuar ngushtë me Kuvendin e Kosovës për të zgjeruar kapacitetet e saj në dhënien e informacionit cilësor mbi përdorimin e parasë publike. Ka arritur t’i shtojë vlerë funksionimit efektiv dhe efiçient të autoriteteve publike që ka audituar. Cilësia e informacionit në raportet e saj vjetore financiare është përmirësuar dukshëm nga viti në vit. Zyra ka ditur të sigurojë objektivitet dhe pavarësi në punën e saj, nëpërmjet një shërbimi auditimi profesional e të integruar ndaj Kuvendit, Qeverisë dhe taksapaguesve të Kosovës.
Z. Leskaj vijoi duke thënë se “Me të marrë detyrën e Kryetarit të KLSH, të parën Marrëveshje Bashkëpunimi që nënshkrova me një institucion të lartë auditimi partner ishte ZAP e Kosovës, dhe kjo kishte një domethënie të madhe për mua. Aktiviteti i parë që ndërmorëm ishte përkthimi në shqip nga të dyja institucionet të Shënimeve të Praktikës të nivelit të katërt të standardeve ISSAI, të cilat do të orientojnë më mirë audituesit tanë në respektimin e standardeve ndërkombëtare të INTOSAI, gjatë punës së tyre audituese. Më tej, z. Leskaj u ndal në platformën ideore të paraqitur prej tij përpara Komisionit të Kuvendit për Ekonominë dhe Financat dhe të punuar më pas me stafin e KLSH. Themelin e kësaj platforme e përben respektimi i standardeve të përditësuara të INTOSAI-t, jo thjesht me fjalë dhe deklarata, por duke u shtrirë kapilar në çdo ditë pune të institucionit. Përpjekjet e institucionit për të formatuar punën e tij sipas këtyre standardeve mund të quhen edhe ndryshimi më i madh që KLSH ka arritur në këto gjashte muaj të parë të punës. Kryetari i KLSH parashtroi përpara pjesëmarrësve të Konferencës aktivitetet e realizuara në përmbushje të objektivave strategjikë, si:
1. Kryerja e analizave në nivel departamenti dhe institucioni në praninë e mediave dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile.
2. Sigurimi i sugjerimeve dhe mendimeve nga institucione si SIGMA dhe Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit të BE për amendimet që duhen bërë në Ligjin Organik të KLSH, në mënyrë që të realizohet pavarësia e plotë e institucionit, konceptimi modern i të drejtave dhe detyrave të KLSH, rritja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve, rritja e kapaciteteve administrative, saktësimi i së drejtës të KLSH të auditojë fondet e akorduara nga BE për Shqipërinë, deri tek përdoruesi i fundit dhe saktësimi i së drejtës të certifikojë llogaritë financiare. Shumë shpejt draft-ligji i përpunuar do të dorëzohet zyrtarisht në Kuvend.
3. Realizimi i trajnimit dhe kualifikimit të audituesve brenda dhe jashtë Shqipërisë minimumi 10 ditë trajnimi në vit, kurse punonjësit e rinj të rekrutuar 25 ditë trajnimi. Deri në fund të muajit qershor të këtij viti, shifrat e arritura janë mesatarisht 6.2 ditë trajnimi për punonjësit me përvojë pune dhe 12.7 ditë trajnimi për audituesit dhe specialistët e rinj.
4. Për periudhën janar-qershor 2012, KLSH ka intensifikuar luftën kunder korrupsionit në auditimet e veta, duke evidentuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik, shifra e të cilit do të bëhet publik në buletinin 6-mujor të KLSH së shpejti.
5. Lufta në sistem për parandalimin e korrupsionit dhe abuzimeve në administrimin e pronës publike, ku faktor potent për sinergjizimin e përpjekjeve përbën Strategjia Ndërsektoriale e Qeverisë Berisha për “Parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe Qeverisja transparente 2008-2013”. Në funksion të këtyre përpjekjeve, KLSH në mars 2012 ka lidhur Marrëveshje Bashkëpunimi me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe me Autoritetin e Konkurrencës; në prill 2012 me 6 nga shoqatat më aktive të shoqërisë civile që luftojnë korrupsionin dhe kërkojnë rritjen e transparencës të institucioneve publike të vendit; ndërsa në qershor 2012 u finalizua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme. Korrupsioni luftohet me efektivitet, madje edhe parandalohet, vetëm po të punohet në sistem dhe nga të gjithë veprimtarët shtetërore dhe publike, që e kanë detyrë ose janë fortësisht të interesuar për ketë.
Në konteksin e luftës kundër abuzimeve me pronën publike dhe korrupsionit, KLSH gjatë vitit 2012, ka bërë 17 kallëzime penale për 51 punonjës të administratës publike shkaktarë përgjegjës, numër afërsisht i barabartë me numrin e kallëzimeve penale të kryera nga KLSH për tre vitet e fundit 2009-2011, të marra së bashku.
6. Marrëdhëniet e KLSH me Kuvendin e Shqipërisë, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Kryeministrinë, ministritë dhe institucionet qendrore. Për t’u përmendur, nënshkrimi në muajin maj 2012 me Ministrinë e Financave të një Marrëveshje Bashkëpunimi, për të rritur eficiencen në luftën kundër korrupsionit dhe ulur koston e auditimit, duke shmangur dublimet.
7. Marrëdhëniet me institucionet simotra si, Zyrën e Auditimit Suprem të Polonisë, Gjykatën e Auditimit të Sllovenisë, Gjykatën e Llogarive të Turqisë dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, gjithashtu, përfundimin e punës për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet homologe të Kroacisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Në përfundim, z. Leskaj shprehu besimin e plotë se bashkëpunimi mes KLSH dhe ZAP të Kosovës, do të vijojë më me intensitet në të ardhmen, gjithashtu, nënvizoi se nga muaji shtator apo tetor 2012, KLSH mund të organizojë në Shqipëri një konferencë vjetore, duke ftuar me këtë rast z. Olofsson që të marrë pjesë së bashku me një ekip nga ZAP.
Pas fjalës së Kryetarit të KLSH, Konferenca vijoi me prezantimin e temës “Pikëpamjet e jashtme të partnerëve tanë – Vlerësimi i situatës aktuale dhe ndihma që do të jepet”, mbajtur nga z. Fredrik Friberg, NAO Suedi, i cili u përqendrua në kooperimin ZAP Kosovë-NAO Suedi, në rakordimin e kohës së punës, në auditimet e certifikimit, të rregullshmërisë dhe të performancës (qëllimi, domethënia – zgjedhja e një teme që plotëson 3 E-të, kush janë pengesat për një performancë të mirë etj.), angazhimin e menaxhmentit, kapaciteti i organizatës, partneriteti strategjik etj.
Më pas u zhvilluan ushtrimet në grupe “Platforma dhe asistenca, konsistenca, inputi për planifikim: Si të përmirësohet: nga niveli individual në atë korporativ”, të cilat u demostruan nga drejtuesit e grupeve.
Në mbyllje të Konferencës vjetore, Auditori i Përgjithshëm z. Oloffson. dha konkluzionet e nxjerra dhe vizionin e institucionit për të ardhmen.