Njoftime

Rezultatet e kontrollit në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për prodhimin dhe transmetimin e reklamave televizive në vitin 2007.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2008, ka ushtruar kontroll në MTKRS me objekt: “Vlerësimi i aktivitetit ekonomik dhe financiar”, ku ndër drejtimet kryesore të kontrollit ka qenë “Prodhimi dhe transmetimi i reklamave televizive”. 

Duke marrë shkas dhe konsideruar parregullsitë dhe shkeljet e shumta proceduriale ligjore që pasqyrohen në Raportin Përfundimtar të Kontrollit, sidomos në tenderin për prodhimin dhe trasmetimin ndërkombëtar të një spoti me qëllim promovimin e turizmit shqiptar me fond limit 37 milionë lekë,  për të cilat për arësye subjektive nuk ishte bërë kallzim penal në organet e prokurorisë, rishikuam në vitin 2012 konformë procedurës të KLSH, me përgjegjësi shtetërore dhe profesionale, të gjithë materialet e kësaj dosje kontrolli.

 
Në përfundim, arritëm në konkluzionin se 6 zyrtarë të MTKRS anëtarë të KVO në vitin 2007, nga të cilët një Drejtor i Përgjithshëm dhe 2 përgjegjësa sektori, në hartimin dhe zhvillimin e procedurave të tenderit të sipërcituar, kanë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ndër shkeljet më kryesore të konstatuara nga Grupi i Kontrollit të KLSH, cilësojmë:
- Fondi limit prej 37 milionë lekë nuk ishte i argumentuar dhe nuk disponohej ndonjë analizë për llogaritjen e këtij fondi, madje nuk ishte ndarë, sa është vlera e fondit limit për  prodhimin dhe sa për trasmetimin; trasmetimi i këtij spoti nuk është tenderuar, por është përzgjedhur pa procedura prokurimi, në kundërshtim me VKM nr. 623, datë 29.09.2007; firmat konkuruese nuk kishin përfaqësues të tyre të pranishëm në tender, madje tre prej tyre i kishin paraqitur ofertat në rrugë eklektronike, për adresat e të cilëve nuk disponohej dokumentacion shkresor apo korrespondencë elektronike midis personit të kontaktit të KVO dhe këtyre shoqërive; KVO me proces-verbalin e datës 07.10.2007 ka kualifikuar të parën firmën Holandeze “CCCP-Roterdam”, e cila ka paraqitur ofertë më të madhe se firma tjetër “Ogilvy Albania”; formulari i ofertës ekonomike të firmës fituese ku është bërë analiza e kostos është i njëjtë me formularin e firmës tjetër dhe ndryshojnë vetëm në vlera, për më tepër  të dy shoqëritë nuk kanë paraqitur përfaqësues të tyre ne hapjen e tenderit.

 
Gjithashtu, pas shpalljes fituese shoqeria “CCCP-Roterdam” Holand, për të vërtetuar vetdeklarimin ka paraqitur të gjithë dokumentacionin ligjor siç është kërkuar nga KVO, nga ku rezulton se kjo shoqëri është regjistruar në muajin Mars 2007 në Gjykatën holandeze dhe në regjistrin e biznesit të këtij shteti, si shoqëri me pergjegjesi të kufizuar me një staf të punësuarish prej  2 (dy) personash. Pra, koha e shkurtër e krijimit të kësaj shoqerie, numri i vogël i të punësuarve, si dhe mosparaqitja nga ana e saj e një kontratë me CNN, tregon se kjo shoqëri nuk mund të ketë qenë partner me CNN në fushën e  prodhimit dhe trasmetimit të spoteve televizive.