Njoftime

"Rekomandime për përsosjen arsimoro-profesionale të audituesve në KLSH"

17.09.2012

UDHËZIM

Duke vlerësuar rëndësinë parësore të ngritjes së formimit arsimor dhe profesional të audituesve përballë sfidave të realizimit të detyrave të dala nga rekomandimet e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë të datës 26 prill 2012 për Kontrollin e Lartë të Shtetit”;
Në vijimësi të platformës së paraqitur nga Kryetari i KLSH para Komisionit të Kuvendit për Ekonominë dhe Financat dhe më datë 23 dhjetor 2011 me gjithë stafin e KLSH.
Në  përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe përkatësisht me standardin ISSAI 1(Deklarata e Limës), Neni 14, pika 1 dhe 2:”Anëtarët e stafit auditues të institucioneve më të larta të auditimit duhet të kenë kualifikimet e kërkuara për të plotësuar detyrat e tyre” dhe “...në stafin e institucioneve më të larta të auditimit, vëmendja e duhur i duhet kushtuar njohurive mbi mesataren dhe experiencës profesionale”’, si dhe në standardin ISSAI 200, pika 1.6 dhe 1.8, ‘’institucionet supreme të auditimit duhet të sigurojnë zhvillimin e vazhdueshëm të burimeve njerëzore’’ ;

UDHËZOJ:

1.Audituesit që janë nën moshën 45 vjeçare dhe që kanë përfunduar studimet e larta në një degë universitare, të cilët punojnë pranë Departamenteve të Auditimit duhet të përsosin dhe plotësojnë formimin arsimoro-profesional dhe konkretisht:
a.Audituesit të cilët kanë përfunduar studimet e tyre në Fakultetin e Drejtësisë, duhet të vazhdojnë studimet e tyre pasuniversitare(master ose doktoraturë), ose të vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme në Fakultetin e Ekonomisë, dega Kontabilitet;
b.Audituesit të cilët nuk kanë përfunduar studimet e tyre në fakultetin e Ekonomisë duhet të regjistrohen dhe të fillojnë studimet me kohë të pjesshme në një nga degët e Fakultetit të Ekonomisë, kryesisht financë ose kontabilitet;
c.Audituesit me profil ekonomist, të aplikojnë për rregjistrimnë programin e trajnimit për marrjen e dëshmisë ‘Për Auditimin e Brendshëm në Sektorin Publik’ pranë Njësisë Qendrore të Harmonizimit dhe Auditimit të Brendshem, ose për fitimin Çertifikatës si Kontabilist i Miratuar deri tek Ekspert Kontabël. Ne sistemin me kohe te pjesshme te ndjekin Masterin ne Kontabilitet;
d.Audituesit, në varësi të profilit të diplomimit mund të fitojnë tituj si Ekspertë në fusha të ndryshme, p.sh. në Vlerësimin e Pasurive të Paluajtshme, etj.
2.Në vijimësi të inkurajohen dhe ngrihen në detyrë ata auditues që do të dëshmojnë çertifikimin e gjuhës angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Tiranës ose Çertifikatën e I-rë të Cambridge. Në këtë drejtim, puna të vazhdojë e pandërprerë dhe me intensitet.
3.Me ndjekjen dhe zbatimin e këtij Udhëzimi ngarkohen respektivisht Drejtorët e Departamenteve të Auditimit dhe Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Metodologjisë.
4. Për të gjithë audituesit që do të respektojnë rekomandimet e sipërcituara, nga KLSH do t’u krijohen kushte lehtësuese për ndjekjen e studimeve.
5.Respektimi i rekomandimeve përbën kusht favorizues për karrierën e audituesve.
6.Ky Udhëzim hyn në fuqi menjëherë.

 

Bujar LESKAJ

 

K R Y E T A R