"KLSH merr pjesë në Konferencën EUROSAI-OLACEFS"
03.10.2012
Në datat 17-18 Shtator 2012 në Tbilisi, Gjeorgji u zhvillua Konferenca e VII-të e organizatave EUROSAI dhe OLACEFS, me temë “Roli i institucioneve supreme të auditimit në mirëqeverisjen e sektorit publik“. Në këtë konferencë mori pjesë një delegacion i Kontrollit te Lartë të Shtetit, i kryesuar nga Kryetari z. Bujar Leskaj.
Pjesëmarrës të kësaj konference ishin përfaqësues të 38 vendeve (delegacione të kryesuara nga Presidentët e organizatave supreme të auditimit) anëtarë të EUROSAI (organizata e Institucioneve Supreme të Auditimit të Europës) dhe OLACEFS (Organizata e Institucioneve Supreme të Auditimit të Amerikes Latine dhe Karaibeve).
Konferenca u fokusua në dy drejtime kryesore, në rritjen e besueshmërisë së palëve të interesuara, nëpërmjet auditimt të integritetit dhe përgjegjshmërisë menaxheriale e filozofisë dhe sjelljes së titullarit, si dhe në reformën e menaxhimit financiar publik, me tendencat dhe mësimet e nxjerra.
Kryetari i delegacionit të KLSH z. Leskaj zhvilloi një sërë takimesh me homologët e SAI-ve pjesëmarrës në këtë konferencë, si me Presidentin e Gjykatës së Llogarive të Sllovenisë, Dr. Igor Šoltes, me Presidentin e Zyrës së Auditimit Suprem (NIK) të Polonisë, z. Jacek Jezierski, me Presidentin e Gjykatës së Llogarive të Turqisë Dr. Recai Akyel, etj.
Tema e bisedimeve ishte mbarëvajtja e marrëveshjeve të bashkëpunimit të lidhura tashmë me disa nga këto institucione, si dhe zgjerimi e forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me këto institucione, në drejtim të shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjellta dhe forcimit të kapaciteteve audituese të KLSH-së, me anë të trajnimeve të ndryshme në fushat e auditimit të performancës, auditimit të pajtueshmërisë apo çertifikimit të pasqyrave financiare.
Nga ana e homologëve të SAI-ve të Sllovenisë, Polonisë dhe Turqisë u shpreh gadishmëri e plotë për mbështetjen dhe ndihmën që këto SAI do të ofrojnë për rritjen e kapaciteteve audituese KLSH-së.
Në përfundim të punimeve të këtij aktiviteti, të dy organizatat EUROSAI dhe OLACEFS dolën me një deklaratë të përbashkët, në të cilën ndër të tjera cilësohet: “Të dy organizatat e mësipërme inkurajohen të shpërndajnë parimet e përgjegjshmërisë menaxheriale, të transparencës e integritetit si dhe të punojnë së bashku me qëllim që të auditojnë dhe promovojnë rritjen e efiçiencës dhe efektivitetit në menaxhimin e burimeve publike në dobi të qytetarëve”.