Njoftime

Kryetari i KLSH-së zhvilloi një takim me përfaqësues të DG Budget

04.10.2012

Me datën 04 tetor 2012, Kryetari i KLSH, z. Bujar Leskaj zhvilloi një takim me Misionin Vlerësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit të Komisionit Evropian për mbarëvajtjen e financave publike të Shqipërisë, të kryesuar nga z. Robert Gielisse, Drejtor Njësie në DG-Budget.

Z. Leskaj e informoi misionin për hapat reformues të ndërmarra nga KLSH gjate periudhës janar-shtator 2012, të përqendruar në rritjen e kapaciteteve audituese të institucionit, nëpërmjet trajnimeve intensive brenda dhe jashtë vendit, në thellimin e luftës kundër korrupsionit, nëpërmjet bashkëpunimit me Institucionet publike si dhe me organizatat e shoqërisë civile, po ashtu dhe nëpërmjet shtimit të ndjeshëm të kallëzimeve penale për punonjësit e kapur në abuzim flagrant me fondet buxhetore. Ai e njohu Misionit e KE-së me përmbajtjen dhe risitë e Raportit për Zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2011, që KLSH sapo kishte dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Z. Gielisse falënderoi për ekspozenë dhe u tregua veçanërisht i interesuar për gjetjet dhe rekomandimet e KLSH ndaj strukturave të auditimit të brendshëm. Z. Gielisse sqaroi së progresi në menaxhimin e financave publike është në fokus të BE-së dhe përshëndeti Marrëveshjen e 8 majit 2012, të arritur mes KLSH dhe Ministrisë së Financave për bashkëpunimin mes dy strukturave të auditimit, atij suprem të jashtëm dhe auditimit të brendshëm.   

Ai siguroi për mbështetjen në vijimësi të reformave të KLSH-së, nga ana e DG-Budget dhe u tregua i gatshëm që, kundrejt kërkesës nga KLSH, DG-Budget të këshillojë për hapat e mëtejshëm në drejtim të miratimit të një ligji të ri modern për KLSH.