Bashkitë Gramsh, Krujë, Pukë, Klos-Mat dhe Burrel: dëm të konsiderueshëm ndaj Buxhetit të Shtetit për periudhën 01/01/2010 – 31/12/2011
10.11.2012
Dëme ekonomike në miliona lekë, mangësi për lejet e ndërtimit, kontratat e punës dhe menaxhimin e territorit. Shkeljet e konstatuara janë dërguar nga KLSH për vlerësim në Prokurori, në lidhje me elementët e veprës penale.
KLSH, në zbatim të programit të tij të auditimit për vitin 2012, ka kryer auditim në bashkitë Gramsh, Krujë, Burrel, Klos dhe Pukë me objekt: “Mbi vlerësimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, aktivitetit ekonomik e financiar, prokurimet me fonde publike, taksat dhe tarifat vendore, procedurat e shqyrtimit dhe miratimit të studimeve urbanistike, shesheve e lejeve të ndërtimit, lejeve të shfrytëzimit, administrimin e aseteve, dhënien me qira të objekteve pronë publike, funksionimi i policisë bashkiake, etj”.
1. Në bashkinë Gramsh, dëmi ekonomik i konstatuar është mbi 2 milionë lekë. Nga Auditimi i dosjes teknike për ndërtimin e objektit “Depo e ujit të pijshëm 2,000 m3” Gramsh, për përmirësimin e furnizimit me ujë 24 orë në ditë, me fonde të buxhetit të shtetit, investimi nuk është vënë asnjëherë në shfrytëzim që nga viti 2005. Shkeljet e konstatuara janë dërguar nga KLSH për vlerësim në Prokurori në lidhje me elementet e veprës penale dhe personat përgjegjës.
Nga auditimi i menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm rezultojnë përfitime të padrejta në shumën 530 mijë lekë (shoqëria e pastrimit të qytetit), në financimin e projekteve kulturore me rreth 225 mijë lekë, si dhe përfitime të padrejta në kryerjen e shërbimeve me 116 mijë lekë.
Nga ana e KLSH u rekomanduan shpërblim dëmi me vlerë 2,055,003 lekë, 14 Masa organizative, 8 masa shpërblim dëmi dhe 2 masa disiplinore, si dhe fillimi i procedurave për largimin nga Shërbimi Civil të Kryeinspektorit të INUV të Bashkisë Gramsh dhe gjobë 50,000 lekë ndaj 2 mbikqyrësve të punimeve.
2. Në bashkinë Krujë, dëmi ekonomik i konstatuar është 3.2 milione lekë. Nuk janë zbatuar rekomandimet e KLSH-së të dërguara në përfundim të auditimeve për vitet 2008-2009, për pagesa të paargumentuara me dokumentet përkatëse në vlerën prej 2,546,661 lekë.
Gjithashtu, nuk janë zbatuar dispozitat ligjore në drejtim të arkëtimit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore duke krijuar një mungesë të ardhurash prej 4,677,000 lekë, nga 141 subjekte me aktivitet kryesisht “inerte”, që i përkasin biznesit të vogël dhe biznesit të madh. 10 subjekte që i përkasin biznesit të madh nuk kanë shlyer detyrimet për 2 vjet radhazi në vlerën 1,960,420 lekë.
KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Krujë 30 masa organizative ndër të cilat theksojmë:
- Inspektorati ndërtimor urbanistik vendor, të fillojë menjëherë veprimet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme me destinacion furra gëlqere që operojnë në territorin administrativ të Bashkisë Krujë.
- Hartimin e një programi të posaçëm pune për arkëtimin e të ardhurave nga taksat dhe tarifat nga 141 subjekte debitorë.
- Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV), dhe Zyra e Urbanistikës, të evidentojë ndërtimet pa leje dhe të aplikojë gjoba ndaj subjekteve ndërtuese në kundërshtim me ligjin.
- KLSH i ka rekomanduar Kryetarit të Bashkisë Krujë të fillojë procedurat për zgjidhjen e kontratës së punës për 6 punonjës.
3. Në bashkinë Burrel, dëmi ekonomik i konstatuar është 3 milione lekë.
- Janë emëruar në detyrë 2 punonjës policie mbi normativën e përcaktuar me VKM nr. 313, datë 01.07.2002, me dëm ekonomik prej 1,536,000 lekë.
- Nga pagesa e dietave për fjetje në hotel të klubit shumësportësh është konstatuar se në disa praktika dokumentacioni i administruar nuk rezultonte në përputhje më kuadrin ligjor, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 504,900 lekë.
- Në procedurën e prokurimeve, per shkak te mangësive dhe shkeljeve ne fazat e ndryshme te prokurimit eshte shkaktuar një dëm ekonomik prej 523,502 lekë.
Për përmirësimin e gjendjes, KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Burrel 23 masa organizative si dhe ka rekomanduar për Bashkinë Burrel dhe Agjencisë së Prokurimit Publik dhënien e 5 masave administrative dhe disiplinore për 14 punonjës e ish-punonjës, ndër të cilat përmendim:
- Gjoba në masën 50,000 lekë për 5 (pesë) anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave,
- Masa disiplinore për 3 (tre) anëtarë të Njësisë së Prokurimit, etj.
Per shkeljet me pasojë krijimin e një dëmi ekonomik në vlerën prej 3,083,294 lekë, KLSH i ka rekomanduar Bashkisë të kërkojë arkëtimin e saj në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe në të gjitha shkallët e gjykimit.
4. Në bashkinë Klos, Mat dëmi ekonomik i konstatuar është 3 milione lekë.
- Në 4 objekte ndërtimi, në kundërshtim me kontratat e lidhura dhe mos zbatimin e preventivave të ofertës fituese për secilin objekt janë raportuar më tepër punime në vlerën 1,311,000 lekë.
- Këshilli Bashkiak Klos, u ka dhënë tokë truall me qira 9 qytetarëve, por 6 prej tyre nuk kishin lidhur ende kontratë, duke mos paguar në arkën e Bashkisë Klos vlerën prej 881,888 lekë.
- Nuk janë marrë masa dhe nuk janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore, për arkëtimin e detyrimeve tatimore, për pasojë më datën 30.06.2012 janë 88 subjekte debitore në vlerën 3 milionë lekë.
KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Klos 9 masa organizative, ndër të cilat:
- Për 88 subjekte debitorë në vlerën 3 milionë lekë, të ndiqen procedurat ligjore duke ju dërguar Bankave urdhrat e bllokimit të llogarive në banka, bazuar ne ligjin “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
- I ka rekomanduar Bashkisë Klos shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në shumën 3,009,913 lekë, dhe krahas kryerjes së kontabilizimit, të kërkojë në rrugë ligjore duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe në të gjitha shkallët e gjykimit për arkëtimin e kësaj vlere.
KLSH për shkeljet e konstatuara ka rekomanduar marrjen e 17 masave disiplinore dhe administrative si: ndëshkimi administrativisht duke aplikuar gjobë në masën e 1 page mujore për 2 punonjës, të vendosë gjobë për 3 mbikëqyrës të punimeve të ndërtimit, si dhe zgjidhjen e Kontratës së Punësimit për 2 punonjës.
5. Në bashkinë Pukë dëmi ekonomik i konstatuar është 3 milione lekë.
Nga Auditimi mbi zbatimin e buxhetit të Bashkisë janë konstatuar shkelje me pasojë krijimin e një dëmi ekonomik në vlerën prej 3,051,597 lekë.
Në fushën e prokurimeve janë konstatuar shkelje me pasojë krijimin e një dëmi ekonomik:
- Për 3 persona në vlerën 318,000 lekë, me cilësinë e anëtarit/es të njesisë së prokurimit, kanë llogaritur gabim fondin limit në tenderat e vitit 2010.
Nga auditimi për taksat lokale jane konstatuar detyrime për taksat lokale të pa vjela në vitin 2011 për 25 subjekte në shumën 1,085,779 lekë, në zbatim të kërkesave të ligjit “Për sistemin e taksave vendore” dhe ligjit “Për procedurat tatimore në republikën e Shqipërisë”.
Nga auditimi në fushën e urbanistikës, per Detyrimin për 9 subjekte ndërtimore eshte llogaritur taksa e lejes së ndërtimit më pak se kërkesat ligjore për shumën 240,617 lekë.
KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Pukë arkëtimin në rrugë ligjore të shumave të mësipërme. Gjithashtu për përmirësimin e gjendjes, janë rekomanduar masa organizative që konsistojnë në ritjen e performancës për vjeljen e të ardhurave nga taksat lokale, dhe përmirësimin e strukturës organizative.