Njoftime

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit midis KLSH-së dhe midis Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë

27.11.2012

Më datë 27 nëntor 2012, duke zgjedhur qytetin e Vlorës në respekt të 100 vjetorit të pavarësisë, z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe z. Ivan Klešić, Auditues i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja u përgatit në bazë të parimeve të respektit, besimit dhe bashkëpunimit dypalësh të organizatës ndërkombëtare të institucioneve të auditimit suprem (INTOSAI) si edhe të organizatës europiane të institucioneve të auditimit suprem (EUROSAI), nën moton e INTOSAI-it “Eksperienca e përbashkët ju shërben të gjithëve“.

Ajo parashikon shkëmbimin e mësimeve të nxjerra nga aktiviteti auditues, trajnimin e audituesve dhe këshillimin mbi metodat e auditimit, duke përdorur eksperiencën e fituar nga të tjerët si bazë për rritjen e efektivitetit dhe efiçiences së auditimit.

Dokumenti i nënshkruar është i rëndësishëm për KLSH-në, pasi Zyra Shtetrore e Auditimit e Kroacisë është një institucion i zhvilluar i auditimit suprem në rajon dhe më gjerë në evropë.

Nëpërmjet mbështetjes së parashikuar në marrëveshje, KLSH dhe zyra Shteterore e Auditimit e Kroacisë do të shkëmbejnë eksperiencë në auditimin e performancës, në atë financiar, të përputhshmërisë dhe të teknologjisë së informacionit, si dhe në çertifikimin e deklaratave financiare.

Të pranishëm në nënshkrim ishin edhe delegacionet e institucioneve më të larta të auditimit të Sllovenisë, Kosovës dhe Turqisë, të kryesuara përkatësisht nga dr. Igor Šoltes, president i Gjykatës së Llogarive të Sllovenisë, z. Lars Lage Olofsson, Auditues i Përgjithshëm i Zyrës së Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës dhe z. Hiqmet Cavit Erdogan, Anëtar i Lartë i Dhomës së Gjykatës së Llogarive të Turqisë, të cilat kishin ardhur me rastin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë.