KLSH zhvillon analizën vjetore 2012
01.02.2013
Më datën 30 janar 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi analizën e tij vjetore 2012, me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës, z. Lars Lage Olofsson, z. Joop Vrolijk, Këshilltar i Lartë i SIGMA, zj. Klodjana Cankja, Drejtore e Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe shumë përfaqësuesve të shoqërisë civile, aktivë në luftën kundër korrupsionit dhe për transparencë në administrimin publik.
Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj theksoi se transparenca dhe llogaridhënia janë dy parimet kryesore të qeverisjes së mirë në sektorin publik dhe përgjegjësia e KLSH si institucioni më i lartë i auditimit te jashtem publik është që të kontribuojë në transparencën dhe llogaridhënien e menaxhimit të fondeve publike. “Këtë kontribut KLSH e ka pasur në fokus të çdo auditimi. Gjatë vitit 2012, institucioni ka realizuar 177 auditime nga 153 të planifikuara dhe ka përfunduar plotësisht 158 auditime”, tha z. Leskaj.
Gjatë auditimeve të kryera në vitin 2012 (me periudhe 2-3 vjeçare aktiviteti të entit që auditohet), KLSH ka vërejtur parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat e mbledhura dhe në shpenzimet e kryera nga entet publike të audituara, institucione te Pushtetit Qendror dhe Vendor, me dëm ndaj Buxhetit të Shtetit në shumën 13, 522, 392, 000 lekë, ose 97.3 milione euro. Institucioni ka rekomanduar që kjo shumë të zhdëmtohet në masën 100 përqind.
KLSH gjatë vitit 2012 ka kryer 40 kallëzime penale për 125 punonjës të administratës shtetërore të niveleve të ndryshme, ose 2 herë më shumë kallëzime nga sa institucioni ka bërë në tre vitet 2009-2011 të marra së bashku.
Sipas Kryetarit Leskaj, puna e institucionit shkon në sinkron me Strategjinë Ndërsektoriale të Parandalimit, Luftës kundër Korrupsionit dhe Qeverisjes Transparente 2008-2013 të qeverisë Berisha, e cila kërkon një bashkëpunim më të ngushtë të institucioneve kryesore që e luftojnë korrupsionin, të bazuar në angazhime të përbashkëta të institucionalizuara.
Për më shumë fjala e Kryetarit të KLSH-së në Analizën Vjetore 2012
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në përshëndetjen e tij e cilësoi KLSH si një prej institucioneve kryesore të kolonës së shtetit ligjor. “Transparenca e një institucioni auditues është dhe pjesë e profesionalizmit, është pjesë e përgjegjësisë, por edhe pjesë e suksesit të punës suaj “, iu drejtua Presidenti audituesve te KLSH. “Transparenca e punës suaj i jep impulsin në mënyrën se si më pas e gjithë shoqëria dhe institucionet që kanë përgjegjësi për çka ju ushtroni në detyrën tuaj, të reflektojnë dhe të përcaktojnë ecurinë e punës së tyre në vijimësi”. Me tej, Presidenti Nishani theksoi se korrupsioni është një betejë e përhershme e një shoqërie. Themelore është se si instrumentet e një shteti, instrumentet e një shoqërie përballen me këtë fenomen, e godasin dhe e trajtojnë këtë fenomen. Profesionalizmi, transparenca janë domosdoshmëri dhe kushtëzim i suksesit që KLSH mund të ketë në luftën ndaj korrupsionit.
Në fund të përshëndetjes së tij, Presidenti garantoi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ndjekë dhe do të monitorojë me shumë vëmendje sjelljen ligjore të trupës gjyqësore ndaj të gjitha çështjeve të iniciuara nga KLSH, të hetuara nga Prokuroria dhe të paraqitura në Gjykatë.
Prokurori i Përgjithshëm z. Adriatik Llalla në fjalën e tij vlerësoi se nga ana e KLSH janë bërë përpjekje të dukshme në evidentimin e shkeljeve të ligjit, të cilat janë vlerësuar se përbëjnë vepra penale në fushën e administrimit të fondeve dhe pronës publike. Ai u shpreh i bindur se vijimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve do të japë frytet e tij në drejtim të rritjes së cilësisë së evidentimit të veprave penale dhe hetimit të tyre, duke dërguar në gjykatë në afate sa më të shpejta, personat e veshur me pushtet publiklik, të cilët abuzojnë me detyrën.
Në analizën e KLSH përshëndeti edhe z. Lars Lage Olofsson, Auditues i Përgjithshëm i Kosovës, i cili vlerësoi marrëveshjen e bashkëpunimit mes KLSH dhe Zyrës së Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës si efikase për të dyja palët dhe premtoi vijimin e aktiviteteve trajnuese dhe të shkëmbimit të eksperiencës dhe gjatë këtij viti.
Analiza vijoi me raportimet e Drejtorit të Përgjithshëm të KLSH, z. Robert Gjini dhe të drejtorëve të departamenteve të auditimit për auditimet e kryesore, konstatimet dhe problematikën e hasur. Diskutuan dhe auditues me përvojë dhe auditues të rinj, të cilët dhanë mendimet tyre në përqasjen e institucionit dhe përmirësimin e procesit të auditimit.
Në adresimin e tij, z. Joop Vrolijk, Këshilltar i Lartë i SIGMA vlerësoi lart përafrimin e ri strategjik të KLSH dhe konfirmoi mbështetjen intensive të programit të BE-së që përfaqëson, në vijimin e trajnimeve për KLSH, të procesit të dhënies së opinionit për deklaratat financiare dhe të çertifikimit të audituesve.