KLSH merr pjesë në Simpoziumin e 22-të të INTOSAI
12.03.2013
Në Vjenë, në datat 05-07 Mars u mbajt Simpoziumi i 22-të i OKB/INTOSAI, i organizuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i INTOSAI, në bashkëpunim me Departamentin e Kombeve të Bashkuara për Ekonominë dhe Çështjet sociale (UN-DESA).
Në simpozium ishin më shumë se 150 pjesëmarrës nga 60 shtete te ndryshme dhe midis tyre më shumë se 40 Kryetarë të Institucioneve Supreme të Auditimit, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare (UN-DESA, UNODC, UNEP, OECD, GIZ). Simpoziumin e nderuan me praninë e tyre përfaqësues të lartë nga Kombet e Bashkuara z.Wu Hongbo, Nën Sekretar i Përgjithshëm për Ekonominë dhe Çështjet Sociale; Kryetarja e Parlamentit Austriak zj. Barbara Prammer dhe Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme Dr. Reinhold Lopatka.
Në këtë forum mori pjesë dhe KLSH me një ekip pune, të përbërë nga Kryetari z. Bujar Leskaj, Drejtori i Auditimit të Performancës z. Reinald Muça, Përgjegjësja e Sektorit të Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit zj. Irena Islami dhe Audituesja e Lartë zj. Keida Muça.
Tema kryesore e simpoziumit ishte "Auditimi dhe Këshillimi nga Institucionet Supreme te Auditimit: Risqet dhe mundësitë, si edhe shanset e angazhimit qytetar", e cila u materializua nëpërmjet këtyre nën-temave :
1.Auditimi dhe këshillimi nga SAI-t: Kërkesat dhe mundësitë për auditimin e qeverisjes.
2.Risqet dhe mundësitë e auditimit dhe këshillimit nga SAI-t.
3.Efektiviteti dhe transparenca e auditimit dhe këshillimit nëpërmjet angazhimit qytetar.
Hapjen e këtij Simpoziumi e përshëndeti Dr. Josef Moser, Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, i cili prezantoi dhe objektivin e këtij Simpoziumi. Sipas z. Moser, duke synuar t’i qëndrojmë besnikë motos së INTOSAI-t Experientia mutua omnibus prodest (eksperienca e përbashkët i shërben të gjithëve), ky simpozium ka si qëllim:
-Identifikimin e mënyrave dhe mjeteve të përdorura nga SAI-t për të kontribuar në mënyrë sa më efektive në përmirësimin e ekonomisë dhe efiçencës së qeverisjes,
-Evidentimi i masave të nevojshme për të përfituar nga avantazhet dhe për të evituar risqet, si dhe
-Rëndësia e shembujve që mund të shërbejnë si modelet më të mira praktike
Në vijim përshëndeti këtë Simpozium Z. Wu Hongbo, Nën Sekretari i Përgjithshëm për Çështjet Ekonomike dhe Sociale i Kombeve të Bashkuara (UN DESA). Në fjalën e tij z. Hongbo theksoi se SAI-t promovojnë transparencën, llogaridhënien duke kontribuar në këtë mënyrë në një qeverisje publike efektive. Duke marrë parasysh eksperiencën e SAI-ve, këshillat e tyre të vazhdueshme mbi mbrojtjen e burimeve financiare publike janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm.
Në lidhje me temën e parë, “Auditimi dhe këshillimi nga SAI-t; Kërkesat dhe mundësitë për auditimin e qeverisjes”, u ndoqën prezantimet e mëposhtme:
1.Auditimi dhe këshillimi në kontekstin e auditimit të performancës nga SAI-t e Brazilit dhe Kamerunit.
Për SAI-n e Brazilit referoi z. Carlos Alberto Sampaio de Freitas i cili në prezantimin e tij theksoi faktin se këshillimi nga ana e SAI-ve është një qasje e rëndësishme në auditimin e performancës dhe duhet të dimensionohet në përputhje me strategjinë e SAI-t dhe duke marrë parasysh realitetin politik dhe administrativ të një vendi. Njohja e kufijve dhe mundësive nga SAI-t çon në përmirësimin e qëllimit të tyre strategjik.
Për SAI-n e Kamerunit referoi z. Celestin Mgoba Ankamtsene, i cili në prezantimin e tij u përqendrua në specifikat e funksionit të kontrollit në kontekstin e auditimit të performancës, sfidat dhe limitet në funksionin e kontrollit të auditimit të performancës, si shfaqet funksioni i këshillimit në auditimin e performancës si dhe sfidat dhe limitet në funksionin e këshillimit të auditimit të performancës.
2.Vlerat dhe përfitimet e auditimit dhe këshillimit sipas perspektivës së organizatave donatore, nga Dr. Barbara Dutzler, Shoqëria Gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (Deutsche Gesellschaft für internationale Zusammenarbeit, GIZ).
Në prezantimin e saj Dr. Barbara Dutzler u përqendrua në 3 momente:
a.Arsyeja pse GIZ mbështet SAI-t, është fakti që SAI-t mund te sjellin ndryshime në jetën e qytetarëve;
b.Mënyra e mbështetjes së SAI-ve nga GIZ, e cila kryhet nëpërmjet dhënies së këshillimeve afatgjata;
c.Mësimet e nxjerra: Në shumë vende në zhvillim, ende nuk kuptohet siç duhet roli që luajnë degë të ndryshme të qeverisjes dhe për rrjedhim nuk kuptohet siç duhet kontrolli, auditimi dhe këshillimi.
3.Vlerat dhe përfitimet e auditimit dhe këshillimit sipas perspektivës së klientëve të auditimit: entet legjislative dhe të auditimit nga Z. Hon. A.F. Mahlalela, Kryetar i Organizatës së Llogaridhënies Publike të Zhvillimit të Komunitetit të Afrikës së Jugut (SADCOPAC).
Z.Mahlalela në fjalën e tij u përqendrua në dhënien e mesazheve të qarta dhe të thjeshta të auditimeve, ndërveprimin e rregullt të SAI-ve dhe legjislativit, mbështetja dhe këshillimi në nivelin e Shoqatës së Komiteteve Publike të Llogarisë. Z. Mahlalela e mbylli fjalën e tij duke theksuar se sipas tij bashkëpunimi ndërmjet legjislativit dhe SAI-ve është një nga marrëdhëniet me më shumë përfitime dhe të vlefshme e që mbështet qeverisjen e mirë në të gjithë botën.
4.Sfidat e SAI-t në lidhje me mënyrat e qëndrueshme dhe efikase për të komunikuar gjetjet e auditimit dhe rekomandimet, nga SAI-t e Polonisë dhe SHBA-së.
Për SAI-n e Polonisë referoi Z. Jacek Jezierski, president i Zyrës së Lartë të Auditimit të Polonisë, i cili në fjalën e tij theksoi se pavarësisht nëse merremi me auditimin apo këshillimin, duhet t’i qëndrojmë besnikë idesë së ndikimit që duam të kemi. Ne duhet t'i trajtojnë komunikimin dhe raportimin si mjete për të siguruar impaktin tonë dhe për këtë na nevojitet një sistem i mirë i ndjekjes së auditimit për të qenë të sigurt se impakti që do të arrijmë ka të bëjë me vlerën e parasë.
Për SAI-n e SHBA-së referoi z. Timothy P. Bowling, PHD, Shef i Zyrës së Cilësisë në Zyrën e Lartë të Llogarisë në SHBA, i cili u ndal në çështje si sfidat që hasin SAI-t në procesin e komunikimit, principet kryesore të komunikimit, instrumentet dhe mjetet në komunikimin me qytetarët dhe palët e tjera të interesuara, instrumentet dhe mjetet për promovimin e pjesëmarrjes së palëve të interesuara në procesin e auditimit, etj.
Në lidhje me temën e dytë, “Risqet dhe mundësitë e auditimit dhe këshillimit nga SAI-t”, u ndoqën prezantimet e mëposhtme:
1.Bashkëpunimi, komunikimi dhe masat e performancës si bazë për vlerat dhe përfitimet e SAI-ve nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI) dhe SAI i Xhamajkës.
Për IDI referoi z. Einar Gorrissen, i cili në prezantimin e tij u përqendrua në matjen e performancës së kuadrit ligjor të SAI-ve.
Prezantimi i SAI-t të Xhamajkës u përqendrua në rritjen e efektivitetit nëpërmjet bashkëpunimit me pushtetin legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv.
2.Kufijtë ndërmjet auditimit dhe këshillimit të SAI-ve dhe auditi bashkekzistues/i brendshëm nga SAI-t e Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) dhe Koresë
Prezantimi i SAI-t të Emirateve të Bashkuara Arabe u përqendrua në kufijtë që hasin auditi i jashtëm dhe i brendshëm sipas perspektivës së UAE.
Prezantimi i SAI-t të Koresë u përqendrua në shtyllat e ligjit mbi auditimin në sektorin publik, në arritjet dhe sfidat si dhe në rolin e SAI-t të Koresë në zhvillimin e auditimit publik.
3.Afatet kohore të auditimit dhe këshillimit si një faktor në efektivitetin e SAI-ve, nga SAI-t e Samoas dhe Federatës Ruse.
Për SAI-n e Samoas referoi z. Lyn Provost, Kontrollor dhe Auditues i Përgjithshëm i SAI-t, i cili në prezantimin e tij u përqendrua në kërkesat e raportimit për subjektet publike në Zelandën e Re, faktorët që ndikojnë në afatet kohore të raportimit nga subjektet publike si dhe rëndësinë e afateve kohore në procesin e auditimit.
Për SAI-n e Federatës Ruse referoi Dr. Sergey Stepashin, i cili në prezantimin e tij u përqendrua në afatet kohore të auditimit, analizat dhe përpunimin e rekomandimeve si faktorë që ndikojnë në efektivitetin e SAI-ve.
Në lidhje me temën e tretë, “Efektiviteti dhe transparenca e auditimit dhe këshillimit nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve”, u ndoqën prezantimet e mëposhtme:
1.Praktikat për angazhimin e qytetarëve në auditim dhe këshillim nga ana e SAI-ve, nga SAI i Danimarkës dhe Kilit.
Për SAI-n e Danimarkës referoi z. Henrik Berg Rasmussen, Drejtor në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Danimarkës, i cili në prezantimin e tij u ndal në avantazhet që vijnë nga bashkëpunimi me organizatat shoqërore. Sipas z. Rasmussen këto organizata japin kontributin e tyre në kuptimin e subjekteve në mënyrë të përgjithshme si dhe në hartimin e auditimeve të veçantë. Zgjedhja e subjekteve për auditim bëhet duke parë rëndësinë që kanë këto subjekte për qytetarët. Në përfundim të auditimeve ne synojmë publikimin e rezultateve të auditimit në një mënyrë që të jetë e lexueshme për qytetarët theksoi në fund z. Rasmussen.
Për SAI-n e Kilit referoi z. Ramiro Mendoza Zúñiga, Kontrollor Gjeneral i Republikës së Kilit dhe Sekretar Ekzekutiv i OLACEFS, i cili në prezantimin e tij u përqendrua në parimet bazë të qeverisjes dhe kohezionit social, kontrollin dhe qytetarët në Amerikën Latine, transparencën e praktikave të një SAI, praktikat e llogaridhënies bazuar në menaxhimin e llogaridhënies sikurse dhe në integritetin dhe cilësinë e stafit të një SAI.
2.Mundësia e angazhimit të qytetarëve nga SAI-t me qëllim rritjen e llogaridhënies publike në zhvillimin e qëndrueshëm nga Elia Armstrong, Shefe e Degës së Menaxhimit të Zhvillimit, UN DESA.
Zj.Armstrong në prezantimin e saj u përqendrua në vendin që i takon llogaridhënies publike në zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo theksoi se SAI-t mund të angazhojnë qytetarët në punën e tyre me qëllim përmirësimin e llogaridhënies publike. Angazhimi i qytetarëve mund të bëhet gjatë fazave të informimit, konsultimit dhe vendimmarrjes, nëpërmjet proceseve interaktive.
3.Qeverisja e mirë: Mbrojtja e burimeve publike në përfitim të qytetarëve, nga Zj. Margaret Saner, nga Komiteti i Ekspertëve të Administrimit Publik të Kombeve të Bashkuara (CEPA).
Në prezantimin e saj Zj. Saner u përqendrua në auditimin sipas kontekstit lokal, në sqarimin e konceptit të përfshirjes së qytetarëve, ku sipas saj ekziston një spektër i gjerë i formave të angazhimit të qytetarëve duke filluar nga ofrimi i thjeshtë i informacionit nëpërmjet konsultimit dhe pjesëmarrjes deri në vendimmarrje nëpërmjet dhënies së zgjidhjeve në bashkëpunim.
Kryetari i KLSH, Dr. Bujar Leskaj, gjatë qëndrimit të tij në Vjenë, në datën 6 mars 2013, zhvilloi një takim me Dr. Josef Moser, Kryetar i Gjykatës Austriake të Auditimit dhe njëherazi, Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI. Te dyja palët shfaqen dëshirën për t’i intensifikuar ne te ardhmen marrëdhëniet dypalëshe te bashkëpunimit dhe marrëdhëniet e INTOSAI me një vend anëtar si Shqipëria. Ne këtë takim u konfirmua nënshkrimi së shpejti i marrëveshjes së bashkëpunimit midis Gjykatës Austriake të Auditimit (ACA) dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky bashkëpunim me një SAI të zhvilluar si ACA do të ndihmojë KLSH për të reformuar institucionin sipas parimeve dhe standardeve të INTOSAI dhe për të arritur objektivat e tij konkrete te ngritjes se kapaciteteve audituese te stafit. Ne këtë drejtim, zhvillimi i bashkëpunimit profesional dhe teknik ndërmjet palëve do të ketë prioritet trajnimin e stafit, duke përfituar nga eksperienca e gjatë mbi 200 vjeçare e ACA.
Në të njëjtën ditë, Kryetari i KLSH takoi Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Z. Jacek Jezierski, si dhe Kryetarin e Gjykatës Turke te Llogarive, Prof. Ass. Dr. Recai Akyel. Në këto takim u evidentua zbatimi i mire i deritanishëm i marrëveshjeve të bashkëpunimit lidhur me këto dy SAI (institucione supreme te auditimit) te mëdha dhe te zhvilluara dhe u theksua, në veçanti, vazhdimi i bashkëpunimit në fushën e trajnimeve, ku u konfirmua dërgimi ne Poloni i dy grupeve te audituesve nga KLSH deri në fund të muajit maj të këtij viti, si dhe dërgimi i një grupi te trete audituesish ne Turqi.
Nga këto takime u konfirmua po ashtu se secili nga këto personalitete, z. Josef Moser, z. Jacek Jezierski dhe z. Recai Akyel do të vizitojnë së shpejti Shqipërinë, në një kohë të përshtatshme për ta.
Në ditën e fundit të Simpoziumit pjesëmarrësit miratuan konkluzionet dhe rekomandimet e takimit. Për më shumë