Njoftime

KLSH merr pjesë në Konferencën e IV të përbashkët EUROSAI-ARABOSAI

20.04.2013

Konferenca e IV e përbashkët EUROSAI/ARABOSAI u zhvillua në datat 16-18 prill 2013, në Baku, Azerbajxhan. Në këtë konferencë morën pjesë 117 pjesëmarrës nga 52 shtete të ndryshme anëtare të EUROSAI-t dhe ARABOSAI-t. Mes tyre kishte edhe Kryetarë të Institucioneve Supreme të Auditimit.
Konferencën e nderuan me praninë e tyre z. Guilherme d’Olivera Martines, President i Eurosai-t dhe njëherazi President i Gjykatës së Llogarive të Portugalisë, z. Ramon Alvarez de Miranda Garcia, Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe President i Gjykatës së Llogarive të Spanjës, z. Antonius Broek, Kordinatori rezident i Kombeve të Bashkuara, z. Osama Faquih, Kryetar i ARABOSAI-t, etj.

baku

Konferenca e IV e përbashkët EUROSAI/ARABOSAI,  Baku më, 16-18 prill 2013

 

 

Në këtë konferencë KLSH u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga Kryetari z. Bujar Leskaj, Kryeaudituese Albana Agolli dhe Specialiste Dalina Demi.   

 

 

Tema kryesore e konferences ishte "Sfidat e reja për rritjen e kapaciteteve të SAI-ve", e ndarë në tre çështje: 1. Përgjegjësitë e Autoriteteve Publike Supreme që burojnë nga Sfidat e Rezolutes së Asamblesë së Përgjithshme A/66/209, 22 dhjetor 2011. 2. Roli i SAI-ve në arritjen e qëllimeve kombëtare të zhvillimit.
3. Rëndësia për të përcaktuar kufijtë dhe objektivat e kontrollit të jashtëm dhe të brendshëm në përmirësimin e menaxhimit publik financiar.
Lektorët kryesorë që ligjëruan në lidhje me temat e konferencës ishin z. Guilherme d’Olivera Martines, President i Eurosai-t dhe njëherazi President i Gjykatës së Llogarive të Portugalisë, z. Ramon Alvarez de Miranda Garcia, Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe President i Gjykatës së Llogarive të Spanjës, Assoc. Prof. Dr. Recai Akyel, President i Gjykatës turke të Llogarive, z. Wojciek Kutyla, Zëvendëspresident i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, zj. Monika Gonzales-Koss, Drejtoreshë e Planit Strategjik dhe përfaqësuese e Sekretariatit të Përgjithshëm të INTOSAI-t, Gjykata e Llogarive e Austrisë, z. Victor Caldeira, President i Gjykatës Evropiane të Audituesve, etj.
Përgjegjësia e Autoriteteve Publike Supreme që buron nga Sfidat e Rezolutes së Asamblesë së Përgjithshme A/66/209, 22 dhjetor 2011 u diskutua gjatë prezantimeve të pjesëmarrësve të ndryshëm nga SAI-t e Portugalisë, Austrisë, Sudanit, Hungarisë, Polonisë dhe Francës. Në to u afirmua që kjo Rezolutë “Mbi Promovimin e efikasitetit, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke forcuar institucionet supreme të auditimit”, po jep rezultatet e pritshme në sajë të përpjekjeve të SAI-ve në të gjithë botën për sigurimin e pavarësisë së tyre. Këto përpjekje gjejnë suportin e duhur në Deklaratat e Limës dhe Meksikos. Rezoluta u cilësua si një mjet i rëndësishëm për t'u përdorur nga SAI-t. Gjithashtu, secili SAI përmendi masat lokale të ndërmarra pas miratimit të Rezolutës, për të forcuar pavarësinë e tyre dhe ndryshimet e bëra apo që priten të ndodhin në lidhje me zbatimin e kësaj Rezolute.

Roli i SAI-ve në arritjen e qëllimeve kombëtare të zhvillimit u theksua gjatë prezantimeve të pjesëmarrësve nga SAI-t e Arabisë Saudite, Kamerunit, Tunizisë, Marokut, Letonisë, Gjermanisë, Palestinës, Federatës Ruse dhe Ukrainës. Diskutimet nënvizuan rëndësinë e rolit të SAI-ve për rritjen e efikasitetit, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës në menaxhimin publik, me synim arritjen e qëllimeve dhe objektivave kombëtare të zhvillimit në drejtimet prioritare të përcaktuara nga Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit (Milenium Development Goals). Prezantimet vunë në dukje faktin që roli dhe arritjet e SAI-ve ndryshojnë në varësi të realizimit të aspekteve prioritare të strategjive të tyre kombëtare të zhvillimit, si: barazia gjinore, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi rural dhe urban, zhvillimi i qëndrueshëm i arsimit dhe shkencës etj. Gjithashtu, përfaqësuesit bënë një përshkrimin të përgjithshëm të aktiviteteve të veçanta të SAI-ve respektive, vështirësitë e hasura dhe praktikat më të mira, të cilave iu referoheshin.

Rëndësia për të përcaktuar kufijtë dhe objektivat e kontrollit të jashtëm dhe të brendshëm në përmirësimin e menaxhimit publik financiar, u trajtua me prezantimet e pjesëmarrësve nga SAI-t e Spanjës, Katarit, Algjerisë, Azerbajxhanit, Turqisë dhe Egjiptit. Spikatën çështja e përcaktimit të kufijve dhe objektivave të sistemit të kontrollit të financave publike, ajo e përmirësimit të menaxhimit efektiv të financave publike dhe shkëmbimit të pikëpamjeve mbi praktikat ekzistuese në vende të ndryshme. Gjatë diskutimeve u theksua se një nga elementët e rëndësishëm të reformave për sigurimin e efikasitetit, efektivitetit dhe përgjegjshmërisë në financimin publik është ushtrimi i auditimit të jashtëm mbi Buxhetin e Shtetit, në bazë të parimeve të Deklaratës së Limës. Kontrolli mbi fondet publike duhet të kryhet jo vetëm nga njësia e menaxhimit (auditi i brendshëm), por edhe nga një institucion tjetër që nuk merr pjesë në procesin e menaxhimit (auditi i jashtëm).
Kryetari i KLSH, Dr. Bujar Leskaj, gjatë Konferences zhvilloi disa takime pune me Assoc. Prof. Dr. Recai Akyel, President i Gjykatës turke të Llogarive, z.Wojciek Kutyla, Zëvendëspresident i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Z. Naser Ademi, Zëvendësauditori i Përgjithshëm i Maqedonisë, Z. Dzevad Nekic, Zëvendësaudituesi i Përgjithshëm i Bosnjes dhe Herzegovinës, z. Radoslav Sretenovie, President i Institucionit Shtetëror të Auditimit në Serbi, z. Joop Vrojlic, Këshilltar i SIGMA-s, si dhe me përfaqësues të ndryshëm nga INTOSAI dhe EUROSAI. 

Në ditën e fundit të Konferencës, pjesëmarrësit miratuan Deklaratën e Baku-t, e cila, ndër të tjera, konfirmon se:
-Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së A/66/209, datë 22 dhjetor 2011 mbi "Promovimin e efikasitetit, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke forcuar institucionet supreme të auditimit" është një mjet i fuqishëm që duhet të përdoret nga SAI-t në të gjithë botën për të promovuar qeverisjen e mirë publike, si dhe për të siguruar pavarësinë e tyre;
-Sfidat e vazhdueshme për shkak të ndryshimeve të menjëhershme të mjedisit kërkojnë  ngritjen e kapaciteteve të SAI-ve. Komunikimi efektiv ndërmjet SAI-ve të të njëjtit rajon, shkëmbimi i eksperiencave në përcaktimin e përgjegjësive për autoritetet supreme publike, si dhe shkëmbimi i praktikave më të mira shërbejnë për të përmirësuar rritjen e kapaciteteve të SAI-ve;
-Përcaktimi i qartë i kontrollit të jashtëm publik krijon baza të shëndosha për një qeverisje të mirë gjatë zhvillimit të menaxhimit të financave publike.

Deklarata e Baku-së