Njoftime

Takimi i Rrjetit të Koordinatorëve të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE

19.05.2013

flag_banner_en

Në datat 15-17 maj 2013, u zhvillua në Budapest, takimi i radhës i rrjetit të koordinatorëve të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së, Kandidate dhe Kandidate të mundshme për në BE, me pjesëmarrjen e ECA-s dhe SIGMA-s, si edhe bashkëpunimin e JWGAA (grupit të punës të përbashkët për aktivitetet në auditim). Takimi ishte i organizuar nga Zyra e Auditimit të Shtetit të Hungarisë dhe u zhvillua në mjediset e këtij institucioni.

Aktivitetet e këtij rrjeti u prezantuan fillimisht me ecurinë e disa takimeve të organizuara, ku respektivisht SAI i Serbisë informoi lidhur me seminarin mbi «Auditimin e Llogarive Buxhetore», të zhvilluar në Beograd në 1-2 dhjetor 2011. Pas zhvillimit të këtij seminari, SIGMA ka shpërndarë një pyetësor tek vendet pjesëmarrëse, nëpërmjet të cilit është informuar rreth pikave kryesore të trajtuara dhe një raport përfundimtar lidhur me zhvillimet dhe aspekte të tjera që mund të dalin pas zhvillimit të tij, do t’i dërgohet edhe Komisionit Europian, i cili është edhe mbështetësi financiar i aktivitetit.
SIGMA së bashku me JWGAA, paraqitën një përmbledhje lidhur me aktivitetin e dytë të organizuar, seminarin mbi «Kontrollin e Cilësisë», të zhvilluar në Pragë, në 24-26 prill 2012, ku dhe KLSH ka marrë pjesë. Pyetësori lidhur me këtë takim nuk është shpërndarë ende, por ai do të dërgohet së shpejti nga SIGMA për të patur një follow-up lidhur me çështjet e trajtuara gjatë takimit.

Në pjesën e dytë të takimit, i gjithë diskutimi u fokusua lidhur me organizimin e Konferencës së nivelit të lartë mbi «Rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve konstruktive ndërmjet SAI-ve dhe Parlamentit me mbështetjen e SIGMA-s». Grupi i punës i përbërë nga NIK i Polonisë dhe SAI i Malit të Zi, me mbështetjen e SIGMA-s do të
merren me organizimin e eventit, i cili mendohet të zhvillohet në gjysmën e dytë të muajit nëntor si edhe po mendohet nëse ky eveniment mund të organizohet në të njëjtat data me takimin e radhës të Presidentëve të SAI-ve të vendeve Kandidate dhe Kandidate të mundshme, që përkon në atë kohë.
Në Konferencën e nivelit të lartë, u propozua që delegacionet të përbëhen nga 4-5 persona dhe në përbërje të tyre të jenë edhe parlamentarë, akademikë dhe pse jo edhe anëtarë të ekzekutivit, të cilët do të sjellin eksperiencat e tyre lidhur me temën.
SIGMA prezantoi një draft paraprak rreth tematikave të cilat mund të shtrohen për diskutime dhe të përbëjnë temat e konferencës dhe nga të gjithë pjesëmarrësit u shprehën opinione lidhur me ato që mund të ishin më të rëndësishme dhe inovatore për diskutim.
Theksi u vu tek rëndësia e marrëdhënies midis SAI-t dhe Parlamentit pikat e dobta dhe të forta, mënyra sesi raportet e SAI-ve duhet të jenë të qarta dhe të dëgjohen ashtu si duhet nga parlamentarët, auditimet e kërkuara nga vetë parlamentet respektive dhe ndjekja e tyre. Një risi që u prit me interes ishte prezantimi nga ana jonë i marrëdhënieve të ngushta të krijuara nën drejtimin e ri të institucionit, me akademikë dhe universitarë, si dhe rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, që prezanton më së miri forcimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve, gjë që SAI-t e tjerë nuk e kishin.
Duke parë rëndësinë e organizimit të kësaj konference dhe temës që ajo do të trajtojë, u vendos se të gjitha idetë e paraqitura do të shqyrtohen dhe renditen nga grupi i punës si dhe propozohet që të dilet me një rezolutë ose deklaratë nga kjo konferencë, e cila do të jetë dhe një «udhërrëfyes» në të ardhmen për marrëdhënien SAI-Parlament.

Dy ditët e fundit të takimit, diskutimet e koordinatorëve të rrjetit të SAI-ve të vendeve anëtare të BE-së u përqëndruan në organizimin e takimit të Komitetit të Kontaktit në
Vilnius, në tetor 2013. U prezantuan një sërë aktivitetesh të zhvilluara në kuadër të planeve të Komitetit të Kontaktit, u prezantuan aktivitete për t’u paraqitur dhe u shkëmbyen ide lidhur me elementët potencialë për t’u marrë parasysh gjatë takimit të Komitetit të Kontaktit.
Lidhur me gjëndjen e aktiviteteve të bashkëpunimit të Komitetit të Kontaktit për 2012-2013, u dha një informacion i detajuar mbi anketën e rishikimit të shpenzimeve në vendet e BE-së, informacion mbi auditimin e koordinuar për forcimin e legjislacionit të BE-së për mbetjet. Grupet e Punës dhe Task Force të Komitetit të Kontaktit prezantuan një informacion rreth takimeve të zhvilluara mbi auditimin e rregulloreve të fondeve strukturale, të raporteve të SAI-ve mbi menaxhimin financiar të BE-së. Me mjaft interes ishte dhe propozimi i NIK-ut të Polonisë për të zhvilluar një anketë mbi bashkëpunimin e SAI-ve me institucionet respektive të statistikave lidhur me të dhënat statistikore për tregues ekonomikë, në vendet e BE-së.
Lidhur me propozimet për aktivitetet e Komitetit të Kontaktit për 2014 e më tej, u propozuan si më të rëndësishme: Forcimi i qeverisjes fiskale dhe ekonomike, Unioni bankar dhe mbikqyrja financiare, instrumentet e stabilitietit financiar si edhe rregullorja e re financiare e BE-së. Si rrugë të mundshme bashkëpunimi lidhur me çështjen që pati më shumë prioritet, ajo mbi forcimin e qeverisjes fiskale dhe ekonomike, u konsideruan auditime paralele apo të përbashkëta, anketa, seminare, ECA të shpjegojë sesi mund të përshkruajë mandatin e vet në praktikë, etj.

Takimi i ardhshëm i koordinatorëve do të zhvillohet në Luksemburg.