Presidenti Nishani i akordon “Medaljen e Mirënjohjes” z. Igor Šoltes dhe z. Jacek Jezierski
22.05.2013
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi “Medaljen e Mirënjohjes” Presidentit të Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Igor Šoltes dhe Presidentit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, Jacek Jezierski, me motivacionin: “Për kontributin dhe ndihmesën e çmuar në përparimin e Institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.
Duke përshëndetur të pranishmit në ceremoninë e dekorimit, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen ndaj partnerëve të Shqipërisë duke nënvizuar se partneriteti dhe bashkëpunimi janë fondamentale dhe të pazëvendësueshme për forcimin e institucioneve dhe arritjen e standardeve të kërkuara.
Duke përmendur se Kontrolli i Lartë i Shtetit, i ngritur në Shqipëri këto 20 vitet e fundit është një eksperiencë e re për shqiptarët, me sfida të shumta dhe me arritje, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve të kontrollit dhe të monitorimit në shërbim të transparencës dhe mirëadministrimit të aseteve dhe pasurive publike të qytetarëve.
Presidenti Nishani nënvizoi se procesi i integrimit nuk do të mundet të ecë me ritmin e duhur pa partneritetin, bashkëpunimin dhe asistencën e parterëve dhe miqve të Shqipërisë.
Presidenti i Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Igor Šoltes duke i shprehur Presidentit Nishani mirënjohjen për vlerësimin e lartë, u shpreh se detyra e tyre është t’i shërbejnë qytetarëve sidomos për të administruar mënyrën sesi shpenzohen paratë publike dhe se kjo është provuar nga ky partneritet dhe bashkëpunim i frytshëm.
Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, Jacek Jezierski nënvizoi se vlerësimi me “Medaljen e Mirënjohjes” është frut i bashkëpunimit midis institucioneve respektive të vendeve tona.
Në ceremoninë e veçantë të dekorimit të dy personaliteteve ishin të pranishëm Ambasadori i Republikës së Polonisë në Shqipëri, z. Marek Jeziorski; Ambasadori i Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, z. Bojan Bertoncelj; Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj; Prof. Dr. Omer Stringa; Prof. As. Dr. Sazan Guri; Kryetari i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) Prof. As. Dr. Hysen Çela; Kryetari i Këshillit Kombëtar të Kontabilistëve Prof. Dr. Jorgji Bollano; ish-Kryetarët e KLSH-së Dr. Blerim Çela dhe z. Mustafa Kërçuku; përfaqësues të Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Shënim: Informacioni Presidenti Nishani i akordon “Medaljen e Mirënjohjes” z. Igor Šoltes dhe z. Jacek Jezierski, është marrë nga faqja zyrtare e institucionit të Presidentit http://president.al