Njoftime

Vlerësime, nderim dhe mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë të KLSH

04.06.2013

Më 4 qershor 2013, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u akordoi “Medaljen e Mirënjohjes” Presidentit të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, Prof. As. Dr. Recai Akyel dhe Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës, z. Lars Lage Olofsson, me motivacionin: “Për kontributin dhe ndihmesën e çmuar në përparimin e Institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen ndaj këtyre partnerëve të rëndësishëm të Shqipërisë dhe KLSH, duke nënvizuar se partneriteti dhe bashkëpunimi janë fondamentale dhe të pazëvendësueshme për forcimin e institucioneve kushtetuese. Ai theksoi domosdoshmërinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve të auditimit në shërbim të transparencës dhe mirëadministrimit të pasurive publike të qytetarëve.

Po më datë 4 qershor 2013, në Universitetin Politeknik të Tiranës, Rektori i këtij Universiteti, Akademik Prof. Dr. Jorgaq Kaçani, në emër të Senatit të Universitetit, i dha titullin “Honoris Causa” Presidentit të Gjykatës së Llogarive të Republikës së Turqisë, Prof. As. Dr. Recai Akyel, për kontributin e tij të qenësishëm në zhvillimin e praktikave moderne të auditimit suprem në nivel evropian dhe botëror,  nëpërmjet bashkëpunimeve të frytshme dhe ndihmesës profesionale dhe për shumë institucione supreme auditimi, ndërmjet tyre edhe me KLSH. 

Prof. Akyel përfaqëson një personalitet shumëdimensional të auditimit suprem ndërkombëtar dhe ndër partnerët e huaj më me kontribute për  Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ky kontribut ka sjellë rritjen e dukshme të kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH dhe modernizimin e Institucionit, në nivel me standardet e INTOSAI-it (Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme te Auditimit).
Në sajë të impenjimit të lartë dhe vullnetit të tij për bashkëpunim, marrëdhëniet mes dy institucioneve të auditimit erdhën duke u forcuar dhe në muajin nëntor të vitit 2012, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Kontrollit të Larte të Shtetit dhe Gjykatës Turke të Llogarive. Rezultat konkret i Marrëveshjes ka qenë kualifikimi i dhjetëra audituesve të KLSH-së në Ankara,  të cilët nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë të Prof. Akyel, por edhe të një stafi te përkushtuar dhe të lektorëve profesionistë të Gjykatës Turke të Llogarive, janë trajnuar në fushën e Auditimit të Performancës, të Auditimit Financiar dhe të Auditimit të Prokurimeve Publike, duke përmirësuar dhe përforcuar ndjeshëm dijet e tyre në këto fusha dhe, për rrjedhojë, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së punës audituese të KLSH në tërësi.

Z. Lars Lage Olofsson është një personalitet i spikatur i auditimit suprem evropian. Nën drejtimin e tij, Zyra e Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës ka bërë progres të dukshëm dhe ka dhënë ndihmesën e saj dhe në trajnimin e audituesve të KLSH me dijet bashkohore në auditim.