Njoftime

KLSH merr pjesë në Workshop-in: “Auditimi i Projekteve IPA”, organizuar nga CEF.

27.06.2013

Në Ljubljana, në datat 18-21 qershor u organizua nga CEF (Center of Excellence in Finance) Workshop-i me temë “Auditimi i Projekteve IPA (Instrument of Pre-Accession)”, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi.

auditimi i projekteve ipa

Nga KLSH morën pjesë 4 punonjës: z.Gjovalin Preçi dhe z.Alfonc Gabili nga Departamenti i Auditimit të Investimeve dhe Projekteve  me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit; zj.Irena Islami dhe zj.Redina Karapici nga Departamenti i Kërkimit Shkencor, Zhvillimit dhe TI.
Lektorë të këtij Workshop-i ishin z. Ivan IGNJATOV (PhD), Sekretar i Përgjithshëm i Autoritetit të Auditimit të Projekteve IPA në Republikën e Maqedonisë dhe z.Jussi BRIGHT, Auditues në Gjykatën Evropiane të Audituesve.
Në këtë Workshop u trajtuan disa çështje :
Asistenca e BE për periudhën 2013-2017. Rrisqet, sfidat dhe parakushtet për përdorimin e fondeve IPA.
Në këtë nën-çështje u trajtuan rëndësia e asistencës së BE për vendet kandidate dhe  vendet aspirante për statusin e kandidatit për BE. Të gjitha këto vende përfitojnë asistence nëpërmjet projekteve IPA në fusha të ndryshme por sigurisht duke plotësuar disa parakushte, kryesisht kritere për plotësimin e bazës ligjore sipas rregullave të BE.
Asistenca e BE ndaj vendeve përfituese konsiston në fuqizimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, reformat në administratën publike dhe reformat ekonomike.

Çdo vend ka karakteristikat  dhe strategjitë e tij për përfitimin e projekteve IPA, i cili ka pesë komponentë:

•Asistence për tranzicionin dhe ndërtimin e Institucioneve
•Bashkëpunimi ndërkufitar
•Zhvillimet rajonale
•Zhvillimi i Burimeve Njerëzore
•Zhvillimi rural

Çdo vend përfitues duhet të ketë gati bazën ligjore dhe strukturën e nevojshme për përthithjen e fondeve IPA (artikulli 21, EC 718). Pjesë e rëndësishme e kësaj strukture është Autoriteti i Auditimit te Fondeve IPA.
Roli i Gjykatës Evropiane të Audituesve si Auditues i jashtëm i fondeve të BE, përfshirë IPA
Misioni i ECA është të jetë gardiani i pavarur i interesave financiare të  qytetarëve të BE. ECA është një nga gjashtë Institucionet e rëndësishme të BE. Krahas ECA si institucion i Auditimit të Jashtëm ekziston edhe Auditimi i brendshëm dhe asnjë prej llojeve të auditimit nuk mund të zëvendësojë tjetrin sepse këto lloj auditimesh nuk janë konkurruese por kanë objektiva të ndryshëm.
ECA shqyrton llogaritë e të ardhurave dhe shpenzimeve, vlerëson nëse menaxhimi financiar ka qenë i mirë, jep opinione me iniciativë të tij ose me kërkesë të Institucioneve të BE-së, etj. Ky institucion nuk ka fuqi gjyqësore.
ECA realizon Auditime financiare, të pajtueshmërisë dhe të performancës dhe temat e auditimit vendosen duke pasur parasysh disa kritere si niveli i riskut, materialiteti, rëndësia dhe impakti i auditimit të përzgjedhur, auditimet e mëparshme dhe ndjekja e problemeve të ngritura, etj..
ECA publikon veprimtarinë e saj si në lidhje me auditimet e kryera prej saj, ashtu edhe për opinionet e dhëna nëpërmjet këtyre botimeve : Raportet vjetore, Raportet speciale, Raporte mbi aktivitetin vjetor, Revista e ECA,  Materiale informimi, etj
Fazat e Auditimit të Projekteve IPA dhe metodologjitë e përdorura
Faza e planifikimit të auditimit duke u përqendruar në njohjen e fushës që do të auditohet, realizimi i objektivave të auditimit nëpërmjet pyetjeve të auditimit, kryesisht për auditimin e performances dhe të përputhshmërisë (ka një ose dy pyetje kryesore dhe për çdo pyetje kryesore nuk duhet të ketë më shumë se 7 nën-pyetje), marrja e masave për të përcaktuar riskun në auditim (shanset, pasiguritë, mundësitë, impakti, koha, etj).
Për hartimin e planit të Auditimit kalohet në këto etapa : mbledhja e të dhënave, takimi i grupit të auditimit për realizimin e planit të auditimit, vlerësimi i risqeve dhe i proceseve kryesore, vlerësimi i cështjeve që do të auditohen (auditim i operacioneve –Auditim Financiar).
Plani i auditimit ka për qellim të përcaktojë objektivat e auditimit, fushën e auditimit, pyetjet e auditimit, kriteret e vlerësimit, metodologjinë dhe burimet e informacionit, organizimin e auditimit, kohën e realizimit, burimet financiare për realizimin e auditimit dhe bashkëpunimin me të audituarit. Grupi i auditimit duhet të jetë profesional dhe të gjithë të kenë të qartë misionin e tyre.
Faza e realizimit të Auditimit. Gjatë kësaj faze, audituesi duhet të justifikojë gjetjet nëpërmjet provave dhe të jetë sa më i besueshëm. Gjetjet duhet të jenë evidente, të rëndësishme, të kenë impakt dhe të kenë rrjedhë logjike dhe më e rëndësishmja të jenë të bazuara në fakte konkrete. Audituesi për realizimin e detyrave të tij gjatë kësaj faze duhet të mbështetët në disa kritere që e ndihmojnë në realizimin e një auditimi eficient dhe të besueshëm si pavarësia e burimeve të informacionit, materialiteti, vlerësimi i riskut, mbledhja me kujdes e çdo të dhëne që ndihmon ne realizimin me cilësi të auditimit. Auditimet e realizuara duhet të punojnë me sisteme të vlerësuar pozitivisht, ne mënyrë që të dallojnë parregullsitë e konstatuara nga mashtrimet, nëse këta të fundit ekzistojnë.
Ne këtë faze është shume i rendesishem verifikimi në terren, pas konsultimit të dokumentacionit duhet patjetër që audituesit të verifikojnë në terren çdo projekt sepse eksperienca ka treguar që në disa raste (kur ka mashtrime dhe devijime të fondeve) objektet ose shërbimet e financuara nuk janë realizuar fare, janë realizuar pjesërisht ose janë realizuar por në papërputhshmeri me projektin e miratuar. Thënia e Ronald Reagan në këtë kontekst merr shume vlere : “TRUST BUT VERIFY”.
Bashkëpunimi midis strukturave të Auditimit të Jashtëm dhe të Brendshëm duhet të jetë shume i mire dhe komunikimi i vazhdueshëm në mënyrë që të shkëmbejnë informacione, eksperiencën dhe metodologjitë e përdorura. Megjithatë, sa here që do ti referohemi punës se audituesve të brendshëm, duhet të kemi parasysh faktin që çdo përgjegjësi bie tek Audituesi i Jashtëm.
Në strukturat e Auditimit të Jashtëm në nivel evropian bëjnë pjese ECA  dhe Shërbimet e Auditimit të Drejtorive të Përgjithshme në Komisionin Europian, ndërsa në nivel kombëtar është  Autoriteti i Auditimit të projekteve IPA, i cili mund të jetë i përshirë në SAI-n e vendit respektiv ose mund të jetë i pavarur.
Auditimi i Brendshëm përfshin të gjitha njësitë e Auditimit të Brendshëm pranë strukturave përfituese të Projekteve IPA.
Auditimi i Prokurime Publike në kuadër të realizimit të Projekteve IPA
Një çështje e veçantë që u trajtua ishte edhe Auditimi i prokurimeve publike, i cili  është shume i rendesishem sepse përforcon përgjegjshmërinë e një aktiviteti të tillë publik. Ky fakt është shume thelbësor për rritjen e besimit të qytetarëve në përdorimin e fondeve publike dhe në sundimin e ligjit.
Fazat e auditimit dhe metodologjia e përdorur është e ngjashme me atë të auditimeve të tjera.

Konkluzione
Gjatë mbylljes se procesit të auditimit duhet të mbahen në konsiderate këto etapa :
•Grupi i Auditimit duhet të vendose nëse gjetjet e konstatuara janë si rrjedhoje e projektimit jo të mire të kontrollit apo janë probleme operacionale; janë gjetje të izoluara apo sistematike dhe se fundmi nëse ka parregullshmeri apo jo 
•Dokumentacioni i plotësuar nga grupi i auditimit duhet të rishikohet patjetër nga drejtuesi i ekipit
•Mbledhje e grupit për të përmbledhur  dhe pranuar gjetjet e auditimit
•Paraqitja tek Klienti i gjetjeve të konstatuara
•Rikontroll dhe updejtim i tabelës se gjetjeve nëse diçka është kuptuar gabim
•Përgatitja e raportit, nënshkruar nga drejtuesi dhe dërgimi tek Klienti
•Vendosja e gjetjeve në database e gjetjeve, prej nga del një ID për çdo gjetje
•Printimi i materialit nga database i gjetjeve
•Plotësimi i tabelës SUD (Përmbledhje e diferencave që nuk përputhen) dhe krahasimi i ID të sistemit me dokumentacionin e shkruar
Qëllimi i auditimit të Projekteve IPA është :
•Të ruaje një strukture të qëndrueshme të projekteve IPA (të mos ketë ndryshime në pozicione kyçe)
•Përdorimi i duhur i fondeve të BE
•Rritja e kapaciteteve përthithëse (sa me shume të jetë e mundur)
•Të mos ketë efekte financiare (të paguara nga buxhetet kombëtare)
•Të mos ketë ndërprerje të projekteve IPA nga Brukseli (për shkak të problematikes së konstatuar) sepse kjo krijon  një imazh shumë të keq për vendin