Takim i Presidentit të Republikës me krerët e disa institucioneve të pavarura.
15.07.2013
Presidenti Nishani: Reformat e nisura nuk duhet të ndërpriten.
Në një takim pune që zhvilloi sot me krerët e disa institucioneve të pavarura, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u bëri thirrje të përballojnë me suksesin më të madh të mundshëm demokratik e profesional tranzitimin e pushtetit politik.
Në takimin me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, Nënkryetarin e KLD-së, Elvis Çefa, Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Kryetarin e KLSH, Bujar Leskaj dhe Inspektoren e Përgjithshme të ILDKP, Zana Xhuka, Kreu i shtetit deklaroi ndërkohë se në kuadër të së ardhmes europiane të vendit, nuk duhet të ndërpriten reformat e nisura, të miratuara e të bashkërenditura me komunitetin ndërkombëtar.
“Reformat strukturore që janë nisur dhe që janë në vazhdim e sipër, ato që janë të miratuara dhe të bashkërenditura dhe me komunitetin ndërkombëtar, ato që kanë të bëjnë me digjitalizimin dhe informatizimin e sistemit të drejtësisë dhe të prokurorisë, ato që kanë filluar tashmë të japin frute në transparencën e sistemit, dhe sidomos në rritjen e konkurrencës dhe vlerësimit të pjesëtarëve të sistemit tonë të drejtësisë, nuk kanë asnjë arsye të ndërpriten dhe të mbeten në pritje. Ato janë të destinuar të arrijnë objektivat e veta, objektiva këto që janë në favor të së mirës publike. Kjo jo vetëm që do t’i sillte mundësi më të mëdha qeverisë dhe mazhorancës së re, por do të krijonte një klimë më të përshtatshme bashkërendimi të objektivave tona të përbashkëta që do t’i shtronte më pas rrugën një bashkëpunimi të frytshëm institucionalo-shtetëror.”-theksoi Presidenti Nishani.
Kreu i shtetit u shpreh gjithashtu në takim se, tashmë institucionet kushtetuese të shtetit tonë janë mekanizma të kolauduar që funksionojnë me rendimet të kënaqshëm në të mirë të vendit, në të gjithë vendin, për të gjithë njëlloj, pa marrë parasysh asnjë përkatësi të çfarëdo lloji, por vetëm në përputhje me ligjin.
“Një periudhë e tillë tranzitimi është perceptuar jo shpesh në historinë e shtetit dhe demokracisë shqiptare si një kohë e mjegullt dhe e dobishme për t’u përdorur nga elementet e krimit, të çdo lloji, por veçanërisht atij ekonomik dhe korruptiv. Ndaj, jam për t’u përshëndetur institucionet e tilla si KLSH, që para disa ditësh ka publikuar masa të rëndësishme institucionale dhe ekonomike për institucione të caktuara. I njëjti ritëm duhet ruajtur dhe në institucionet e tjera kontrolluese, pasi kjo jo vetëm që krijon një ndjenjë të këndshme sigurie se shteti funksionon, por shërben si një mekanizëm i fortë frenues dhe parandalues për shkelje e keqbërje që mund të duken të padënueshme gjatë kësaj periudhe”.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u bëri thirrje krerëve të institucioneve të pavarura të punojnë me sa më tepër devocion për një shtet real, gjithmonë bazuar tek ligji në përputhje me nevojat reale, rrethanat konkrete dhe jo bazuar tek meskiniteti dhe interesi.
“Të kemi parasysh një gjë; një njeri që nuk e dedikon plotësisht veten për detyrën që i është ngarkuar, nuk mund të ketë kurrë besimin e njerëzve” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Në vijim, fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në takimin me krerët e disa insitucioneve të pavarura.
Të nderuar pjesëmarrës të këtij takimi,
Në radhë të parë dëshiroj t’ju përshëndes e t’ju uroj punë të mbarë në këtë periudhë kohe disi të veçantë, ku sapo kemi përfunduar zgjedhjet parlamentare dhe jemi në fillim të procesit të tranzitimit të pushtetit politik nga një mazhorancë në një tjetër të re të sapovendosur nga këto zgjedhje.
Pikërisht përballimi me suksesin më të madh të mundshëm demokratik e profesional i kësaj periudhe, është qëllimi kryesor i mesazhit tim sot me cilësinë e Presidentit të Republikës, për ju dhe për gjithë trupën institucionale që ju përfaqësoni .
Zgjedhjet prodhuan një mazhorancë të re politike, të cilës i uroj suksese në përmbushjen e detyrave dhe misionit të saj.
Prioritetet e kësaj qeverie mund të jenë të ndryshme nga mazhoranca e mëparshme.
Kësisoj edhe funksionet qeverisëse duhet të jenë të matura, në zbatim të ligjit, por edhe të moralit publik dhe institucional, në shërbim të këtij mandati që do fillojë së shpejti.
Por, ushtrimi i funksioneve, praktikat dhe vendim-marrjet e institucioneve të tillë si Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Guvernatori i Bankës, KLSH, ILDKP, etj, si institucione të pavarura duhet të mos përfshihen nga perceptimi i inercisë së transferimit të pushtetit qeverisës.
Qeveria dhe Kryeministri i ri mund të kenë pikëpamjet e tyre për raportin që do të vendosin me këto institucione, apo dhe për mënyrat e koordinimit që mund të kenë me ju, por baza e punës së përditshme të këtyre institucioneve është krejtësisht e përcaktuar ligjërisht, e pavarur institucionalisht, e mbi të gjitha duhet t’i përgjigjet zërit të profesionalitetit, që kërkon t’i shërbejë pa reshtje e pa ndërprerje qytetarit, shtetit dhe atdheut.
Tashmë institucionet kushtetuese të Shtetit tonë, janë mekanizma të kolauduara, që funksionojnë me rendiment të kënaqshëm, në të mirë të vendit, në të gjithë vendin, për të gjithë njëlloj pa marrë parasysh asnjë përkatësi të çfarëdolloji, në përputhje me Ligjin.
Funksionimi i mirë i institucioneve, në një vështrim të përgjithshëm, pa hyrë në detaje, ka dy anë;
Funksionimin e brendshëm dhe pamjen nga jashtë, apo perceptimin në publik. Këto dy elementë shkojnë krahas njëri-tjetrit, e ndihmojnë njëri-tjetrin.
Nga njëra anë, funksionimi i mirë i institucioneve shton perceptimin e mirë real. Nga ana tjetër, perceptimi i drejtë nxit funksionimin e mirë.
Me fjalë të tjera, ajo që është qëllimi final i punës së institucioneve, shtimi i Lirisë, shtohet në përpjesëtim të drejtë, si me funksionimin e kënaqshëm të tyre, dhe me besimin gjithmonë në rritje që njerëzit kanë tek Institucionet.
Lodhjet e pandalshme për përmirësimin progresiv të punës së Institucioneve, janë pjesë e rëndësishme e çmimit të Lirisë. Çmim goxha i lartë, që arrihet vetëm me punë këmbëngulëse, punë e cila gjithmonë shpërblehet me rezultate.
Të nderuar të pranishëm,
Jemi në një kohë vërtet serioze për të ardhmen tonë europiane, e sfida të rëndësishme duhet të përballë shteti dhe shoqëria shqiptare.
Reformat strukturore që janë nisur e që janë në vazhdim e sipër, ato që janë të miratuara dhe të bashkërenditura edhe me komunitetin ndërkombëtar, ato që kanë të bëjnë me dixhitalizimin dhe informatizimin e sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë, ato që kanë filluar tashmë të japin frytet në transparencën e sistemit dhe sidomos në rritjen e konkurrencës dhe vlerësimit të pjestarëve të sistemit tonë të drejtësisë, nuk kanë asnjë arsye të ndërpriten e të mbeten në pritje.
Ato janë të destinuara të arrijnë objektivat e veta, objektiva këto që janë në favor të së mirës publike.
Kjo jo vetëm që do t’i sillte mundësi më të mëdha qeverisë dhe mazhorancës së re, por do të krijonte një klimë më të përshtatshme bashkërendimi të objektivave tona të përbashkëta, që do t’i shtronte më pas rrugën një bashkëpunimi të frytshëm institucionalo-shtetëror.
Në momente të tilla, të tranzitimit të pushtetit politik, stabiliteti dhe qartësia profesionale e institucioneve tuaj merr një rol garantues.
Do të ishte e dëmshme dhe kundër-produktive, stepja, apo dhe frika ndaj ndonjë revanshi që mund të mendohet.
Kjo gjë s’duhet të ndodhë jo vetëm për dinjitetin profesional dhe shtetëror që ju dhe institucionet tuaja përfaqësojnë, por kryesisht për atë rol të madh të garantit ligjor, ekonomik e kontrollues që institucionet tuaja kanë në shërbim të qytetarit dhe demokracisë shqiptare.
Nuk duhet t’i krijohet asnjë pengesë apo mungesë shërbimi një qytetari apo biznesi që pret në dyert e një gjykate apo në derën e prokurorisë. Por po njëlloj, nuk duhet t’i mungojë institucioneve dhe organeve qeverisëse kontrolli financiar apo ligjor, informues apo koordinues, në raport me planet e miratuara për zbatim që në fillim të vitit.
Pavarësisht legjitimitetit moral apo ligjor, të gjitha kërkesat, deklaratat apo çdo ndërhyrje e jashtme që mund të vijë prej politikës duhet konsideruar vetëm si diçka së cilës i duhet përgjigjur korrektësisht, por jo si pengesë objektive për të kryer detyrat dhe objektivat që i ka vënë vetes secili prej institucioneve tuaja.
Askush nuk duhet të ndihet i sulmuar, dhe për më tepër i brishtë apo lehtësisht i goditshëm.
Një periudhë e tillë tranzitimi, është perceptuar jo shpesh në historinë e shtetit dhe demokracisë shqiptare si një kohë e mjegullt dhe e dobishme për t’u përdorur nga elementët e krimit të çdo lloji, por veçanërisht atij ekonomik e korruptiv.
Ndaj, janë për t’u përshëndetur institucione të tillë si Kontrolli i Lartë i Shtetit, që jo më larg se para disa ditësh ka publikuar masa të rëndësishme institucionale dhe ekonomike, për institucione të caktuara.
I njëjti ritëm duhet ruajtur edhe në institucionet e tjera kontrolluese, pasi kjo jo vetëm që krijon një ndjenjë të këndshme sigurie se shteti funksionon, por shërben si një mekanizëm i fortë frenues dhe parandalues për shkelje e keqbërje që mund të duken të padënueshme gjatë kësaj periudhe.
Do të donim që askush të mos e shkelte Ligjin, të mos ndodhte asnjë krim, të kishim zero korrupsion, të gjithë t’i deklaronin me saktësi të ardhurat, dhe të kishim para pafund që të mos na mbaroheshin kurrë. Por kjo nuk është realiste.
Të jemi pra realistë. Le të punojmë me sa më tepër devocion për një Shtet real. Gjithmonë bazuar tek Ligji. Në përputhje me nevojat reale, rrethanat konkrete, dhe jo bazuar tek meskiniteti dhe interesi.
Vetëm kështu mund ta përsosim Shtetin real. Që të kemi gjithmonë Drejtësi për të gjithë njëlloj, gjithmonë e më pak krime, çdo ditë e më pak korrupsion, gjithmonë e më pak shkelës të Ligjit, më tepër nëpunës që të deklarojnë me korrektesë të ardhurat dhe pasurinë.
Të kemi parasysh një gjë; Një njeri që nuk e dedikon plotësisht veten për detyrën që i është ngarkuar, nuk mund ta ketë kurrë besimin e njerëzve.
Duhet të mos frigemi nga shprehja e problemeve, por nga e kundërta, nga ndalimi i evidentimit të problemeve.
Në dinamikën e jetës sonë kohërat ndryshojnë, mënyrat dhe rrethanat ndryshojnë, por ne duhet të bëjmë çmos qe të mos ndryshojnë parimet.
Në këtë dinamikë, askush nuk është jashtë rrezikut për të gabuar. Por parimi është që prej gabimeve njeriu të rezistojë, të mos mposhtet, të mos deformohet por të përmirësohet gjithmonë e më shumë.
Por, parimi i parimeve është Liria.
Nëse institucionet dështojnë në shtimin e lirisë së shtetasve, atëherë kjo është fatkeqësia me e madhe që duhet ndrequr urgjentisht.
Në këtë kontekst të gjitha institucionet tuaja janë të lidhura drejtpërsëdrejti me lirinë e individit dhe në tërësi me lirinë e shoqërisë.
Ndaj në përfundim dëshiroj të theksoj rëndësinë e madhe që kanë për këtë, funksionimi i konsoliduar dhe i pandikuar i këtyre institucioneve.
Në mirëfunksionimin e tyre nuk ka krah politik, farefis, familjar, shok e shoqe. Ka vetëm Ligj.
Vetëm përmes këtyre parimeve do të mundësojmë që realizimi i ëndrrave të secilit shqiptar të bëjë të mundur realizimin e ëndrrës së madhe të Shqipërisë për të qenë një vend i lirë e i begatë, me dinjitet të vetin dhe të secilit shtetas.
Ju uroj punë të mbarë në përballimin me sukses të detyrave kushtetuese !
Shënim: Informacioni " Takim i Presidentit të Republikës me krerët e disa institucioneve të pavarura.
Presidenti Nishani: Reformat e nisura nuk duhet të ndërpriten", është marrë nga faqja zyrtare e institucionit të Presidentit