Njoftime

Nënshkruhen Marrëveshjet e Bashkëpunimit me Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi dhe Zyrën e Auditimit të Institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës

19.07.2013

Institucionet Supreme të Auditimit, gjithnjë e më tepër, po kuptojnë se sa e rëndësishme është të mësojnë nga njëri tjetri, në mënyrë që të jenë në një hap me ndryshimet e shpejta që ndodhin në sektorin e menaxhimit publik,në standardet e auditimit apo të kontabilitetit, si dhe me pritshmërinë që publiku ka për punën e tyre audituese.
Në këtë aspekt, INTOSAI ka rekomanduar dhe ka nxitur ngritjen e strukturave formale apo  informale, në mënyrë që Institucionet Supreme të Auditimit, sidomos në vendet në zhvillim,  të modernizohen dhe të përafrojnë veprimtarinë e tyre me praktikat më të mira.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në zbatim të këtyre orientimeve, i ka kushtuar rëndësi të veçantë bashkëpunimit me insitucionet homologe, nëpërmjet nënshkrimit të  marrëveshjeve në rang rajonal dhe më gjerë.

Ky bashkëpunim ka një rëndësi të veçantë sepse:
•Promovon “praktikat më të mira” – nëpërmjet zhvillimit të njohurive të përbashkëta që do të ndihmonin në përmirësimin e ekonomicitetit, efiçencës dhe efektivitetit të vetë SAI-t.
•Mbështet ngritjen e kapaciteteve institucionale – nëpërmjet zhvillimit të kapaciteteve në institucionet supreme, në mënyrë që të jenë në përputhje me standardet e duhura ligjore dhe profesionale.
•Promovon përgjegjshmërinë  dhe qeverisjen e mirë – nëpërmjet plotësimit në nivelin e duhur të kërkesave ligjore dhe detyrimeve që lidhen me veprimtarinë e tyre
Gjatë dy javëve të fundit, janë nënshkruar me mjaft sukses, marrëveshje bashkëpunimi në rajon, me institucionet e mëposhtme supreme të auditimit.

malizi marveshja mali zi

Më datë 12 korrik 2013, në Podgoricë, z.Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me homologun e tij malazez të Institucionit Shtetëror të Auditimit, z.Milan Dabović.

Kryetari i KLSH-së, në këtë takim shoqërohej nga z.Robert Gjini, Drejtor i Përgjithshëm dhe zj.Dëshira Huqi, përgjegjëse e sektorit të marrëdhënieve me jashtë, ndërsa z.Dabović shoqërohej nga anëtari i senatit z. Branislav Radulović dhe nga pjesëtarë të tjerë të stafit auditues dhe të marrëdhënieve me jashtë.
Institucioni Shtetëror i Auditimit i Malit të Zi, është krijuar në 2004, si një institucion i jashtëm, i pavarur, profesional dhe kontrollues i paanshëm i shpenzimeve buxhetore dhe i menaxhimit të pronës shtetërore. Institucioni ka një Senat dhe Bordin e Auditimit. Ai drejtohet nga Presidenti i zgjedhur nga pësë anëtarët e Senatit, i cili qëndron në detyrë për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Secili nga pesë anëtarët e Senatit duhet të drejtojë njërin prej pesë sektorëve në të cilët është strukturuar institucioni.
Marrëveshja e Bashkëpunimit, e cilësuar nga të dy drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit si mjaft pozitive dhe frytdhënëse, u përgatit jo vetëm në respekt të parimeve të shkëmbimit të eksperiencave më të mira dhe njohurive ndërmjet palëve, nën moton e INTOSAI-t, “Eksperienca e përbashkët ju shërben të gjithëve”, por edhe në kuadrin e një bashkëpunimi më të ngushtë rajonal për dy vende fqinje.
Në këtë kuadër, z.Leskaj dhe z.Dabović, shkëmbyen informacione të vlefshme lidhur me aktivitetin auditues institucional, duke pasqyruar llojet e ndryshme të auditimeve, fushat strategjike ku ato zhvillohen, rekomandimet e lëna, etj.
Një pikë e konsideruar me shumë rëndësi nga dy drejtuesit e lartë, ishte rritja e cilësisë në kryerjen e auditimeve, ku veçanërisht në KLSH duke patur parasysh edhe rritjen domethënëse të numrit të trajnimeve të audituesve, kjo veçori është rritur ndjeshëm. Z.Leskaj dhe z. Dabović, ranë dakort se kjo rritje e cilësisë, sjell rritjen e besueshmërisë ndaj punës së institucioneve supreme të auditimit. Ata u shprehën gjithashtu se do të ishte me mjaft përfitim dhe organizimi i kryerjes së një auditimit të përbashkët në të ardhmen.
Marrëveshja dypalëshe, do të ketë në qendër të vëmendjes gjithashtu, shpërndarjen e njohurive dhe metodave të auditimit duke përftuar nga eksperiencat e veçanta institucionale, por edhe nga eksperiencat më të mira të partnerëve ndërkombëtarë, që do të shërbejnë në rritjen më tej të kapaciteteve dhe profesionalizmit në kryerjen e auditimeve.
Për të patur një kuadër më të plotë dhe një pasqyrim edhe më të gjerë të aktivitetit të KLSH-së përgjatë vitit të fundit, z.Leskaj i dhuroi z.Dabović, një set të plotë të botimeve të KLSH-së, ku u veçuan Historiku i KLSH-së, botimi mbi EUROSAI-n, dy publikimet e fundit, Performanca e KLSH-së për vitin 2012 dhe Auditimi Publik 4, si dhe e ftoi z. Dabović, të ishte prezent në botimin e radhës së kësaj reviste nëpërmjet një editoriali. Kjo dhuratë si dhe ftesa e bërë, u vlerësuan dhe u pritën me shumë interes nga homologu malazez.
Impakti pozitiv i kësaj marrëveshje të përbashkët, pritet të materializohet shumë shpejt, nëpërmjet veprimeve të përbashkëta institucionale.

Më datë 17 korrik 2013, z.Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe z. Milenko Sego, Auditues i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit të Institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, nënshkruan në Sarajevë një marrëveshje bashkëpunimi midis dy institucioneve.

sarajeve2_copy_1 sarajevo

Delegacioni shqipëtar i pranishëm në këtë marrëveshje, përbëhej nga z.Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, znj.Albana Pengili Kryeaudituese në Departamentin e Performancës, si dhe tre auditues të këtij institucioni: znj.Evis Çela, z.Genci Koka dhe z.Alush Zaçe.

bosnja

Z.Milenko Sego, shoqërohej nga dy zëvendës Audituesit e Përgjithshëm të kësaj Zyre, zj. Božana Trincić dhe z. Dževad Nekić si edhe nga staf menaxherial e auditues.
Ishte i pranishëm edhe z.Fiqiri Kllari, Konsull Nderi i Bosnje dhe Hercegovinës për Shqipërinë, i cili ndihmoi për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
Zyra e Auditimit të Institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës, është institucioni më i lartë për auditimet e institucioneve publike të Bosnje dhe Hercegovinës. Kompetencat e kësaj Zyre Auditimi, zbatohen në të gjitha institucionet publike dhe drejtohet nga një Auditues i Përgjithshëm dhe dy zëvendësa të tij.
Zyra e Auditimit njofton institucionet përkatëse dhe publikun e gjerë mbi gjetjet dhe rekomandimet e auditimeve me anë të raporteve të auditimit. Kjo Zyrë Auditimi mund të vendosë të ngrejë zyra rajonale kur këto janë të nevojshme për stabilitetin ekonomik të tyre.
Marrëveshja dypalëshe, u përgatit në bazë të respektit, besimit reciprok si dhe bashkëpunimit dypalësh, në përputhje me parimet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të Auditimit Suprem (INTOSAI). Në Deklaratën e Limës (Dokumenti themelor i Institucioneve Supreme te Auditimit), theksohet se shkëmbimi i eksperiencës dhe informacionit, i vjen në ndihmë institucioneve më të larta të auditimit, për të përmbushur detyrat e tyre kushtetuese.
Gjatë aktivitetit të nënshkrimit të marrëveshjes, të dy palët u njohën me veprimtarinë përkatëse të institucioneve si dhe zhvilluan diskutime konstruktive në funksion të frymës së bashkëpunimit. Nga ana e delegacionit shqiptar, u prezantuan botimet që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar gjatë vitit 2012-2013. Anëtarët e institucionit homolog të Bosnjës dhe Hercegovinës shfaqën mjaft interes për këto botime. Në këtë kuadër, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, ftoi Audituesin e Përgjithshëm të Zyrës së Auditimit të Institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, por edhe drejtuesit dhe audituesit e tjerë të këtij institucioni, për një bashkëpunim konkret në revistën tonë shkencore ‘‘Auditimi Publik’’, që është e hapur edhe për shkrimet e tyre.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, është i rëndësishëm për KLSH, pasi i hap rrugën bashkëpunimit dhe ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta në nivel bilateral. Bazuar në këtë marrëveshje, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Zyra e Auditimit të Institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, do të shkëmbejnë eksperiencat e tyre në fushën e auditimit financiar apo të performancës, si dhe në fusha të tjera që paraqesin interes të dyanshëm.

Shkëmbimi i ndërsjellët i eksperiencës dhe informacionit, që konkretizohet nëpërmjet këtyre Marrëveshjeje të Bashkëpunimit, reflekton ndryshimet në kuadrin ekonomik dhe ligjor të secilit vend, ndryshimet në strukturën dhe mënyrën sesi secili institucion funksionon, si dhe mundëson që të dyja palët të mund të bashkëpunojnë në çdo formë të përshtatshme për arritjen e objektivave të sipërpërmendura, duke organizuar takime me ekspertë, seminare mbi çështje kyçe në lidhje me kontrollin e financave publike, si dhe mund të kryejnë auditime paralele ose të përbashkëta, në fushat e përcaktuara me interes të përbashkët.
Kjo kërkon si fillim identifikimin e pikave të forta dhe praktikave më të mira të secilit, për të vendosur më tej se cilat informacione apo eksperienca do të shkëmbehen. Idetë mbi qeverisjen e mirë, përgjegjshmërinë dhe menaxhimin e fondeve publike, ndryshojnë dhe lëvizin me shpejtësi midis shteteve të ndryshme.
Asnjë SAI nuk mund të zhvillohet dhe të modernizohet i izoluar nga SAI-t e tjerë dhe duke ndjekur këtë linjë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka intensifikuar marrëdhëniet e veta me partnerët ndërkombëtare, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me shumë prej institucioneve homologe. Kështu përmendim, që prej fillimit të vitit të kaluar, nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Zyrën e Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës, që u pasua me atë të SAI-t të Sllovenisë, TCA-së së Turqisë, NIK-ut të Polonisë, SAI-t të Kroacisë. Marrëveshje këto që duke u konkretizuar në vazhdimësi nëpërmjet trajnimeve, shkëmbimeve të ekspertëve, metodologjive, etj, kanë sjellë dukshëm rritjen e cilësisë në punë dhe kapacitetit profesional auditues.
Për këtë vit, përmendim me një rëndësi të veçantë, nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Gjykatën e Audituesve të Austrisë. Një dokument me shumë vlera për KLSH-në përveçse një hap i rëndësishëm, duke konsideruar se ACA përfaqëson jo vetëm një eksperiencë audituese 250-vjeçare, por është edhe një ndër SAI-t më modernë dhe profesionalë në komunitetin e përbashkët të auditimit.

Në thelb, bashkëpunimi bilateral ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit, ka nevojën dhe dëshirën për të ngritur e zhvilluar kapacitetet. Por, KLSH ka realizuar me sukses edhe një sfidë tjetër në kuadrin e një bashkëpunimi më të gjerë, atë me partnerë të tjerë strategjikë.
Bashkëpunimi me SIGMA-n, që datonte fillesat dhe përfundimin në fillim vitet 2000, u rikthye nën drejtimin e ri të KLSH-së, në vitin 2012, me një ritëm intensiv pune dhe ekspertize. Ekspertët e SIGMA-s kanë trajnuar në KLSH, audituesit tanë në seminare me tematika të ndryshme, si auditimi i performancës dhe ai financiar, i pajtueshmërisë dhe IT. Mbështetja e SIGMA-s ka vazhduar dhe në fillimin e këtij viti me trajnimet mbi performancën si dhe vijon me ato mbi prokurimet publike.
Një mbështetje të veçantë, SIGMA ka dhënë në përgatitjen e Planit të ri Strategjik të KLSH-së, 2013-2017 që tashmë është përmbyllur duke reflektuar objektivat strategjike të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t.