Takim i Kryetarit të KLSH-së me Nënkryetarin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës
05.09.2013
Në datën 3 shtator, në Tiranë u zhvillua workshop-i me temë “Vijimësia e Bashkëpunimit Rajonal për Auditimin e Performancës”, në të cilin morën pjesë SAI-et e disa vendeve dhe midis tyre edhe një grup nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP), i kryesuar nga z.Artan Venhari, Nënkryetar i kësaj Zyre.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj përshëndeti në fjalën e hapjes punimet e këtij workshop-idhe pas përfundimit të tij, priti në një takim të veçantë Nënkryetarin e ZAP, z.Artan Venhari, shoqëruar nga zj. Myrvete Gashi dhe z.Bezad Halilaj.
Z.Venhari falënderoi Kryetarin e KLSH-se për ndihmesën që AL-SAI ka dhënë në organizimin e workshop-it në cilësinë e mikpritësit të aktivitetit. Ai theksoi se mikpritja ishte e veçantë, organizimi shumë i mirë dhe të gjithë pjesëmarrësit kanë vlerësuar pozitivisht kontributin e AL-SAI-it.
Z.Leskaj shprehu kënaqësinë e mbarëvajtjes së workshop-it dhe gatishmërinë e tij për të kontribuar edhe në të ardhmen si Kryetar i KLSH-së në aktivitete të tilla që u shërbejnë të gjitha SAI-ve pjesëmarrëse në rritjen e cilësisë së punës së tyre audituese.
Z.Leskaj dhe Z.Venhari konstatuan se Marrëveshja e Bashkëpunimit e nënshkruar midis KLSH-së dhe ZAP në Shkurt të vitit 2012 ka progresuar më së miri dhe ka pasur rezultate konkrete, sidomos në drejtim të trajnimit të stafeve respektive dhe të shkëmbimit të eksperiencës. Z.Leskaj shprehu mendimin se tani ka ardhur momenti që ky bashkëpunim të kalojë në një fazë më të lartë, duke u fokusuar në realizimin e një auditimi të përbashkët performance, për çështje që janë në interes tëtë dyja palëve.
Një rezultat konkret i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi është botimi brenda këtij viti i një pune voluminoze dhe të përbashkët të specialistëve të KLSH-së dhe ZAP-it për përkthimin e “Shënimeve Praktike të Auditimit Financiar”, të cilat janë përfunduar dhe janë gati për botim. Ky botim do t’i shërbejë punës së përditshme të çdo audituesi, në mënyrë që puna e gjithësecilit të rritet cilësisht.
Në mbyllje të takimit, Z.Leskaj përcolli përshëndetjet më të mira edhe për z.Lars Lage Olofsson, Auditor i Përgjithshëm i ZAP, i cili është një nga bashkëpunëtorët më të mirë të KLSH-së.