Takim i Kryetarit të KLSH-së me përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Suedi
05.09.2013
Më 3 Shtator, Kontrolli i Lartë i Shtetit mirëpriti në Tiranë përfaqësues të Komisionit Europian dhe SAI-ve homologe rajonale në workshop-in me temë “Vijimësia e Bashkëpunimit Rajonal për Auditimin e Performancës”, i cili pasonte workshop-in e organizuar në Bruksel për këtë qëllim në Majin e këtij viti. Ndër pjesëmarrësit e shumtë, të pranishëm në workshop ishin edhe përfaqësues të Zyrës Kombëtare Suedeze të Auditimit, të cilët, pëveç prezantimit cilësor dhe me vlera konkrete që adresonte eksperienca nga auditime performance të përbashkëta, paralele apo kooperative, ofruan pista të vlefshme bashkëpunimi midis dy institucioneve tona supreme.
Znj. ChristinaSand, drejtoreshë në SAI-n suedez dhe z. Hazim Sabanoviç koordinator i projektit të bashkëpunimit midis SAI-t suedez dhe atij boshnjak, u pritën në një takim të veçantë nga Kryetari i KLSH-së, Z. Bujar Leskaj. Takimi u zhvillua në një frymë të plotë mirëkuptimi, duke u fokusuar kryesisht në nisjen e një projekti të përbashkët bashkëpunimi midis SAI-t suedez dhe institucionit tonë. Ky projekt do të asistojë punën në Departamentin e ri të Performancës dhe jo vetëm, duke ofruar trajnime, mentorim në terren dhe ndihmesë për auditime të përbashkëta me vendet e rajonit.
Po kështu, përfaqësuesit e SAI-t suedez u shprehën enthuziastë për lidhjen së afërmi të një Marrëveshjeve Bashkëpunimi midis dy institucioneve tona, duke zgjeruar edhe më tej sferën e bashkëpunimit dhe modernizimit për ngritjen e kapaciteteve profesionale në KLSH. Kjo Marrëveshje Bashkëpunimi do të konkretizohet së shpejti, duke krijuar mundësi reale për shkëmbim eksperiencash, trajnime dhe unifikim metodologjish e vlerash në punën audituese të institucionit tonë.
Më tej takimi vijoi me stafin e Departamentit të Performancës, ku miqtë suedezë prezantuan eksperiencën e projekteve të tilla me vendet e rajonit si Bosnja-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, etj., dhe volën mendime konkrete nga audituesit për nevojat dhe pritshmëritë e tyre nga asistenca e SAI-ve më të avancuara në këtë lloj të ri auditimi. Interesi i stafit të departamentit të performancës ishte maksimal dhe së bashku me kolegët suedezë u identifikuan edhe fushat potenciale për një asistencë sa më produktive.