Kontrollit i Lartë i Shtetit dhe Instituti për Studime Publike dhe Ligjore nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi
16.10.2013
Në datën 16 tetor 2013, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH dhe Institutit për Studime Publike dhe Ligjore (ISP&L).
Në zbatim të kësaj Marrëveshje, KLSH do të angazhohet për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta për të sjellë mendimin më të avancuar në fushën e njohjes së legjislacionit, mbi bazën dhe të eksperiencave konkrete duke promovuar specialistët e tij më të mirë, si dhe eksperiencat dhe ekspertizën cilësore të Institutit për Studime Publike dhe Ligjore në dhënie këshillimesh dhe koordinimin për vlerësimet e përputhshmërisë ligjore gjatë auditimeve të përputhshmerisë realizuar nga KLSH.
Nëpërmjet realizimit të kësaj marrëveshje, KLSH është në përmbushje të detyrave për ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e standardave profesionale në auditim, nëpërmjet trajnimeve, workshopeve dhe aktiviteteve të tjera të përbashkëta.
Zoti Gent Ibrahimi, Drejtori Ekzekutiv i ISP&L, nga ana e tij, vlerësoi bashkëpunimin dhe qasjen e re që ka KLSH ndaj Shoqërisë Civile, duke theksuar se ky bashkëpunim do të gjenerojë ide të reja dhe do të realizojë projekte të përbashkëta me qasje sistemike dhe shkencore.
Të dyja palët shprehen së fundmi vendosmërinë për zbatimin e kesaj marrëveshjeje si dhe besimin se një bashkëpunim i sinqertë mes strukturave publike dhe shoqërisë civile do të japë rezultate konkrete në parandalimin e korrupsionit dhe në përmirësimin e qeverisjes.