Njoftime

KLSH merr pjesë në Konferencën mbi Marrëdhëniet e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve Kombëtare të vendeve të rajonit.

21.11.2013

Në datat 18-19 nëntor 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në Konferencën mbi Marrëdhëniet e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve Kombëtare të vendeve të rajonit, e cila u zhvillua në Budva, Mal të Zi.

Ndër personalitetet e huaja pjesëmarrëse në këtë aktivitet mund të përmendim figura të tilla si z. Vitor Caldeira, President i Gjykatës Evropiane të Llogarive, z. Recai Akyel, President i Gjykatës Turke të Llogarive, z. Milan Dabovic, Presidenti i SAI-t të Malit të Zi, z. Aleksandar Damianovic, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Financave dhe të Buxhetit, në Parlamentin e Malit të Zi, z. Joop Vrolijk, Këshilltar i Lartë i SIGMA-s, znj. Karen Hill, Drejtuese e Programit të SIGMA-s, etj.

Në këtë Konferencë, përveç Malit të Zi qe ishte vendi mikpritës, morën pjesë shumë vende të rajonit, si Shqipëria, Turqia, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Serbia, si edhe Kosova, e cila mori pjesë si vëzhguese. 
Objektivi i kësaj Konference ishte ndarja e përvojave, ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive ndërmjet SAI-ve dhe parlamenteve, ku u diskutuan faktorët që ndikojnë në këto marrëdhënie, si dhe u hodh ideja e ndërtimit të një pakete me instrumente që mund të përdoren nga SAI-t dhe parlamentet kombëtare për të forcuar bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë. 

Gjatë Konferencës u trajtuan katër tema:

1)Rolet dhe përgjegjësitë e parlamenteve, SAI-ve dhe qeverive në sistemin e llogaridhënies.
2)Bashkëpunimi ndërmjet parlamenteve, SAI-ve të rrjetit: situata.
3)Praktikat në Shtetet Anëtare të BE-së.
4)Drejt një qasje proaktive.

Kontrolli i Lartë i Shtetit do të jetë pjesëmarrës aktiv në tre nga aktivitetet që do të zhvillohen gjatë vitit 2014-2015 dhe  në një prej tyre, në workshop-in  me temë “Përcaktimi i pragut të materialitetit dhe qasja e kampionimit” do të jetë vendi organizator. Në këtë workshop do të marrin pjesë të gjitha vendet e rajonit. KLSH do të jetë gjithashtu, anëtar aktiv në grupet përgatitore të punës në workshop-et me tema: “Raportet e auditimit dhe dhënia e opinionit” si edhe “Roli i SAI-t në luftën kundër korrupsionit”, të cilat do të organizohen respektivisht në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë.
Në fund të Konferencës u miratua Rezoluta e Konferencës së Budvës mbi “Marrëdhëniet e Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve”, në të cilën u theksua rëndësia e Marrëveshjes së Stambollit (e marsit 2011) dhe në veçanti:

•Angazhimi për të vazhduar zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve pozitive mes SAI-ve dhe parlamenteve kombëtare, bazuar në respektin e përbashkët për rolin dhe pavarësinë  e palëve;
•Vendimin për të organizuar një Konferencë mbi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve konstruktive mes SAI-ve, parlamenteve, si dhe organeve të tjera të administratës publike.

Gjithashtu, në këtë Rezolutë përmenden parimet e Dokumentit Nr.33 te SIGMA-s (Paris 2002) për marrëdhëniet mes SAI-ve dhe Parlamenteve, si edhe theksohet rëndësia e Rezolutës së  OKB-së   A-66-209, në të cilën OKB-ja inkurajon të gjitha vendet anëtare të përdorin parimet e Deklaratës së Limës dhe Meksikos, si dhe theksohet rëndësia e pavarësisë së SAI-ve.
Delegacioni shqiptar u përfaqësua nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së, znj. Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme dhe zj.Dalina Demi, Specialiste.
Në këtë Konferencë ishin të pranishëm edhe tre përfaqësues të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ervin Koçi, deputet i Partisë Socialiste dhe anëtar i Komisionit të  Ekonomisë dhe Financave, z. Igli Cara, deputet i Partisë Demokratike dhe anëtar i Komisionit të  Ekonomisë dhe Financave, si dhe znj. Rudina Kici, sekretare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.

Rezoluta e Konferencës mbi Marrëdhëniet mes Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve, Budva, Mal i Zi, miratuar nga Presidentët e SAI-ve të Rrjetit