Njoftime

KLSH përuron ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit 1925-2013”

11.12.2013

Më datë 11 dhjetor 2013, në ambientet e KLSH-së, institucioni përuroi ekspozitën  dokumentare dhe fotografike  “Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit 1925-2013”. Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm z. Robert Gielisse, Drejtor Njësie në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit (DG-Budget) të Komisionit Evropian, z. Jacek Jezierski, ish-President i Zyrës Kombëtare të Auditimit-NIK të Polonisë, z. Lars Lage Olofsson, Auditues i Përgjithshëm i Kosovës, si dhe përfaqësues të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë dhe këshilltarë të lartë të programit SIGMA. 

ekspozita 1 ekspozita 2

Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH Bujar Leskaj nënvizoi vlerat e institucionit ndër vite, si dhe përmendi figurat e njohura themeluese dhe drejtuese të tij në periudhat e ndryshme të historisë së Shqipërisë. Ai u ndal në kontributin e vyer të dhënë nga shumë auditues të mëparshëm dhe të sotëm të KLSH. Z. Leskaj theksoi faktin se formimi dhe ruajtja e identiteteve të qarta historike të institucioneve kushtetuese i shërben rritjes së kujtesës institucionale, forcimit të Shtetit të së drejtës, si dhe kulturës së respektimit të institucioneve tek ne.
Më tej, Prof. Dr. Kaliopi Naska i njohu të pranishmit me stendat e mini-Muzeut, ku prezantoheshin me material të bollshëm dokumentar dhe fotografik fazat kryesore të kaluara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit përgjatë historisë së tij 88 vjeçare, për të ardhur në formën e sotme.
Partnerët e huaj të KLSH vlerësuan plotësinë e dokumentacionit dhe bënë pyetje të shumta për fazat e ndryshme të gjenezës dhe zhvillimit të institucionit.      
Ekspozita do të qëndrojë në mënyrë permanente në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe do të pasurohet në vijimësi me dokumente dhe foto të aktivitetit të mëparshëm dhe të tanishëm të institucionit.