Njoftime

Zhvilloi punimet Konferenca e dytë shkencore e KLSH-së

16.12.2013

Në datat 12 dhe 13 dhjetor 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi në hotel “Tirana International” Konferencën e tij të dytë shkencore me temë “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit për një menaxhim publik të përgjegjshëm në sfidat e sotme”.
Ajo u zhvillua si takim i përvitshëm, pas Konferencës së Parë Shkencore të KLSH, në dhjetor 2012, të titulluar “77 vjet KLSH në 100 vite Shtet Shqiptar”, e cila u përqëndrua në historikun dhe vlerat e shpalosura në vite të këtij institucionit kushtetues.
Konferencën e nderuan me praninë e tyre rreth 150 pjesëmarrës nga SAI-t (Institucione Supreme të Auditimit) partnere dhe bashkëpunetorët e huaj, si Zyra Kombëtare e Auditimit(NIK) të Polonisë, Gjykata Turke e Llogarive, Zyra e Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, Gjykata Evropiane e Audituesve, Institucioni Shtetëror i Auditimit të Malit të Zi, Zyra Shtetërore e Auditimit të Maqedonisë, SAI i Rumanisë, i Bosnje Hercegovinës,  Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar të Kosovës, këshilltarë të lartë të programit SIGMA, përfaqësues të institucioneve donatore në vend, të institucioneve te tjera shtetërore, të botës akademike, të shoqatave të profesionistëve të fushës, të shoqërise civile dhe mediave, auditues nga Kontrollii i Lartë i Shtetit. etj. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe z. Robert Gielisse, Drejtor Njësie në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit (DG-Budget) të Komisionit Evropian.

Konferencën e nderoi me pjesëmarrjen e tij, në ditën ë parë të saj, z.Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në fjalën e tij, z. Meta tha se përmirësimi i sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri është i kushtëzuar dhe nga progresi dhe suksesi i institucioneve themelore kushtetuese te vendit, ndër të cilat është edhe KLSH. “Askush nuk është i imunizuar nga shkeljet ligjore dhe abuzimet me pronën e shtetit”, tha Meta.”Aq më tepër vetë pushteti”. Kryetari i Kuvendit premtoi rishikim të shpejtë nga Parlamenti të draftit të ri ligjor me amendime, që KLSH ka dërguar një vit më parë.
Në Konference u trajtuan gjate dy ditëve 26 tema  nga përfaqësues të SAI-ve, të bashkëpunetorëve të huaj, vendas dhe nga auditues të KLSH-së. Temat shumë interesante, parë në këndveshtrimin e eksperiencave të ndryshne dhe të faktoreve dhe aktoreve që lidhen me punën e SAI-ve i dhanë Konferencës shumë larmi, interes dhe ngjallen debat.

Zoti Leskaj theksoi se rëndësia e aktiviteteve të tilla shkencore për komunitetin auditues të vendit dhe më gjerë buron nga standardet INTOSAI, nga Deklarata e Limës, nga standardi ISSAI 20, parimet 7 dhe 8, si dhe nga Drejtimi Strategjik i Dytë i INTOSAI-t për ndërtimin institucional të kapaciteteve. Institucionet supreme të auditimit(SAI-t) kanë nevojë të shkëmbejnë mendime për gjetjet e auditimeve të tyre, të ndajnë metodologjitë e përparuara dhe të përfitojnë nga inovacioni në teknikat dhe përafrimet audituese të njeri-tjetrit. Kërkimi i aplikuar shkencor në auditimin publik e ndihmon pikërisht këtë nevojë të SAI-ve për progres dhe efikasitet të shtuar.

Gjatë ditës së parë të Konferencës, ndër punimet qendrore ishin kumtesat e përfaqësuesit të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit të Komisionit Evropian për “Përgjegjshmërinë menaxheriale si parakusht për qeverisje të mirë dhe faktor kryesor për sigurimin e përdorimit të fondeve publike” dhe të përfaqësuesit të Gjykatës Evropiane të Audituesve për “Rëndësinë e rritjes së rolit mbikëqyrës mbi financat shtetërore të auditimit publik, në kontekstin e krizës ekonomike botërore”. Z. Gielisse, përfaqësuesi i DG-Budget, theksoi se llogaridhënia menaxheriale, si përbërës thelbësor i mirëqeverisjes mund të sigurohet vetëm nëpërmjet transparencës së plotë të veprimtarisë menaxheriale, delegimit të kompetencave dhe marrjes së informacionit.

Z. Jacek Jezierski, ish-President i Zyrës Kombëtare të Auditimit(NIK) të Polonisë, nënvizoi në kumtesën e tij se thellimi në analizën e riskut, në planin vjetor të auditimeve dhe marrja e informacionit nga burime të ndryshme, përfshirë dhe shoqërinë civile dhe mediat, ndihmon në përzgjedhjen efikase të subjekteve dhe tematikave për auditimin vjetor.

salla konferenca

U vlerësuan shumë nga të pranishmit edhe kumtesat e përfaqësuesve nga SAI-t partnerë të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, të Zyrës Kombëtare të Auditimit-NIK të Polonisë, të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, të Zyrës së Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës, të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë, si dhe të përfaqësuesve të SIGMA, për rolin e standardeve ISSAI në përmbushjen e misionit të SAI-ve, për auditimin e rregullave fiskalë, për dobitë dhe modalitetet e bashkëpunimit mes audituesve të brendshëm dhe të jashtëm të sektorit publik, për metodën e re të kampionimit në auditimin e fondeve të BE, etj.  
Gjatë ditës së dytë, ide dhe sugjerime të vlefshme për mbikëqyrjen e financave publike u dhanë nga kumtesat e përfaqësuesve të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Këshillit Kombëtar të Kontablitetit, botës akademike, profesoratit shqiptar dhe shoqërisë civile.
Konkluzionet e Konferencës u dhanë në fund të saj nga tre bashkëdrejtuesit, nga z. Joop Vrolijk, Këshilltar i Lartë i SIGMA-s, z. Jacez Jezierski, ish-President i NIK dhe nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH. Ndër to, më kryesoret ishin:
Vetëm nëpërmjet auditimeve të pavarura dhe profesionale SAI-t mund të  kontribuojnë në mbajtjen e qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike, në mbrojtje të interesit publik dhe forcimit të qeverisjes kombëtare;
Thellimi në analizën e riskut në planin vjetor të auditimeve dhe marrja e informacionit nga burime të ndryshme, përfshirë dhe shoqërinë civile dhe mediat, ndihmon në përzgjedhjen efikase të subjekteve dhe tematikave për auditimin vjetor ;
Llogaridhënia menaxheriale, si përbërës thelbësor i mirëqeverisjes dhe vendosja e “tone at the top”, mund të sigurohen nëpërmjet transparencës së plotë të veprimtarisë menaxheriale, delegimit të kompetencave dhe marrjes së informacionit;
Përballimi i sfidave të sotme në auditimin publik lehtësohet dukshëm nga një bashkëpunim konkret dhe në vijimësi i audituesve të brendshëm me audituesit e jashtëm, duke synuar ngritjen e këtij bashkëpunimi deri në nivelin e auditimeve të përbashkëta;
Instrumenti “INTOSAINT” i vetëvlerësimit ndihmon rritjen e integritetit të SAI-t dhe forcon besueshmërinë e tij në publik, prandaj ai duhet të përdoret më shpesh  nga SAI-t;
Procesi i pandalshëm i integrimit në BE kërkon njohjen e metodikave bashkohore të auditimit të fondeve të BE-se; si dhe: 
Në kushtet e reja të krijuara, duhet të rritet përdorimi i mjeteve jo-konvencionale të politikës audituese, duke bashkëpunuar më ngushtë dhe gjerësisht me botën akademike, shoqërinë civile, organizatat profesionale të fushës dhe mediat;
Mesazhi më i rëndësishëm që Konferenca përçoi ishte që auditimi kombëtar duhet të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare, për përmirësimin e menaxhimit publik financiar të vendit.
Konferenca e dytë Shkencore u organizua nga KLSH, me mbështetjen e Programit SIGMA, i cili dha një ndihmë modeste financiare. Një rol të veçantë ka Këshilltari i Lartë i SIGMA, z. Joop Vrolijk, i cili për meritat dhe mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë KLSH gjatë dy viteve të fundit, sidomos për rritjen e kapaciteteve të audituesve të tij, u nderua nga z. Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë me “Medaljen e Mirënjohjes”. Ceremonia u zhvillua në Presidencë, në datën 13 dhjetor 2013.
Punimet e Konferencës përforcuan edhe një herë moton e INTOSAI-it “Experentia mutua omnibus prodest (Eksperienca e Përbashkët ju shërben të gjithëve). Kjo Konferencë e dytë i hapi rrugën Konferencës së tretë Shkencore të KLSH, e cila do të zhvillohet rreth muajit shtator 2014.